1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prokuroria serbe mbi akuzat e Dick Martyt

Prokurori i Serbisë për krime lufte Vladimir Vukçeviq deklaroi se raporti i Dick Marty-t për krime në Kosovë paraqet një fitore të madhe për punën e prokurorisë dhe punën e tij personale.

Prokurori i Serbisë për krime lufte Vladimir Vukçeviq

Prokurori i Serbisë për krime lufte Vladimir Vukçeviq

Në një takim me gazetar në Beograd ai bëri të ditur se Prokuroria serbe ka punuar për vite të tëra në këtë lëndë.

Vlladimir Vukçeviq pohon se ndryshe nga Dick Marty-t, pala serbe nuk ka mundur të hetojë për "shitjen e organeve" në vendin e ngjarjes. Pala serbe, sipas tij, ka kërkuar prej autoriteteve të Shqipërisë që të kryejnë hetime të përbashkëta, lidhur me pohimet për trafikimin e organeve njerëzore, por kjo nuk është pranuar. Vukçeviq pohon se Serbia e ka dëshmuar vendimin e saj për bashkëpunim me arrestimin dhe dërgimin në Tribunalin e Hagës të krerëve politikë dhe ushtarakë të akuzuar për krime lufte.

„Prandaj nuk shoh asnjë arsye pse dikush nga Kosova, pa marrë parasysh funksionin që kryen, mund të falet nga përgjegjësia eventuale për krime të tilla. Mendoj se këtu është fjala për krime monstruoze, që e kemi thënë prej fillimit të hetimeve tona dhe kjo na ka stimuluar të vazhdojmë në këtë drejtim me këmbëngulje", theksoi Vukçeviq.

Zëvendësi i prokurorit Bruno Vekariq, thotë se përfaqësuesit e Prokurorisë serbe shumë herë janë takuar me Dick Martyn, me të cilin kanë shkëmbyer informacione. „Nëse shikoni raportin do të shihni se pjesa që ka lidhje me strukturën e organizimit të UÇK-së është pjesë e marrë nga raporti ynë, që kemi dërguar ne. Po ashtu në raport ndodhen edhe pjesët që i kemi dhënë ne për dëshmitë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore si dhe lidhjen e krimit të organizuar me qarqet politike", pohon Vekariq.

Bruno Vekariq bën të ditur se përmes hartave dhe emrave të vendeve që i ka dhënë pala serbe, Dick Marty ka shkuar në disa vende të caktuara dhe ka pyetur autoritetet lokale, të cilat pala serbe nuk ka mundur t'i marrë në pyetje. Në këtë kontekst, Vekariq thotë se prej largimit të UNMIK dhe ardhjes së Eulex-it janë shënuar përparime të dukshme në funksionimin e organeve juridike në Kosovë.

„UNMIK-u e ka lënë pas dore këtë rast dhe kemi humbur gati gjysmë viti në përpjekjet për të ardhur deri tek raporti i UNMIK-ut për veriun e Shqipërisë", pohon zëvendësprokurori i Serbisë për krime lufte Bruno Vekariq.

Gazetarët u interesuan edhe për dëshmitë konkrete lidhur me emrat që përmenden në këtë raport dhe pohimet se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi "është shefi i grupit kriminel".

„Ne do të shohim nëse ka prova të mjaftueshme. Mund të shikoni raportin e Dick Marty ku ai flet për këtë punë dhe për faktet se çfarë ka ndodhur atje, respektivisht që ka pasur trafikim organesh njerëzore. Do të thotë, ne kemi shkuar edhe më larg se ato që përmenden në raportin e Dick Marty dhe kemi edhe disa emra të caktuar, por për emrat aktualisht nuk dua të flas", pohon Vukçeviq.

Prokurori serb mendon se është e rastësishme koha e paraqitjes së raportit të Dick Marty, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Ajo që është e sigurt, sipas tij, është që përparime nuk do të ketë lidhur me këtë lëndë, pa bashkëpunimin e Eulex-it, prokurorisë serbe dhe asaj shqiptare. „Detyra jonë është të dëshmojmë se këto krime janë bërë dhe të vijmë deri tek ata që kanë kryer ato. E kush do ta bëjë këtë, Eulex-i prokuroria serbe apo shqiptare, nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që ata të përgjigjen“, pohon Vukçeviq

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 17.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QeAC
  • Data 17.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QeAC