1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propagandë neonaziste në oborrin e shkollës

Katharina Bueß/Elert Ajazaj23 Prill 2013

Neonazistët e kanë ndryshuar strategjinë. Me reklamën e vet NPD-ja i drejtohet sot rregullisht nxënësve. Në këtë kuadër muzika luan rol kyç. Mirëpo shenjat, që flasin për ide radikale të djathta, dallohen me vështirësi.

https://p.dw.com/p/18LJ7
Fotografi: picture-alliance/dpa

Slogane si "Të kërkosh aventura", "Të përjetosh të jashtëzakonshmen", veç kësaj fotografi shtegtarësh në zona malore (ajo çka duket si reklamë për turizëm në alpe, gjendet në fletoren shoqëruese të një kompakt disku të diskutueshëm). Përgjegjës për publikimin e saj janë Nacionaldemokratët e Rinj, organizata rinore e Partisë Nationaldemokratike të Gjermanisë (NPD). Titulli i saj është "CD-ja e oborrit të shkollës: Rinia për Gjermaninë, e ardhmja në mend".

Prej 2004-ës NPD-ja i dhuron vazhdimisht disqet, në shumicën e rasteve nxënësve të mitur. CD-ja shpërndahet prej nëntorit 2012 nëpërmjet internetit dhe para disa shkollave në Gjermani. Në të gjenden këngë me tituj si "Nacional dhe social", "Thirrje për revoltë", apo "Gjermania është trokë" dhe një fjalim i filmuar i kryetarit të organizatës Andreas Knape: "Mos lejoni që kjo CD t'ju merret nga ndonjë mësues konform 'political correctness'!" NPD-ja paraqitet si organizatë fantastike, rinore dhe që e përdor me qejf internetin: Vendos kontakt me ne nëpërmjet Facebookut."

CD muzikore të partisë së djathtë, NPD
CD muzikore të partisë së djathtë, NPDFotografi: picture-alliance/dpa

NPD-ja gjen jehonë veçanërisht te të rinjtë

Njerëzit në moshë të re janë për NPD-në një grup i synuar i veçantë. Te 18- deri 25-vjeçarët ajo ka zakonisht rezultatet e saj më të larta zgjedhore. Në zgjedhjet e fundit për dhomën e deputetëve në Berlin në vitin 2011 ajo mori te ky grup moshe 3,5 për qind të votës së dytë, te mbi 60-vjeçarët ishin vetëm 1,2 për qind. Pra fushata të tilla muzikore mund të kenë njëfarë efekti.

"Ne përpiqemi t'i bëjmë të ndjeshëm të rinjtë për politikë dhe t'i bëjmë ata për vete", shpjegon Julian Monaco i NPD-së. Në këtë kuadër muzika është, sipas tij, veçanërisht e përshtatshme, për të përcjellë mesazhe, sepse ajo është e lidhur me emocione. Mirëpo a është kjo e lejuar? Në përgjithësi në shkolla janë të ndaluara reklamat e partive politike. "Për këtë arsye CD-në e kemi shpëndarë në afërsi të shkollave dhe në rrugët, që të çojnë në shkolla", thotë Monaco. Kjo sepse përgjegjësia e shkollave mbaron në hapësirën publike, pra në rrugë.

CD-ja është prej marsit e ndaluar

Versionit të fundit të "CD-së së oborrit të shkollës" nuk lejohet më t'i bëhet reklamë dhe ajo nuk lejohet më të shpërndahet. Ndalimi i saj u bë publik më 13 mars nga Qendra kombëtare për verifikimin e mediës së rrezikshme për rininë. Arsyetimi: Ajo ka efekt "çorientues në planin etiko-social" dhe në këngë glorifikohet nacionalsocializmi.