1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Progres fillestar në bisedimet Kosovë-Serbi

14 Mars 2011

Optimizëm në Bruksel. Kryetarët e dy delegacioneve, atij shqiptar edhe serb kanë vlerësuar pozitivisht hapat e para të dialogut. Takime të tjera do të vazhdojnë në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/10Weo
Pamje simbolike e flamurit shqiptar dhe serbFotografi: AP/Montage DW

Në bisedimet e para që prej tre vjetësh mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur disa suksese. "Ka një marrëveshje për një takim të dytë së shpejti", tha një diplomat i BE-së. BE konfirmoi "atmosferën konstruktive dhe të përzemërt" në bisedime. Të dyja palët janë mjaft të angazhuara për dialogun. Raundi tjetër i dialogut pritet të zhvillohet nga fundi i marsit, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Me tone pozitive foli edhe kryesuesi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic, të mërkurën në Bruksel pas bisedimesh gjashtëorëshe, pa përmendur hollësitë. "Është hera e parë që pas shumë vitesh patëm shansin të uleshim ballë për ballë prej nga dolën disa propozime vërtet konstruktive", tha Stefanovic.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Borislav Stefanovic, kryetar i delegacionit serbFotografi: DW

Edhe drejtuesja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, foli për një takim konstruktiv. "Jam optimiste" tha zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Ndërsa nënsekretari amerikan i shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Thomas Countryman u shpreh se "është një dialog dhe jo një negociim. Kjo nënkupton që të flasim me njëri-tjetrin për çështje mjaft praktike që do ta bënin më të mirë jetën për këdo në Kosovë", tha Countryman.

Feith: Takohen dy shtete sovrane

Çështjet, për të cilat u bisedua, ishin qarkullimi ajror, telekommunikacioni, kadastrat, regjistrat e gjendjes civile, si dhe vulat doganore - probleme praktike këto, që ua vështirësojnë jetën njerëzve në të dyja vendet.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Edita Tahiri, zëvendëskryeministre e KosovësFotografi: DW

Lidhur me hapjen e bisedimeve për statusin ka dy qëndrime të kundërta: Nëse Serbia dëshiron të bisedohet edhe një herë për statusin kushtetues të Kosovës të banuar me shumicë shqiptare, Kosova e refuzon këtë kategorikisht. I ngarkuari ndërkombëtar për Kosovën, Pieter Feith, e mbështeti këtë pozicion. Në tryezën e bisedimeve në Bruksel ndodhen "dy shtete të pavaruara dhe sovrane", tha ai të mërkurën (09.03.2011) në Prishtinë.

Bisedimet e filluara kanë hapur vetëm siparin për dialogun që do të vazhdojë. Është planifikuar që bisedimet të zhvillohen çdo muaj. Në takimet e tjera pritet të bisedohet edhe për gjendjen në veriun e Kosovës, i cili ende nuk është nën kontrollin e institucioneve të Kosovës. Takimi në Bruksel u realizua me ndërmjetësimin e BE-së.

Autor: L.Arapi /A. Verbica (dpa, afp)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora