1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propozimi serb: "Kosova si Hong Kongu"

5 Nëntor 2007

Në Vjenë zhvillohet raundi i katërt i bisedimeve të drejtëpërdrejta mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Pala serbe paraqiti një propozim të ri.

https://p.dw.com/p/C2vC
Fotografi: AP

"Është ky një moment i shumë i rëndësishëm i bisedimeve", u tha para fillimit të raudit të katër të bisedimeve të drejtëpërdrejta mes delegacioneve të Pristhinës dhe Beogradit në Vjenë. Para takimit të drejtëpërdrejtë, delegacionet biseduan me trojkën.

Për palën kosovarë nuk ka zgjidhje tjetër veç pavarësisë

Pala kosovare theksoi se nuk do të pranojë asgjë që është më pak se pavarësia e Kosovës. Mirëpo anëtarët e delegacionit të udhëhequr nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku, pas takimit me trojkën nuk u deklaruan për media. Më parë ata u shprehën pesimist për mundësinë që Beogradi të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Prandaj ritheksuan mundësinë e shpalljes së njëanshme e pavarësisë dhe njohjen e saj prej faktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtar.

Propozimi serb për vetqeverisje me kulm të përbashkët

Kurse delegacioni i Beogradit e shfrytëzoi maksimalisht prezencën e mediave në Vjenë. Presidenti i Serbisë Boris Tadiq, dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica, paraqitën një propozim të ri: që statusi i Kosovës të zgjidhet sipas modelit të Hong Kongut. Tadiq tha se modeli i tyre nënkupton ekzistencën e kornizës së përbashkët kushtetuese, ku pjesët e vendit mund të qeverisin me vetveten, por nën një kulm të përbashkët. Palët nuk mund të ndryshojnë me vendime të njëanshme asgjë që është në kundërshtim me kushtetutën dhe parimet e sovranitetit. Dy kufijtë e jashtëm janë të paprekshëm. Dhe tre, veprimi i forcave të sigurisë mund të jetë vetëm lokal, për qëllimet e ruajtjes së paqës dhe rendit. Ndërsa kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se "copëtimi i Serbisë nuk mund të jetë ndonjë zgjidhje e cila ofron siguri dhe stabilitet në rajon". Modeli i Hong Kongut, sipas tij, ofron ruajtjen e sovranitetit të Serbisë dhe realizimin e aspiratave për vetëqeverisjen. Ofrimin e këtij modeli Koshtunica e quajti një "hap kontruktiv të Serbisë, në përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës."

Trojka i kërkon palës kosovare të heqë dorë nga deklarimi njëanshëm i pavarësisë

Para takimit me palën kosovare, delegacioni i Serbisë u takua edhe me trojkën ndërkombëtare nga e cila kërkoi që statusi të zgjidhet në bazë të rezolutës 1244 dhe që pala kosovare të heqë dorë nga shpallja e njëanshme e pavarsisë. Ministri serb për Kosovë e Metohi, Sllobodan Samarxhiq tha se ata nuk janë kundër bisedimeve mbi propozimin kosovar për rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura. Samarxhiq tha se Beogradi do që "të bisedohet për statusin e Kosovës dhe që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të ndërtohen mbi bazat e një statusi të qartë." "Në veçanti kemi rikujtuar pikat pesë dhe gjashtë të propozimit të trojkës, se Beogradi nuk pretendon të rregullojë raportet brenda Kosovës. Mirëpo, Beogradi duhet të qeverisë me tërë territorin e vet. Pra duhet të qeverisë me tërë Serbinë, duke përfshirë edhe Kosovën e Metohinë", theksoi Samarxhiq, i cili, së bashku me ministrin e jashtëm Vuk Jeremiq, u shprehën se propozimi i trojkës prej 14 pikash ofron kornizë për marrveshje të mundëshme. Mirëpo, përfaqësuesit serb, kanë kundërshtuar kufizimet kohore dhe kënë kërkuar vazhdimin e bisedimeve.

Palët mund të bëjnë vërejtje, propozime dhe komente

Në prag të takimit, përfaqësuesi i BE, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger) u shpreh se presionet kohore mund të jenë të dobishme për zgjidhjen e statusit. "Me propozimin e 14 pikave për bisedime, trojka ka vendosur të marrë iniciativë. Pikat janë neutrale dhe nuk e prejudikojnë statusin përfundimtar. Janë këto çështje mbi të cilat palët mund të arrijnë marrëveshje të përbashkët. Mirëpo trojka është e vetëdijshme se palët nuk janë tepër të lumtura me këto propozime. Prandaj palëve u është ofruar mundësia e komenteve, vërejtjeve dhe sugjerimeve", theksoi Ishinger. Ardhjen e delegacioneve në nivelin më të lartë diplomati gjerman e quajti "një dëshmi për seriozitetin" e palëve në këtë proces.