1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Obama pa strategji për Sirinë

Christina Bergmann / Auron Dodi11 Maj 2013

Përdorimi i "armëve kimike" nga qeveria siriane është "një vijë e kuqe" dhe do ta ndryshonte vlerësimin prej tij të gjendjes, pati deklaruar në gushtin e kaluar presidenti i SHBA, Obama. Një vërejtje e pakujdesshme.

https://p.dw.com/p/18Vsh
Fotografi: Getty Images

"Politikanët i pranojnë pa dëshirë gabimet", thotë Michael Singh, drejtor i Instititutit të Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Mesme, "por kjo deklaratë sigurisht që ishte një gabim". Sepse që të flasësh në radhë të parë për një vijë të kuqe, kapërcimi i së cilës mund të konfirmohet vetëm me vështirësi dhe së dyti që të stepesh përpara pasojave, kur ka të dhëna se kjo vijë është kaluar, hedh një dritë të keqe në këtë rast te presidenti dhe qeveria e SHBA-së. Ata shfaqen si të "pavendosur", thotë Singh, i cili ka qenë më parë anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe këshilltar i dy ministrave të jashtëm republikanë.

Prandaj qeveria përpiqet që të përcjellë një imazh unik. Jay Carney, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, deklaroi "Koncepti i "vijës së kuqe" u përdor me qëllim nga presidenti dhe bazohej në parimet e politikës së jashtme të SHBA-së." Dhe presidenti Obama, në konferencën e shtypit me presidenten e Koresë së Jugut i dha këtë javë këtë mësim një gazetari "Fjala vendimtare këtu është "të presupozuara" dhe unë thashë se kemi të dhëna që brenda Sirisë janë përdorur armë kimike, por unë nuk marr vendime në bazë informacionesh "të presupozuara" dhe mbi këtë bazë nuk ndërtoj dot as ndonjë koalicion ndërkombëtar."

Sekretari i shtetit John Kerry bisedon në Rusi me Vladimir Putin
Sekretari i shtetit John Kerry bisedon në Rusi me Vladimir PutinFotografi: Reuters

"Vijë e kuqe" pa pasoja

Por koncepti i "vijës së kuqe" i përdorur vitin e kaluar në një konferencë shtypi në gusht të vitit të kaluar pa dyshim që krijoi përshtypjen se amerikanët do të kalonin në një ndërhyrje ushtarake, në atë moment kur në Siri të përdoren armë kimike. Por përdorimi i trupave të këmbësorisë duket gjithsesi se nuk shtrohet për diskutim. Presidenti Obama i ka vënë vetes synim që t'i tërheqë në shtëpi ushtarët amerikanë. Pas Irakut dhe Afganistanit amerikanët janë të lodhur nga lufta. Në të gjitha anketimet e kohëve të fundit ata flasin në shumicë kundër një angazhimi në Siri.

Por pika më vendimtare: SHBA-ja nuk duket se ka ndonjë strategji për Sirinë, kritikon Michael Singh. Kjo në një kohë kur SHBA-ja ka interes që situata në Siri të mbetet nën kontroll dhe të mos rrezikojë vende si Jordania ose Libani si dhe në lartësitë Golan. Një konferencë ndërkombëtare pritet të tregojë tani rrugëdalje. Por nuk është e qartë se kush do të marrë pjesë në të dhe cili do të jetë objektivi i saj. Një strategji për Sirinë në plan ndërkombëtar nuk duket gjëkundi.