1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propozime për integrimin më të mirë social të romëve që jetojnë në BE

6 Prill 2011

Komisarët e BE-së për drejtësinë dhe çështjet sociale kërkuan prej shteteve të BE-së që t'i paraqesin komisionit strategjitë kombëtare për luftimin e diskriminimit dhe përjashtimit social të rreth 10-12 milionë romëve.

https://p.dw.com/p/10nuN
Protestë e romëve përpara Parlamentit të BE-sëFotografi: AP

Propozimet e Komisionit të BE-së përmbajnë katër prioritete: përmirësimi i shkollimit, i rrugëve për tregun e punës, shërbim mjeksor efektiv dhe përmirësimi i gjendjes së banimit. Komisarja e BE-së për drejtësinë, Viviane Reding, tha se shpesh familjet rome nuk kanë në banesat e tyre as ujë dhe as energji elektrike. Vetëm 42% e fëmijëve romë përfundojnë shkollën fillore, kundrejt 97,5% që është niveli mesatar i BE-së. Për këtë shkak shanset e shumë sinti dhe roma në tregun e punës janë shumë të këqia. Vdekshmëria foshnjore në radhët e kësaj popullsie është pesë herë më e lartë se sa ajo e pjesës tjetër të popullsisë. Shkak për këtë është gjendja e keqe e shërbimit dhe e përkujdesjes mjeksore.

Sipas të dhënave të Redings BE-ja ka vënë në dispozicion të programeve të ndryshme për romët më tepër se 26 millardë euro. Deri tani janë përdorur vetëm një pjesë e vogël e tyre, rreth 100 milionë euro. Komisari i BE-së për çështjet sociale,Laszlo Andor, tha se një nga shkaqet për këtë është mungesa e parave që duhet të vënë në dispozicion vendet anëtare të BE-së për bashkëfinancimin e këtyre projekteve. Po ashtu ai kërkoi që politikanët lokalë të angazhohen më tepër për vënien në jetë të programeve për romët.

Komisari i BE-së për çështjet sociale,Laszlo Andor, theksoi se për luftimin e diskriminimit apo të sulmeve ndaj romëve është i nevojshëm një bashkëpunim mes shteteve anëtare të BE-së dhe shoqërisë civile. Një ndër pikat e rëndësishme është luftimi i varfërisë. Rreth 70% e romëve konsiderohen si të varfër, ndërkohë që kjo shifër për pjesën tjetër të popullsisë është rreth 17%.

Një ndër projektet e BE-së në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, i cili ka për qëllim të nxisë shkollimin e fëmijëve romë është ai i përgatitjes së rreth një mijë "ndërmjetësve" që u mundësojnë fëmijëve romë që të arrijnë nivelin e shkollës fillore.

Me propozimet e Komisionit të BE-së do të merret tani Parlamenti i Evropës si dhe ministrat përkatës të vendeve anëtare. Qëllimi është që deri në takimit e nivelit të lartë të BE-së në qershor të përgatitet një strategji.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj