1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekte të reja gjermane për Shqipërinë

26 Shtator 2012

Mbyllen në Tiranë bisedimet mbi bashkëpunimin për zhvillim Gjermani- Shqipëri. U nënshkrua një protokolli i ndihmës gjermane për 2012 - 2013. Programi kryesor mbështet infrastrukturën rurale dhe komunare në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/16Ek3
Dr. Leo Kreuz dhe Nezir Haldeda nënshkruajnë marrëveshjen
Dr. Leo Kreuz dhe Nezir Haldeda nënshkruajnë marrëveshjenFotografi: DW/Arben Muka

Në konsultimet ndërqeveritare gjermano-shqiptare gjatë disa seancave, dy ekipet e ekspertëve kishin në tavolinë të gjitha propozimet që ishin bërë paraprakisht nga pala shqiptare, për fushat dhe sektorët ku ajo kërkonte të fokusohej mbështetja gjermane. Dy agjencitë kryesore gjermane, Shoqata për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ dhe Banka Gjermane për Rindërtim, KfW, të cilat janë mbështetëset më të fuqishme për projektet zhvillimore në Shqipëri, kishin përfaqësues të tyre në delegacionin nga Berlini dhe shoqëroheshin edhe nga ekspertë të Ministrisë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik.  

Projekti kryesor: mbështetja e infrastrukturës komunale e rurale

Në Shqipëri janë identifikuar veçoritë e kontributeve: KfW-ja mbështet sektorin energjitik dhe atë të ujësjellës-kanalizimeve, ndërkohë që GIZ jepet asistencë teknike për zhvillimin rural, për arësimin profesional, për arësimin e lartë, për agroturizmin etj.

Kryetari i delegacionit shqiptar në bisedime, zëvendësministri i financave, Nezir Haldeda, tha për DW se projektet gjermane do të vijojnë në sektorin energjitik. Megjithëse, sipas tij, financimi do të jetë më i reduktuar, pasi një pjesë e projekteve të miratuara janë ende në proces dhe nuk janë ezauruar ende fondet e akorduara më herët.

Marrëveshja siguron mbështetjen gjermane
Marrëveshja siguron mbështetjen gjermaneFotografi: DW/Arben Muka

“Kryesori është programi i mbështetjes së infrastrukturës rurale dhe komunale prej 20 milion eurosh. Për më tepër i bashkangjiten dhe 2 milion euro, grant nga qeveria gjermane, për studimin e mbikqyrjen e punimeve. Ky është projekti kryesor në këtë paketë. Do të zbatohet nga viti 2013 dhe në vazhdim. Paketa e aktiviteteve aplikohet nga viti 2013 deri në vitin 2015.”

Bisedime të besueshme e kompromise

Partnerë të palës shqiptare në finalizimin e projekteve gjermane janë agjenci dhe institucione të rëndësishme, si ministritë e ekonomisë, punëve publike dhe transporteve, financave, arsimit etj.

Kryetari i delegacionit gjerman, dr. Leo Kreuz, i përshkroi bisedimet si të hapura, miqësore, por jo gjithmonë të lehta.

“Por gjithmonë negociata me ndjenjë besueshmërie. Duke përdoruar instrumentet e kompromisit ne erdhëm natyrshëm tek zgjidhjet e vërteta. Ishte një ditë e mbarë dhe e sukseshme, që nxit kooperimin mes dy vendeve.”

Ambasadorja Carola Müller-Holtkemper: bashkëpunim cilësor
Ambasadorja Carola Müller-Holtkemper: bashkëpunim cilësorFotografi: DW/Arben Muka

Për ambasadoren gjermane në Shqipëri, Carola Mueller – Holtkemper projektet zhvilluese të vendit të saj kanë dhe partnerë të tjerë të huaj, të cilët bashkëfinancojnë, si Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, Austria e Zvicra.

“Ata kanë besimin e mjaftueshëm të bashkëfinancojnë, të kanalizojnë fondet e tyre nëpërmjet GIZ dhe KfW. Kjo demonstron në një mënyrë besimin e tyre se në bashkëpunojmë me Shqipërinë, për cilësinë, shpejtësinë dhe besueshmërinë në kryerjen e projekteve”.

Pas nënshkrimit të protokollit të ndihmës gjermane për periudhën në vijim, Nezir Haldeda, shprehet optimist për intensitetin e kooperimit dypalësh.

“Ajo që kemi arritur këtë radhë është dëshmia e bashkëpunimit shumë të frytshëm dhe eficent që kemi patur prej gati 25 viteve të këtyre marrëdhënieve, që janë konsistente, me një bashkëpunim shembullor nga të dyja anët”.

Gjermania: donatori më i madh për Shqipërinë

Gjermania është donatori më i madh i Shqipërisë në nivel dypalësh dhe e mbështet atë prej vitit 1988. Në afro 25 vite të bashkëpunimit dy- dhe shumëpalësh Gjermania ka vënë në dispozicion më shumë se 1 miliardë euro në formë kredish dhe grantesh për realizimin e projekteve për zhvillim. Gjermania është vendi me kontributin më të madh në të gjitha projektet e BE-së.

Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim mbështet bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore. Ky bashkëpunim synon të ndihmojë Shqipërinë në arritjen e standardeve të BE-së. Gjermania jep mbështetjen e saj në këtë kuadër, që Shqipëria të ecë më tej në rrugën e transformimeve, të vazhdojë të integrohet në nivel rajonal dhe të përmbushë kushtet për anëtarësimin në BE.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Auron Dodi