1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritet fillimi i punës nga gjykatat në veri te Mitrovicës

Bekim Shehu / Prishtinë1 Tetor 2008

Administratës së Kombeve të Bashkuara i kanë mbetur vetëm edhe tre muaj kohë që të zgjidhë shumë probleme në veri të Kosovës para së të përfundojë misionin.

https://p.dw.com/p/FSCv
Shefi i misionit ligjor të EULEX-it në Kosovë Yves de Kermabon takon një polic në Lubizde, 19 maj 2008
Shefi i misionit ligjor të EULEX-it në Kosovë Yves de Kermabon takon një polic në Lubizde, 19 maj 2008Fotografi: AP

Gjykatat në veri të Mitrovicës nisin punën me kapacitete të limituara. Fillimisht aty do të vendosen dy gjykatës ndërkombëtar të punësuar në UNMIK, ndërsa më vonë atyre pritet tu bashkohen edhe gjykatës shqiptarë dhe serbë. Zëvëndëshefi i UNMIK-ut David Harland, thotë se kthimi i rendit në gjykatat në veri të Mitrovicës do të zhvillohet në disa faza. "Në dhjetor do të fillojmë me fazën e dytë, ku do të sjellim në Mitrovicë gjykatës e prokurorë kosovarë, shqiptarë dhe serbë në mënyrë që deri në fund të vitit këto gjykata të jenë plotësisht funksionale", thotë David Harland.

UNMIK-u nuk konfirmon nëse rifunksionalizimi i gjykatave në veri të Mitrovicës është bërë me pajtimin e Beogradit. Njëra nga përfaqësueset e serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se shumë çështje që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës kërkojnë konsultime edhe me Beogradin, sepse vetëm në këtë mënyrë garantohet suksesi. "Është shumë e nevojshme një marrëveshje dhe janë të nevojshme konsultimet dhe bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Kjo për faktin që vetëm mbi këtë bazë mund të kërkohet zgjidhja e problemeve, siç janë gjykatat, doganat dhe shumë çështje të tjera", thotë Rada Trajkoviq.

Fillimi i punës në gjykatat në veri dhe angazhimi i UNMIK-ut për të kthyer kontrollin edhe në dy pikat doganore veriore me Serbinë janë mbështetur nga qeveria e Kosovës. Dy pikat doganore veriore të Kosovës me Serbinë u dogjën nga serbët lokal mënjehërë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zenun Pajaziti është ministër i rendit. "Ka ardhur momenti kur edhe serbët duhet ta kenë të qartë se për atë pjesë të vendit duhet të funksionojë rendi ligji. Jemi të bindur se qytetarët serb tashmë janë lodhur nga ky ambient ku kjo hapësirë më shumë është identifikuar me krim, sesa me jetë normale", thotë ministri Zenun Pajaziti.

Administratës së Kombeve të Bashkuara i kanë mbetur vetëm edhe tre muaj kohë që të zgjidhë shumë probleme në veri të Kosovës para së të përfundojë misionin. Mirëpo, asnjë nga zyrtarët e UNMIK-ut dhe ata të misionit të BE-së nuk janë të gjendje të thonë nëse procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut, i paraparë edhe në planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun, do të përfundojë sukseshëm. Misioni i ri i BE-së EULEX, do të duhej që deri në fund të vitit të marrë përgjegjësitë në fushën e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.