1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Progres-raporti i Komisionit Evropian

Shumë analistë në Shqipëri janë skeptikë rreth anëtarësimit në BE. Politologu Blendi Kajsiu, thotë për DW se problemi i shqiptarëve s'është hyrja në BE, por problemet e shumta ekonomike, sociale dhe politike.

default

DW: Pas pak javësh Komisioni Evropian do të publikojë progres-raportin për Shqipërinë. Si e gjykoni situatën?

Kajsiu: Situata aktuale politike në Shqipëri i ngjan në fakt edhe asaj ekonomike dhe sociale dhe mendoj se karakterizohet nga stanjacioni, si tipari i saj kryesor. Pak a shumë të dyja palët vazhdojnë debatin midis tyre rreth çështjeve, që nuk besoj se kanë impakt apo interes në publikun e gjerë, siç është çështja e shumëpërfolur e imunitetit.

DW: Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare, që të implementojë tërësisht marrëveshjen e nëntorit 2011. Në këndvështrimin tuaj, a ekziston vullneti i duhur politik për ta arritur këtë?

Kajsiu: Këtë e kam vështirë ta them, nëse ekziston vullneti apo jo, pasi mendoj që të dyja palët e përdorin politikisht integrimin evropian në funksion të objektivave të veta politike. Çka do të thotë se kur njëra palë ofron vullnet, pala tjetër e pengon atë e kështu me radhë. Por mendoj se problemi nuk është thjesht çështja e progres-raportit, apo e integrimit evropian, apo përplasja mes dy palëve, pra PD dhe PS. Mendoj se këto janë probleme shumë të vogla dhe simptoma të një problemi shumë më të madh, që shpesh nuk vihet re as nga Bashkimi Evropian dhe as nga klasa jonë politike. Problemi themelor mendoj se është ai i përfaqësimit, që është diskutuar shpesh edhe në mediat shqiptare. Pra mendoj që problemi themelor mbetet paaftësia e klasës politike, e partive politike, dhe e sistemit qeverisës për të artikuluar dhe për t´iu përgjigjur shqetësimeve, apo interesave publike. Pra, më konkretisht, debati publik, që ekziston sot në sferën publike shqiptare, mes klasës tonë politike, mes Bashkimit Evropian dhe elitës mediatike është një debat, që është gjithnjë e më i shkëputur nga problematika shqiptare, që ka të bëjë që me problemet ekonomike, papunësinë, problemet sociale e kështu me radhë.

DW: Sipas këndvështrimit tuaj, si ka ecur Shqipëria në rrugën e saj drejt anëtarësimit, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, shumica e të cilëve e kanë marrë statusin?

Politologu Blendi Kajsiu

Politologu Blendi Kajsiu

Kajsiu: Fakti, që në jemi shumë mbrapa në marrjen e statusit, do të thotë që ne jemi shumë pas vendeve të tjera. Por çështja nuk shtrohet, kur dhe si do ta marrë Shqipëria statusin, sepse Shqipëria mund ta marrë statusin që nesër dhe këto janë formalitete dhe asgjë mos të ndryshojë realisht. Ashtu sikurse është fakt, që vende si Bullgaria dhe Rumania janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por kjo jo domosdoshmërisht e ka zgjidhur të gjithë problematikën e tyre të brendshme. Pa përmendur edhe vende si Hungaria, që janë anëtarë edhe më të hershëm, që sot kanë dhe probleme të mëdha të brendshme me demokracinë. Pra, integrimi ose anëtarësimi në Evropë nuk mund dhe nuk duhet të merret domosdoshmërisht si matës i zhvillimeve demokratike, aq më pak mund të përbëjë ai zgjidhjen perfekte dhe tërësore të problematikës shqiptare. Sepse problemi në diskutimin tonë publik, si nga ndërkombëtarët, Bashkimi Evropian, si nga klasa politike lokale, është ideja që me të marrë statusin, me t´u anëtarësuar, problematika shqiptare do zgjidhet. Problemet në Shqipëri mund dhe duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët dhe duke u fokusuar fillimisht jo tek formalitetet, pra jo thjesht tek kopjimi i legjislacionit nga Evropa, jo thjesht tek firmosja ose jo e një marrëveshjeje, por duke u fokusuar tek problemet themelore qendrore, që fillojnë që nga arsimi, papunësia, zhvillimi ekonomik, e kështu me radhë.

Statusi është një formalitet, që shpesh jepet për arsye gjeo-politike, sepse nëse zgjatet shumë mosdhënia, humbet ajo karroca e integrimit, pra ka shumë faktorë, se pse jepet ose nuk jepet statusi. Dhe si i tillë, statusi në vetvete nuk është pikë referimi apo suksesi, siç po përdoret si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga klasa jonë politike. Pikë referimi duhet të jenë zhvillimet e brendshme, pra nëse kemi realisht demokraci të fuqizuar apo jo sot në Shqipëri. Nëse demokracia sot funksionon, është diçka e mirë ne vetvete dhe jo në funksion të marrjes së statusit, pra ne nuk duhet të demokratizohemi, që të bëhemi pjesë e BE-së. Edhe nëqoftëse merret nesër statusi, sot në Shqipëri problem themelor ngelet kriza e përfaqësimit. Ne kemi një sistem mediatik, i cili merret më shumë me artikulimin e problemit të aktorëve, që financojnë mediat dhe shumë më pak me reflektimin e problemeve, që ka shoqëria shqiptare. Mediat e shkruara sot jo vetëm që kanë lexueshmëri të ulët, por shpesh nuk mbulojnë fare se çfarë ndodh në fshatin shqiptar, në mbi 50% të popullatës. Kemi parti politike, që funksionojnë në mënyrë klienteliste, për të ushqyer anëtarët dhe lidershipin e vet dhe jo për të zgjidhur problemet strukturore të shoqërisë. Mjafton të shikoni se çfarë po ndodh me sistemin e edukimit dhe atë arsimor, nga universitetet e deri tek kopshtet për ta kuptuar këtë. Problematika shqiptare nuk duhet të reduktohet vetëm tek çështja e statusit. Dhe çështja e statusit shpesh përdoret për t´i ikur kësaj problematike.