1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projektligj diskriminues? Debati për simbolet fetare në shkollat shqiptare

18 Janar 2011

Projektligji i përgatitur nga qeveria mbi sistemin arsimor parauniversitar po përcillet me debate në Shqipëri. Pikë e nxehtë - ndalimi i simboleve fetare në shkolla. Pro dhe kundër.

https://p.dw.com/p/zz9E
Pamje simbolikeFotografi: AP

Sipas projektligjit të Ministrisë së Arsimit ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në shkolla, përveçse në ato ku mësohen lëndë fetare. Komunitetet fetare e kanë pritur me kritika projektligin. Për ta ligji është i paqartë. Kjo mund të shkaktojnë diskriminimin e të rinjve që duan të shkollohen. Ndërkohë që nuk mungojnë dhe mbështetësit e projektligjit, që sipas tyre sanksionon faktin që arsimi parauniversitar publik në Shqipëri ka karakter laik dhe se në institucionet arsimore është i ndaluar indoktrinimi fetar.

Ministria e Arsimit, ndërkohë si institucioni hartues i projektligjit ka nisur konsultimet me grupet e interesit. Kryesisht po merret mendimi i përfaqësuesve të besimeve fetare. Deri më tani autoritetet arsimore kanë zhvilluar kontakte me drejtuesit e Komunitetit Mysliman, më aktivi në kundërshtimin e projektligjit.

Agron Hoxha
Agron Hoxha, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në Komunitetin MyslimanFotografi: DW

Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median pranë këtij Komuniteti, Agron Hoxha, ka vlerësuar faktin që Ministria e Arsimit po merr mendime para se projektligji të hyjë në procedurat parlamentare për t'u shdërruar në ligj. Ai veçon një pikë të nenit 36 të projektligjit ku thuhet: “Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”.

Kritikat kundër projektligjit

Për Hoxhën ky formulim është i paqartë. “Sepse nuk saktësohet individi apo objekti. Pra do të ndalohet tek individi apo tek ambientet e shkollës. Duhet të saktësohet se cili është symbol dhe ku lejohen dhe ndalohen simbolet. Shamia e femrës myslimane nuk duhet të përfshihet tek simbolet, sepse për femrat myslimane që kanë mbushur moshën e pubertitetit, ai konsiderohet si një obligim fetar. Duhet të bëhet një dallim mes obligimit dhe simboleve, që mund të jetë dhe çfarëdolloj simboli fetar.”

Albanien Cerciz Loloci
Çerçiz Loloçi, Fondacioni “Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë”, SOROS,Fotografi: DW

Për Çerçiz Loloçin nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë”, SOROS, projektligji me përmbajtjen aktuale që favorizon ndalimin e simboleve fetare në ambientet shkollore është i drejtë. “Kontigjentet që preken nga ky ndalim simbolesh janë persona që nuk mund të mendojnë në mënyrë të pavarur. Përderisa këta nuk mendojnë në mënyrë të pavarur atëhere për shkollat 9 vjeçare dhe ato të mesme kjo masë është e drejtë. Këtu dua të shtoj dhe një argument tjetër: kjo masë është marrë edhe më parë, në një Shqipëri tjetër që kishte probleme me analfabetizmin dhe kur besimi fetar ka qënë edhe më i ngulitur. Është marrë që në kohën e Mbretërisë”.

Loloçi thotë se diskutimi që po bëhet në publik ose mes grupeve të interesit dhe autoriteteve arsimore e ligjëvënësve është i frytshëm. Pasi sipas tij, çështje të tilla për simbolikën fetare jashtë institucioneve të besimit nuk mund të lihen mënjanë, apo të trajtohen si tabu në opinion publik.

Albanien Hauptquartier der Muslimischen Gemeinde in Tirana
Komuniteti MsylimanFotografi: DW

Dy pozicione: Diskriminim apo zbatim korrekt i ligjit

Agron Hoxha, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e lidh mangësinë e pikës së nenit 36 apo dhe pasaktësi të tjera në projektligj edhe me dukurinë e diskriminimit. Sipas tij me ligj në Shqipëri është garantuar mosdiskriminimi. Prandaj edhe moslejimi i vajzave që mbajnë shami në shkolla do t'i privonte ato nga e drejta për arsim si të gjithë të tjerët.“Është detyrë e Ministrisë së Arsimit që t'i garantojë mësimdhënien çdo nxënësi shqiptar dhe të mos diskriminojë, sepse një diskriminim i tillë do ta kthejë vendin dhe shoqërinë shumë hapa prapa”.

Por për Çerçiz Loloçin nga Fondacioni SOROS në Tiranë ky element për diskriminim arsimor për ata që duan të mbajnë simbole fetare nuk qëndron. “Sepse unë mendoj se në shkollat që janë plotësisht fetare sigurisht që nuk vepron ky ligj, pasi janë institucione që përgatisin klerikë ose administratorë të komuniteteve fetare. Dhe them që kjo nuk është ndonjë masë e dëmshme për ta. Argumenti i tyre nuk më duket shumë i besueshëm dhe i plotë dhe që të pengojë shkollimin e këtyre fëmijëve”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi