1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Probleme gjuhësore tek mjekët e huaj

Justyna Bronska /Auron Dodi10 Mars 2014

Rreth 2500 vende pune për mjekë në spitalet gjermane janë bosh. Prandaj këtu janë të mirëpritur mjekët nga bota e jashtme. Por jo të gjithë flasin mirë gjermanisht, kur nisin punën.

https://p.dw.com/p/1BMWu
Pavel Zonca, mjek nga Wesselingu
Fotografi: DW/J. Bronska

Dr. Pavel Zonca po operon gurët në tëmthin e një pacienteje. Pranë tij janë një infermiere dhe një anestezist. Pas një gjysmë ore operacioni ka përfunduar. Zonca nuk ka thënë më tepër se dhjetë fjalë. Kur gjithçka shkon mirë, mjekut nuk i duhet të flasë shumë në operacion. Sepse këtu kërkohen njohuritë profesionale të tij.

Por Zonca nuk rri vetëm në sallën e operacionit. Ai viziton pacientët, zhvillon me ta biseda sqaruese, shkruan letra mjeku dhe dëshmi. Njohuritë e mira gjuhësore pikërisht pë profesionin e tij duhet të jenë të vetëkuptueshme, këtë kirurgu nga Çekia e di. "Por ka edhe aspekte të tjera të rëndësishme. Këtu bëjnë pjesë empatia dhe njohuritë profesionale. Dhe të gjitha këto së bashku e bëjnë mjekun e mirë", shton Zonca me besim në vetvete.

Mjeku duhet t'i kuptojë pacientët

Sot Zonca mund të kuptohet pa probleme me pacientët e tij. Kur shtatë vjet më parë ai gjeti një vend pune në spitalin e Wesselingut pranë Këlnit, gjermanishtja e tij ende çalonte. Diagnozën për pacientin ai e bënte si duhet. Kur nuk arrinte të shpjegohej saktë, ai merrte një laps dhe ia shpjegonte pacientit teknikën sipas së cilës do të veprohej në operacion. Shefi i pati thënë kur e mori në punë "pika më e rëndësishme është që unë të punoj mirë nga ana profesionale."

Në Gjermani ka mungesë mjekësh. Sipas të dhënave të Shoqërisë Gjermane të Spitaleve, rreth 2500 vende mjekësh janë bosh në spitale. Prandaj mirëpritet ardhja e mjekëve nga bota e jashtme. Brenda 10 vjetësh numri i tyre është dyfishuar. 32.458 mjekë me rrënjë të huaja qenë punësuar në Gjermani në vitin 2012, bën të ditur Dhoma Federale e Mjekëve. Gati një ndër dhjetë mjekë janë nga bota e jashtme. Dy të tretat e tyre janë nga shtetet e BE. Numrin më të madh të të huajve e përbëjnë mjekët nga Rumania, të pasuar nga Greqia.

Kërkesa të ndryshme për gjuhën

Në parim, ata nuk duhet të kenë vështirësi me gjuhën, sepse kjo kërkohet nga Rregullorja Federale e Mjekëve në Gjermani, në paragrafin 3 të rregullores. Por kërkesat për njohuritë gjuhësore ndryshojnë nga landi në land. Në landet e Saksonisë dhe të Saksonisë së Poshtme mjafton një çertifikatë gjuhësore në nivelin B2. Në Tyringen, në Baden-Vyrttemberg dhe në Rajnland-Pfalc ka kërkesa më të larta. Mjeku i huaj duhet të bëjë një provim për gjuhën e profesionit.

Edhe landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë po e ndjek këtë traditë. Deri tani ky land ka qenë "relativisht i hapur, liberal dhe bujar" përsa i përket nivelit të njohurive gjuhësore. Shkak i mundshëm për këtë është se në Renaninë Veriore-Vestfali, nevoja për mjekë është më e madhja në Gjermani. Por që prej fillimit të vitit, njohuritë e gjermanishtes kontrollohen më rreptësisht se më parë. Përpara se të pranohet për provimin e njohurive profesionale, mjeku i huaj duhet të paraqesë edhe në këtë land çertifikatën për nivelin B2 të njohurive.

Pacientët e Zoncas nuk kanë problem që ai është i huaj. "Nga ana profesionale ata janë kompetentë, njësoj si mjekët tanë. Nëse nuk bëhet ndryshe, atëherë ata duhet të flasin me këmbë dhe me duar. Kur unë kam ndiesinë se ai më kupton, gjithçka është në rregull", thotë Karin Herbrandt, e cila sapo është operuar.