Projekt i BE-së në 2008 për zhvillimin e zonave malore në Shqipëri
15 Janar 2008Një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare jeton në fshat. Statistikat e vitit 1990 jepnin të dhëna, se në fshat jetonin rreth 70 %, ndërkohë që në vitin 2008 këto të dhëna demografike kanë ndryshuar, pasi një pjesë e popullsisë së këtyre zonave ka zbritur në qytete.
Veçanërisht në Jug të Shqipërisë, në fshat e kryesisht në zonat kodrinore e malore, jeton gati gjysma e popullsisë. Zhvillimi urban në qytete ka sjellë për pasojë një prapambetje e lënie pas dore të zonave rurale. Për t´i dhënë një mbështetje dhe dhe nxitje zhvillimit në këto zona, me fillimin e vitit 2008 është fokusuar një projekt i Bashkimit Evropian, që synon rritjen e kapaciteteve, krijimin e mundësive për çelje biznesi të vogël, ndërtim të infrastrukturës etj. Në kuadër të këtij projekti në Gjirokastër, një nga pesë qytetet pilot është ngritur dhe një forum për zhvillimin e zonave malore, me përfaqësues të OJQ-ve, të fermerëve, të biznesmenëve, të përfaqësuesve të pushtetit vendor etj. Kryetari dhomës rajonale të biznesit në Gjirokastër Mustafa Devolli vë në dukje, se ka nisur organizimi dhe ngritja e bizneseve të vogla edhe në këto zona e në këtë kohë.
Në zonat malore është e zhvilluar edhe puna artizanale, e sidomos ajo e përpunimit të leshit, e blegtorisë, e përpunimit të drurit si dhe e punimeve në gur . Lindita Luzi drejtuese e rrjetit të shoqatave të artizanatit pohon se projekti është një mundësi optimale për të ngritur ekonomitë e vogla familjare.
Zhvillimi zonave malore vlerësohet prej analistëve si një nga sfidat e vështira por jo të pamundura për zhvillimin e shoqërisë shqiptare e integrimin e saj në rrjedhat e zhvillimit evropian.