1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina u ndalon hyrjen disa ministrave të Serbisë

Bekim Shehu
26 Mars 2018

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe disa ministra serbë ndalohen të hyjnë në Kosovë.

https://p.dw.com/p/2v0y7
Serbien Kosovo Grenzübergang
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, Behxhet Pacolli, u ka refuzuar hyrjen në Kosovë tre zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë, shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ministrit të Mbrojtjes Aleksandër Vulin, ministrit të Brendshëm Nebojsha Stefanoviç, sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Sellakoviq, ndërsa, në kufirin Kosovë serbi nuk u lejua të hyjë as ministri serb i Kulturës, Vladan Vukosavleviç. Zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës thanë se vendimi që zyrtarëve serbë të mos u lejohet hyrja në Kosovë, bazohet në faktin që "zyrtarët serbë nuk u janë përmbajtur udhëzimeve, që gjatë vizitave në Kosovë të shmangin deklaratat nxitëse”.

Kosovo-Außenminister Behxhet Pacolli
Behxhet PacolliFotografi: DW/Bekim Shehu

Zyrtarët e lartë serbë planifikonin të qëndronin në Kosovë sot (26.03.) dhe të merrin pjesë në aktivitete të ndryshme dhe në një debat me qytetarët serbë në veri të Kosovës. Zyrtarët serbë kanë deklaruar se pavarësisht vendimit të Prishtinës zyrtare do të hyjnë në Kosovë dhe nuk do të mund t'i ndalë askush. Mirëpo ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se "kush do që të hyjë në mënyrë ilegale në Kosovë do të arrestohet”. "Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriq dhe as Vulin. Kushdo që futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!”, shkroi në profilin e tij ministri i Jashtëm kosovar Behxhet Pacolli.

Forca shtesë në kufirin verior të Kosovës

Policia e Kosovës tashmë ka dërguar forca shtesë në veri të Kosovës për të penguar "përpjekjet e zyrtarëve serbë që të hyjnë në Kosovë pa lejen e autoriteteve të Prishtinës”. Policia e Kosovës ktheu mbrapsht edhe ministrin e Kulturës në qeverinë serbe Vladan Vukosavleviç, i cili tentoi që të hynte në Kosovë nga pika kufitare Jarinje. Mediet serbe citojnë ministrin Vukosavlevic të ketë thënë se "kjo nuk e ndihmon zgjidhjen e situatës".

Policia e Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës tha se ata do të veprojnë sipas urdhrit për të mos lejuar sot hyrjen në Kosovë të zyrtarëve serbë.

Kosovo Serbien Grenze
Fotografi: Carsten Koall/Getty Images

Qeveria e Kosovës u ndaloi hyrjen në Kosovë zyrtarëve të Serbisë, vetëm dy ditë pas takimit në Bruksel të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuciq, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. Në këtë takim nuk qe folur për vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, ka kohë që ka paralajmëruar një dialog brenda Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës, ku po zhvillon vizita në komuna të ndryshme te Serbisë. Autoritetet e Prishtinës thonë se ky dialog mund të zhvillohet në Serbi, ndërsa në Kosovë nuk e shohin të nevojshme që autoritetet e Serbisë të dialogojnë me serbët e Kosovës nëpër komunat ku ata janë shumicë.