1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti kinez Hu Jintao tek ai amerikan Barack Obama

Vizita zyrtare synonte të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet kinezo-amerikane. Vërtet takimi i dy burrave të shtetit nuk solli rezultate të matshme, por megjithatë ai është një fillim i mirë.

default

Republika Popullore e Kinës shihet në Uashington për herë të parë jo më si një partner më i vogël. Vetëm për këtë fakt, ky takim i nivelit të lartë ka një natyrë të re dhe të ndryshëm nga katër vizitat e së kaluarës të kryetarëve kinezë të shtetit në SHBA. Këtë të enjte, qeveria e Pekinit bëri të ditur se produkti i brendshëm bruto i Kinës vitin e kaluar është rritur me 10,3 përqind - si gjithmonë më shumë se ç'kishin menduar ekonomistët dhe dy herë më shumë se sa kuota e rritjes së SHBA.

Me këtë Kina mund t'ia ketë kaluar Japonisë si kombi i dytë ekonomik në botë, megjithatë të dhënat e Tokios për zhvillimin ekonomik vjetor nuk janë paraqitur ende. Kur Hu Jintao e vizitoi Shtëpinë e Bardhë pesë vjet më parë, Kina ishte ende në vend të pestë në listën e fuqive ekonomike botërore. Vetëm këtë zhvillim të vrullshëm po të kesh parasysh, takimi i Hu-së me Obaman paraqet një kthesë. Sepse Hu-ja viziton një vend, qytetarët e të cilit së fundi e konsiderojnë në shumicën e tyre të mundur që SHBA të mbeten prapa Kinës në konkurencën globale.

Kështu që rëndësia e vërtetë e takimit të Husë dhe Obamas qëndron më tepër në menaxhimin psikologjik të kësaj marrëdhënieje të vështirë. Të dy kryetarët e shtetit i dërguan sinjale fuqie publikut në vendet e tyre dhe njëkohësisht u përpoqën që të qetësojnë frikërat në shtetet e njëri-tjetrit. Para takimit, të dyja palët e patën kritikuar qendrimin e njëri-tjetrit për politikën monetare dhe për të drejtat e njeriut - tani në Uashington Hu dhe Obama u përpoqën dukshëm të theksonin para së gjithash përbashkësitë.

Obama i qetësoi kinezët se SHBA nuk kanë ndërmend ta rrethojnë vendin e tyre dhe se nuk duan ta pengojnë rritjen ekonomike kineze. Njëkohësisht, presidenti i SHBA i vendosi demonstrativisht të drejtat e njeriut në plan të parë. Këtu Obama arriti një sukses të papritur: për herë të parë një udhëheqës shteti kinez pranoi se të drejtat e njeriut janë universale. Hu-ja tha se Kinës i duhet të bëjë në këtë drejtim ende detyra shtëpie. Ndërsa për një temë ekonomike mosmarrëveshjesh, siç është mbajtja nën vlerë e juanit kinez, Obama foli vetëm kalimthi.

Edhe për Hu Jintaon, vizita në Uashington ka rëndësi simbolike. Ai arriti që t'i qetësojë hë për hë ata që i hedhin ujë zjarrit në shtëpinë e tij. Ndikimi i tyre në rritje dhe shfaqja e tyre militante në politikën e jashtme kineze çoi vitin e kaluar në prishje të konsiderueshme të harmonisë në rajon dhe në marrëdhëniet e Kinës me SHBA. Përballë publikut të SHBA Hu-ja nuk foli as për politikën monetare të SHBA, që për kinezët është e papërgjegjshme. Edhe ankthin e Kinës për sigurinë e bondeve shtetërore kineze në SHBA, Hu-ja nuk e pëmendi në publik. Kina ka bonde në shumën rreth 900 miliardë dollarë, që e bëjnë Kinën borxhliun më të madh të SHBA.

Kaq shumë diplomaci tregon në të dyja palët një ndryshim qendrimi. Sigurisht, në tema komplekse grindjesh si politika monetare do të dalë shpejt në pah, nëse ka qenë gjithçka retorikë. Por mesazhi psikologjik i këtij takimi të nivelit të lartë është shumë i qartë: ne duam të afrohemi me njëri-tjetrin.

Autor: Adrienne Woltersdorf

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/1006R
  • Data 20.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/1006R