1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe zgjedhjet në Serbi

Marina Maksimovic/Bahri Cani13 Mars 2014

Brukseli pret zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa nga qeveria e re pritet të vazhdojë procesin e reformave dhe dialogun me Prishtinën.

https://p.dw.com/p/1BOyb
Fotografi: DW/I. Petrović

Bashkimi Evropian në parim nuk i komenton zgjedhjet, të cilat mbahen "sipas standardeve dhe procedurave demokratike", si në vendet partnere ashtu edhe në ato, që janë kandidate për anëtarësim. Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, diplomatët në Bruksel flasin vetëm për pritjet nga këto zgjedhje.

„Me rëndësi është që zgjedhjet të përgatiten mirë, që procesi zgjedhor të kalojë mirë dhe që shumë shpejt të vazhdojnë punët e filluara nga qeveria e deritanishme, në mënyrë që të vazhdohet edhe me procesin e afrimit të Serbisë me BE. Nga Serbia presim që të mos largohet nga reformat dhe që të vazhdojë procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, në veçanti kur bëhet fjalë për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel", thotë për Deutsche Wellen zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Peter Stano.

Në Komisariatin për Zgjerim theksojnë faktin se gjatë tërë kohës së fushatës parazgjedhore nuk është ndërprerë puna e grupeve teknike të Serbisë dhe BE. Në këtë kuadër mund të flitet për fillimin e suksesshëm të negociatave mes BE dhe Serbisë, sepse në shkurt dhe në mars janë mbajtur takime në nivelin e ekspertëve dhe ka vazhduar procesi i përcaktimit të detyrave, që duhen bërë.

Pritjet për realizimin e Marrëveshjes së Brukselit

Qarqet diplomatike në Bruksel thonë se rezultati i zgjedhjeve të 16 marsit pritet të jetë i qartë, që do të thotë konsolidim i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet. Ata thonë se kjo parti dikur nuk e ka mbështetur procesin e afrimit me BE. Por ndërkohë ka bërë "ndryshimin më të madh" dhe tani është e përkushtuar në procesin e anëtarësimit në BE.

„Partitë në Serbi po përpiqen t'i konsolidojnë pozicionet e tyre, ndaj BE-ja nuk është ndonjë temë e fuqishme në fushatë. Por jam e bindur se kjo rrugë do të vazhdojë", thotë për DW Rosa Balfur nga Qendra për Politikë Evropiane (EPC) në Bruksel. "Përveç vazhdimit të reformave, nga Serbia do të kërkohet edhe forcimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit dhe forcimi i organeve të drejtësisë. Megjithatë mendoj se vëmendja e opinoinit edhe më tej do të jetë e përqendruar tek dialogu me Prishtinën dhe zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, sepse prioriteti i Beogradit duhet të jetë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. BE dhe vendet anëtare do të përcjellin me vëmendje këtë proces, sepse 'kthim mbrapa' nuk mund të ketë", pohon Balfur.

Ndërrimi i bashkëbiseduesve në dialogun Beograd-Prishtinë?

Analistët në Bruksel thonë se në këtë moment dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është duke përparuar si duhet. Ata presin që ndërrimi i bashkëbiseduesve në Beograd, por edhe në Kosovë, mund të sjellë pengesa dhe ngecje të reja në këtë dialog. „Në fazën e parë do të ketë nevojë për njohjen më të mirë të bashkëbiseduesve dhe për rivendosjen e mirëbesimit. Por besoj se në pjesën e dytë të vitit 2014 gjërat do të lëvizin përpara. Ekziston mundësia që pas zgjedhjeve në Kosovë në qërshor e deri në fund të tetorit, sa zgjat mandati i Përfaqësueses së Lartë të BE, Chaterine Ashton, procesi i dialogut të përshpejtohet. Është shumë me rëndësi se kush do të jetë bashëbisedues, por nuk duhet harruar që këtu kemi edhe ekipe të tëra, që janë përfshirë në këtë proces. Nuk duhet të fokusohemi vetëm tek liderët, por do të ishte naive të besohet se nuk është me rëndësi kush e udhëheq këtë dialog, pohon Balfur.

Treffen Ashton, Thaci und Dacic
Fotografi: European External Action Service

Në Bruksel mendohet se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të japë rezultate pozitive në shtige të gjata. Analistët thonë se Beogradi dhe Prishtina nuk e kanë fare lehtë të arrijnë marrëveshje në këtë dialog, por ato janë të përkushtuar në procesin e afrimit me BE dhe kjo mundëson edhe tejkalimin e pengesave në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.