Presidenti i FIFA-s Blatter jep dorëheqjen
3 Qershor 2015Joseph Blatter dha më në fund dorëheqjen! Vetëm katër ditë pas rizgjedhjes për një mandat të pestë, zvicerani që ka ngjallur debate njoftoi në mënyrë sensacionale tërheqjen nga posti i tij si President. Pas 17 vjetësh në krye të organizatës, Blatteri formuloi fjalë që nuk priteshin: "Unë u mendova seriozisht për presidencën time dhe për 40 vjetët, në të cilët jeta ime ka qenë e lidhur në mënyrë të pandashme me FIFA-n dhe me këtë sport madhështor", tha Blatteri. Me zgjedhjen të premten e kaluar ai e mori edhe njëherë mandatin nga anëtarët e FIFA-s, por ai ka ndiesinë se nuk e ka mandatin e të gjithë botës futbollistike. "Prandaj unë vendosa që ta dorëzoj mandatin tim në një kongres të jashtëzakonshëm."
Pasardhësi i Blatterit si President i FIFA-s do të zgjidhet në një kongres të posaçëm të Shoqatës Botërore midis dhjetorit 2015 dhe marsit 2016. Këtë hapësirë kohore e përmendi Domenica Scala, nga FIFA pas deklaratës së Blatterit për dorëheqje. Në bazë të statuteve të FIFA-s duhen të paktën katër muaj për të përgatitur kongresin e zgjedhjeve. Kongresi i ardhshëm i rregullt i FIFA-s është parashikuar të mbahet vetëm në 12 dhe 13 maj 2016 në Mexiko-City. "Kjo do të sillte një vonesë të panevojshme", tha Blatteri.
Si një njeri i rrëzuar
Deri në mbledhjen e jashtëzakonshme të FIFA-s, Blatteri do të vazhdojë ta ushtrojë postin e tij. Scala, kryetari i Komisionit Compliance të FIFA-s do ta ndihmojë atë për vënien në jetë të reformave të nevojshme urgjentisht. "Unë ju luta Domenico Scalas që të mbikqyrë fillimin dhe zbatimin e kësaj dhe të masave të tjera", deklaroi Blatter. 79 vjeçari dukej relativisht i qetë kur e bëri deklaratën në gjuhën frënge. Por shpirti luftarak dhe gjendja shpirtërore si para një epoke të re që kishte të premten kur u rizgjodh nuk ndihej më asgjë. Me optimizëm donte të vazhdonte ai pavarësisht nga arrestimet dhe aktakuzat kundër funksionarëve të lartë të premten dhe u shpreh një ditë pas zgjedhjes madje edhe kundër Presidentit të UEFA-s, Michel Platini. Në këtë 2 qershor 2015 për t'u mbajtur mend, Blatteri dukej pak edhe si një njeri i rrëzuar.
Ky skandal, për të cilin zhvillon hetime para së gjithash drejtësia e SHBA e mbushi kupën. "Është shqetësimi im i madh për FIFA-n dhe interesat e saj, që më shtyjnë të marr këtë hap", tha Blatteri në fund të fjalimit të tij me siguri më të vështirë. "Unë e dua FIFA-n më shumë se çdo gjë tjetër dhe dua të bëj vetëm atë, që përshtatet më së miri me FIFA-n dhe me futbollin. Unë dua të falenderoj ata, që më kanë mbështetur gjithmonë në mënyrë konstruktive dhe besnike si President i FIFA-s", theksoi Blatteri. Në vitin 1998 e mori ai postin. Vendimi i tij ishte krejtësisht i papritur, megjithë acarimin e ri të ngjarjeve.
Jehonë pozitive
Platini e përshëndeti hapin e Blatterit. "Ishte një vendim i vështirë, një vendim i guximshëm dhe vendimi i duhur", deklaroi Platini në një deklaratë me shkrim. Në zgjedhjet e reja, francezi, që u konfirmua jo më larg se marsi në postin e tij si Presidenti i UEFA-s një kandidat i mundshëm për pasardhës.
"Ishte një vendim i arsyeshëm i Sepp Blatterit. Presioni u bë shumë i madh. Ai nuk do të kishte pasur kurrë qetësi, pavarësisht nëse ka apo jo faj për skandalet. Problemi i FIFA-s qëndron në sistemin e saj, " tha Franz Beckenbaueri. Edhe Princi Ali bin al-Hussein, konkurent i Blatterit të premten, e quajti vendimin e Blatterit "hapin e duhur". Tani fushata elektorale nis nga e para.