Projektet gjermane në Shqipëri do të njohin rritje vitin e ardhshëm
5 Janar 2011Shifrat janë të parat që flasin: 367 milionë euro për projekte të bashkëpunimit dypalësh që nga viti 1988 kur nisi ky bashkëpunim pa përfshirë këtu kontributin e Gjermanisë në nivel donatorësh shumëpalësh me BE, Bankën Botërore apo Kombet e Bashkuara. Ky është kontributi gjerman.
Në raport me popullsinë Shqipëria radhitet ndër vendet e para që ka përfituar mbështetje gjermane për zhvillim. Sekretari i parë në ambasadën gjermane ne Tirane, Ian Rudolph, i cili mbulon sektorin e ekonomise, e quan një histori suksesi bashkëpunimin ekonomik për zhvillim me Shqipërine edhe për këtë vit. “Fusha e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit për zhvilim ka qënë jashtëzakonisht e sukseshme këtë vit. Gjermania i dha Shqipërisë në Maj të këtij viti një shtesë prej 100 milionë eurosh pavarësisht nga kriza ekonomike pasi qeveria gjermane e konsideron projektin në Shqipëri jashtëzakonisht të sukseshëm dhe dhe do të vazhdojë ta zgjerojë atë.”
Përtej shifrave
Suksesi shfaqet edhe përtej shifrave, tek qytetarët që përfitojnë nga projektet gjermane. Tre sektorët kryesorë ku është fokusuar bashkëpunimi për zhvillim gjermano- shqiptar: energjia, uji dhe zhvillimi i biznesit të vogël dhe të mesëm ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve, në kapitalin njerëzor që është promotori i zhvillimit të çdo vendi, pavarësisht nga niveli i zhvillimit ekonomiko- shoqëror.
Këtë vit Gjermania lançoi edhe financimin e një projekti madhor: ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë prej 400 kV Shqipëri- Maqedoni, i pari mes dy vendeve. Pas financimit gjerman për linjat e transmetimit të energjisë Shqipëri- Kosovë, Shqipëri- Mal i Zi, kjo linjë mbyll të vetmin boshllëk të lidhjes së sistemit energjitik të Shqipërisë me atë rajonal duke krijuar kështu rrjetin e unifikuar rajonal të transmetimit të energjisë. Kjo do të thotë përfundim i krizave kronike të mungesës së energjisë për qytetarin e thjeshtë, biznesin dhe ekonominë në tërësi.
Projekte që promovojnë bashkëpunimin rajonal
Financimi nga qeveria gjermane i linjave të transmetimit të energjisë Shqipëri –Kosovë, Shqipëri – Mali i Zi dhe tani Shqipëri – Maqedoni janë ilustrimi i qartë i orientimit rajonal të të bashkëpunimit ekonomik gjermano- shqiptar. Ky orientim shfaqet edhe në fondet e hapura rajonale, ku përfshihet Shqipëria dhe dy vende të tjera të Ballkanit Perëndimora. “Promovimi i bashkëpunimit rajonal është konsideruar nga qeveria gjermane si një hap drejt BE” thotë për programin shqip të Dë, Ian Rudolph.
Integrimi europian i Shqipërisë dhe Gjermania
Mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian është arsyeja kryesore që fondet gjermane të bashkëpunimit për zhvillim janë trefishuar në tre vitet e fundit. Sa më shumë shpejtësi të marrë procesi i integrimit, aq më të mëdha bëhen përpjekjet e Gjermanisë për ta mbështetur atë, thotë Z, Rudolph.
“Gjermania i kushton një vëmendje të madhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ashtu si në rastin e anëtarësimit në NATO, liberalizimit të vizave edhe Gjermania e mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Gjithë bashkëpunimi ekonomik për zhvillim synon të mbështesë Shqipërinë për t' iu bashkuar BE-së. Gjermania po mbështet Ministrinë e Integrimit , me një projekt të përbashkët me Komisionin Europian, për të kordinuar punën e gjithë lojtarëve dhe plotësuar kushtet që raport-progresi i KE në vitin 2011 të jetë pozitiv dhe qe te pranohet aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim. “
Besueshmëri dhe efikasitet
Bazë për suksesin e një marrëdhënieje ekonomike mes dy vendeve është besueshmëria dhe efikasiteti. Z., Rudolph thotë për Dë se këto tipare kanë karakterizuar marrëdhëniet ekonomike gjermano- shqiptare. Ai përmend si argument të suksesit ne bashkëpunimin dypalësh që garantojnë këto dy karakteristika nënshkrimin para disa ditësh të një sërë projektesh të reja.
“ Një ditë para Krishtlindjeve u nënshkruan një sërë projektesh të reja prej 65,5 milion eurosh në sektorin e ujit, administrimin e ujësjellës – kanalizimeve, eliminimin e mbetjeve të ngurta. Një pjesë realizohet në bashkëpunim me BE, që konfirmon bashkëpunimin e sukseshëm edhe mes Gjermanisë dhe BE.”
Autoritetet e Tiranës e cilësojnë të shkëlqyer bashkëpunimin ekonomik për zhvillim me Gjermaninë dhe parashikojnë që ai do të njohë nivele të reja vitin e ardhshëm. Për vitin e ardhshëm 2011 Ian Rudolph parashikon: “Gjermania mbetet e zotuar fuqimisht ndaj Shqipërisë për ta mbëshetutr në rrugën e saj drejt BE. Numri i madh i projekteve që realizon në Shqipëri kontribon në përmirësimin e jetës së qyteëtarëve të saj dhe promovon integrimin e Shqipërisë në BE".
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Lindita Arapi