1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtina: i padrejtë hezitimi i BE për lëvizjen pa viza

Këshilli i Bashkimit Evropian nuk i dha dritën jeshile procesit të përfshirjes së Kosovës në liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Kjo e ka dëshpëruar tej mase qeverinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka reaguar ashpër pas publikimit të dokumentit në Bruksel mbi rezultatet e paketës së zgjerimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian, që nuk i dha dritën jeshile procesit të përfshirjes së Kosovës në liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Në përfundimet e pakos së zgjerimit dhe stabilizim asociimit, Këshilli i Bashkimit Evropian nënvizon "rëndësinë e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave dhe e nxit Kosovën që të vazhdojë përpjekjet për të përparuar në këtë proces".

I menjëhershëm ka qenë reagimi (16.12)i qeverisë së Kosovës, e cila priste rekomandimin pozitiv gjithnjë duke shpresuar që në vitin 2016 qytetarëve të Kosovës do t'u mundësohej të udhëtimi pa viza në zonën Shengen. Kosova është i vetmi vend në rajon që ende ka regjim vizash për udhëtimet në vendet e BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se nuk ka arsye që BE-ja të mos japë rekomandim për liberalizim të vizave, pasi Kosova sipas tij i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. "Kriteret i kemi përmbushur. Vendimi është politik. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e MSA-së që është e rëndësishme, por nuk ka kuptim nëse qytetarët mbeten të izoluar, nëse bizneset tona mbeten të izoluar. Ai mbetet vetëm një dokument në letër nëse nuk zbatohet", tha kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se në demokraci nuk duhet të ketë standarde të dyfishta siç po ndodh me Kosovën. Kryeministri tha se ai e ka takuar menjëherë përfaqësuesin e BE-së në Kosovë Samuell Zhbogar, ku Zhbogar i ka thënë se "ky dokument nuk është përfundimtar dhe dokumenti i publikuar ka të bëjë me zgjerimin".

Më i ashpër në reagimin e tij ishte ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se Kosova ka kryer me përgjegjësi të gjitha kushtet dhe detyrat që i janë kërkuar ndërsa raporti hezitues i BE-së, ndaj Kosovës është i padrejtë. "Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE, madje edhe ato që i janë kërkuar më shumë se për vendet tjera. E kjo është meritë e institucioneve të Kosovës. Kosova ka kryer me përgjegjësinë më të lartë të gjitha kushtet dhe përgjegjësitë madje më shpejt e më mirë nga sa ka pritur BE-ja. Nuk duhet të ketë vetëm lidhje platonike mes Kosovës dhe BE-së. Është i padrejtë ky hezitim në raport me Kosovën për liberalizimin. Kjo vonesë nxit rrezikun nga ekstremizmi fetar e politik. Po nxit migrimin e qytetarëve të Kosovës në BE", tha ministri i Jashtëm Hashim Thaçi.

Shefi i diplomacisë kosovare, tha se kjo politikë e BE-së mund ta cënojë sigurinë në rajon, pasi mund të kërkohet dyshtetësia tek vendet fqinjë. "Secili qytetar i Kosovës mund të trokasë në dyert e vendeve fqinje dhe të kërkojë dyshtetësi. Serbët në Beograd, shqiptarët në Tiranë e në Shkup e pastaj. Kjo paraqet rrezik për sigurinë", tha Hashim Thaçi

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, ku qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012.