1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Proceset e Nurembergut i shërbyen së drejtës ndërkombëtare

Proceset gjyqësore të Nurembergut, në të cilat dolën para gjyqit udhëheqësit nazistë ushtruan ndikim të madh në të drejtën ndërkombëtare. Ato bazohen në Kartën e Londrës, e cila u nënshkrua nga aleatët në 8 gusht 1945.

Nürnberg Proces

Eksponenti nazist Rudolf Heß në bankën e të akuzuarit

Si bazë për proceset gjyqësore të Nurembergut shërbeu një marrëveshje vizionare e së drejtës ndërkombëtare (Karta e Londrës), e cila përcaktoi rregulloren e procesit për gjykatat ushtarake ndërkombëtare dhe amerikane, të ngritura posaçërisht për proceset e Nurembergut. Karta e Londrës u nënshkrua në 8 gusht 1945 - saktësisht 70 vjet më parë.

Më 24 nëntor 1945, në Nuremberg, një qytet që pak muaj më parë qe shpallur si "90 përqind i vdekur", 22 burra hynë në Pallatin e Drejtësisë. Ata i kishin nxjerrë para gjyqit për krime, të cilat nuk qenë kryer kurrë më parë. Burrat ishin pjesë e asaj e klike drejtuese që kishte mbetur nga udhëheqja naziste dhe i patën kaluar muajt e mëparshëm të burgosur në një kështjellë në Luksemburg. Ata nuk e dinin se çfarë i priste.

Kreu i kopesë midis tyre ishte Hermann Göring, ish- Presidenti i Rajshtagut, kryekomandant i Flotës Luftarake Ajrore gjermane dhe pasardhës i mundshëm në post i Adolf Hitlerit. Në korrik 1945, në një konferencë shtypi, kur e pyetën, nëse e dinte që ndodhej në listën e kriminelëve të luftës, Göringu u përgjigj:"Jo. Kjo pyetje më habit, sepse nuk e marr dot me mend se pse mund të ndodhesha në një listë të tillë."

Göringu nuk kishte idenë për procesin e jashtëzakonshëm e të komplikuar gjyqësor, pjesë e të cilit do të bëhej. Për procesin gjyqësor do të ishte e nevojshme që të hartoheshin nga e para bazat, pikat e aktakuzës dhe dënimet. Ndërtimi i tyre i ngjante pak ndërtimit të një rrjeti të energjisë, ujit dhe ujërave të zeza në Gjermani, punë të cilën aleatët duhet ta nisnin nga zero. Diçka të ngjashme me këto procese gjyqësore nuk kishte pasur kurrë.

Nürnberger Prozess 1946

Proceset e Nurembergut

Një hap gjigand për gjyqësinë ndërkombëtare

Proceset e Nurembergut dhe Karta e Londrës qenë me rëndësi të madhe vizionare, thotë Lauri Mäksoo, profesore e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tartu-së në Estoni. "Nuk ekziston gjë më e rëndësishme në këtë fushë", i tha Mäksoo DW. "Ndikimi për mënyrën si përkufizohen krimet ndërkombëtare ishte gjigand - këtu praktikisht u shpik për herë të parë koncepti "krime kundër njerëzimit".

Karta e Londrës ishte rezultat i negociatave të vështira dhe kaotike gjashtëjavëshe, të cilat pas fitores së aleatëve u zhvilluan në një tavolinë katrore në Londër. Forma katrore e tryezës ishte e detyrueshme, në mënyrë që të katra fuqitë aleate të kishin mundësi të dërgonin një numër të barabartë përfaqësuesish në delegacion, shkruajnë Ann dhe John Tusa për proceset e Nurembergut në librin "The Nuremberg Trial".

NO FLASH Nürnberger Kriegsverbrecher Prozess Hermann Göring

I piketuari për të marrë postin e Hitlerit dhe ish-president i Rajshtagut, Hermann Göring në gjyq

Britanikët qenë mikpritësit dhe i udhëhiqnin negociatat, por nuk kishte asnjë dyshim se cila nga katër fuqitë i nxiste të gjitha - SHBA ishin ato që patën idenë për t'i nxjerrë para gjyqit drejtuesit nazistë. Amerikani Robert Jackson ishte prokurori drejtues në proceset e Nuembergut. Ai dhe homologu i tij rus, gjenerali Iona Nikitçenko, i cili ishte gjykatës në proces, u përfshinë shpesh në mosmarrëveshje juridike, që avancuan në grindje. Të dyja palët e akuzonin njëra-tjetrën për synime keqdashëse.

Ideali dhe realiteti

Në fund të negociatave në Londër u ra dakord për katër pika të aktakuzës kundër 22 kriminelëve nazistë: krime kundër paqes, plan i përbashkët ose komplot, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Jackson kërkoi edhe që lufta të përkufizohet si krim universal dhe që bazat e hedhura në Nuremberg të vlenin më vonë për të gjitha palët. Por ëndrra e tij nuk u plotësua: Nurembergu mbeti një gjyq krejtësisht ushtarak, i cili u ngrit posaçërisht për të dënuar regjimin nazist.