1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aussenhandel AHK

19 Gusht 2009

Eksporti është dhe mbetet për Gjermaninë nxitësi i mirëqënies. Kur mallrat gjermane shiten mirë në vendet e tjera, atëherë ekonomia gjallërohet dhe papunësia bie. E kundërta ndodh në raste krizash.

https://p.dw.com/p/JE4O
Prognoza e tregtisë së jashtme gjermane flet për rritje eksportesh. Ne foto: nje punetor mban nje pllake metalike ne dore dhe kalon para Rajshtagut ne Berlin (flamuri ne sfond)
Prognoza e tregtisë së jashtme gjermane flet për rritje eksporteshFotografi: picture-Alliance/dpa

Eksporti është dhe mbetet për Gjermaninë nxitësi i mirëqënies. Kur mallrat gjermane shiten mirë në vendet e tjera, atëherë ekonomia gjallërohet dhe papunësia bie. E kundërta ndodh në raste krizash. Gjermania preket shumë prej tyre, sepse tregtia botërore është në rënie dhe bashkë me të edhe eksportet gjermane.

Kemi të bëjmë me një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë thotë se firmat gjermane janë duke shitur sërish mallra në vendet e tjera. Eksportet janë duke e marrë veten, megjithëse ngadalë dhe me zvarritje. Për vitin 2010 Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë pret rritje katër përqind të eksporteve. Kjo rritje fillon nga një nivel shumë i ulët. Sepse këtë vit, dhe tani jemi tek lajmi i keq, eksportet kanë rënë me 17 përqind. Në shifra absolute kjo përbën një minus në vlerën e 170 miliardë eurove. Në këtë rezultat nuk sjellin shumë ndryshime edhe shifrat pozitive të shitjeve aktuale, siç thotë edhe shefi i ekspertëve të DIHK, Axel Nitschke. Rekordi i rënieve të eksporteve në fillim të vitit ka qenë kaq i madh, saqë mund të thuhet se ekonomia gjermane ka përpara një rrugë të vështirë.

"Vlerat në tremujorin e dytë sollën të papritura pozitive. Pra dalja nga nivelet e ulta filloi të zhvillohej më shpejt se në fushat e tjera dhe më shpejt se sa mendonim ne. Nëse për vitin e ardhshëm shpresojmë që të kemi rritje pozitive prej 4 përqind, atëherë themi qartë se asgjë nuk vjen nga hiçi."

Prognozat e DIHK bazohen nga të dhënat e Dhomave të Tregtisë së jashtme në mbi 80 vende. Optimizëm të veçantë shprehin Dhomat në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë. Në këto rajone ku ndodhën edhe rëniet më të mëdha të tregtisë në fillim të vitit, pritet sipas pikëpamjes gjermane, që bizneset të zhvillohen vitin e ardhshëm më mirë. Kjo i jep shpresa firmave gjermane, sepse rreth 65 përqind e eksporteve gjermane shkojnë në vendet e BE-së. Përveç BE-së, mallrat "made in Germany" kërkohen kryesisht në SHBA dhe në Kinë.

"Edhe në SHBA, megjithë rreziqet që ekzistojnë ka arsye për të shpresuar për rritjen e eksporteve gjermane. SHBA pritet të kthehet nga një"fëmijë i vështirë", për shkak se vlerësohet si shkaktare e krizës, në shpresëdhënës për eksportet gjermane. Eksportet gjermane mbështeten edhe nga kërkesat e mëdha në Kinë. Megjithë periudhën e krizës, ekonomia kineze pritet të rritet këtë vit dhe vitin e ardhshëm, me 7 përqind."

Nga kjo përfitojnë kryesisht industria e prodhimit të makinerive. Rreth 25 përqind e të gjitha eksporteve gjermane në Kinë vijnë nga ky sektor. Bizneset gjermane në Rusi, nuk zhvillohen aq mirë sa në Kinë. Rënia e eksporteve, thotë Shefi i tregtisë me jashtë të DIHK Axel Nitschke, është shumë më e madhe se mesatarja.

"Duke qenë qendra e ekonomisë së Evropës lindore, Rusia vuan më shumë se vendet e tjera nga kriza ekonomike. Blerjet e pakta të lëndëve të para, papunësia e madhe dhe kushtet e keqësuara shumë të kredidhënieve për financimin e importeve, kanë goditur rëndë tregtinë e jashtme me Gjermaninë. Ne mendojmë se rënia e eksporteve me Rusinë këtë vit do të jetë mbi një të tretat, por duke u mbështetur edhe në pohimet e Dhomës rusë të Tregtisë me jashtë, mendojmë se ekportet gjermane në Rusi do të rriten me 10 përqind."

Në krahasim me vendet e tjera, bizneset gjermane zhvillohen mirë me Brazilin, Lindjen e Mesme dhe të Afërme si dhe me Afrikën. Në këto rajone ka patur rënie të ekspoteve gjermane, por kuotat e eksporteve kanë vazhduar të mbeten mbi mesataren. Në përgjithësi gjendja e firmave eksportuese gjermane do të varet nga zhvillimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore dhe nga kursi i këmbimit të monedhës evropiane. Nëse Euroja bëhet më e fortë, atëherë ajo mund të shkaktojë efekte negative. Sepse kjo to të rriste çmimin e mallrave gjermane në vendet jashtë zonës së Euros dhe do të ulte kërkesat.

Autor: Sabine Kinkartz/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi