1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Proces në Libi i djalit të arrestuar të Gaddafi-t, Saif al-Islam?

20 Nëntor 2011

Klani Gaddafi në Libi tani i përket historisë. Forcat e sigurimit arrestuan në jug të vendit të birin e preferuar të sundimtarit të vrarë Gaddafi. Por 39-vjeçari Saif al-Islam nuk do të japë llogari në Hagë.

https://p.dw.com/p/13Dii
Në foto, Saif Al Islam Gaddafi dikur...
Në foto, Saif Al Islam Gaddafi dikur...Fotografi: picture-alliance/dpa

Udhëheqja e re në Libi nuk do t'ja dorëzojë Gjykatës Ndërkombëtare Penale djalin e arrestuar të ish dikatorit Gaddafi, Saif al-Islam, por do ta bëjë vetë procesin gjyqsor kundër tij. Kryeministri Abdulrahim Al-Kib tha se Saif do të marrë një gjykim të drejtë. Gjykata e Lartë Penale në Hagë gjatë kryengritjes kundër regjimit të Gaddafit kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj Saifit dhe babait të tij Muammara al -Gaddafi, për shkak të krimeve kundër njerëzimit.

Saif al-Islam, djali më i njohur i Gaddafit u arrestua në jug të Libisë të shtunën (19.11.). Arrestimi i Saif al-Islamit filloi menjëherë të festohet në mbarë Libinë sepse kjo do të thoshtet se është nxjerrë jashtë veprimit edhe anëtari i fundit i rëndësishëm i regjimit të vjetër libian. Hossam al-Gheriani nga Zyra për Informim e Qeverisë kalimtare libiane:

"Janë lajme fantastike, të papritura! Ai ndoshta edhe nuk ka qenë aq i rrezikshëm si disa të tjerë, por ai megjithatë ishte një pengesë prandaj ky është një moment triumfues për të gjithë libianët."

Në mënyrë të përsëritur në javët e fundit u tha se Saif al-Islam al-Gadafi mund të jetë në gjendje për të organizuar një rezistencë të armatosur kundër pushtetmabjëtsve të ri të vendit. Ose nga ilegaliteti në Libi apo nga ndonjëri prej vendeve fqinje si Nigeri, Algjeria dhe Sudani.

Saif al-Islam anëtari më i rëndësishëm i regjimit të vjetër

Edhe më herët qysh gjatë luftimeve në mes të revolucionarëve dhe mbështetsve të regjimit ishte njoftuar për arrestimin e Saif al-Islam al-Gadafit. Dhe papritmas ai ishte shfaqur sërish para grupit të gazetarëve ndërkombëtar për të dhënë intervista dhe për tu zhdukur përsëri. Siç duket në Sirte në vendlindjen e babait të tij. Dyshohet se ai ka qenë i përfshirë në luftimet e zhvilluara në këtë qytet por ka arritur të shpëtojë për dallim nga babai i tij Muammar al Gaddafi i cili i vra në Sirte në rrethana të pasqaruara. Rregullisht thuhej se ai do të përpiqet të arratiset për në Nigeri, Çad apo Sudan. Ai ishte anëtari më i rëndësishëm i regjimit të vjetër. Në muajt e fillimit të revolucionit në Libi ai ishte kthyer në zëdhënës të babait të tij.

Sipas Hossam al-Gheriani dihet që libianët duan ta shohin atë në bankën e të akuzuarëve. "Ne e duam atë të gjallë, kësaj radhe nuk duam të gabojmë - dhe ne duam përgjigje nga ai. Sepse ai është një prej pak njerëzve që është në gjendje të japë përgjigje për pyetjet që ka bota."

Saif al-Islam kërkohej nga Gjykata e lartë ndërkombëtare për shkak të akuzave për krime lufte. Por tani janë të paktë ata që besojnë se ai do të ekstradohet me të vërtetë në Hagë. Shumica e libianëve duan ta shohin atë para gjyqit, por në Libi.

Autor: Björn Blaschke / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi