1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Horst Köhler deklaron se do të rikandidojë në 2009

Gräßler, Bernd (DW Berlin) 22 Maj 2008

Kancelarja e përshëndeti vendimin e presidentit për një mandat të dytë. Socialdemokratët ndonëse e pranojnë presidentin Köhler edhe për një mandat të dytë pritet që të paraqesin kandidaten e tyre.

https://p.dw.com/p/E4ZO
Presidenti Horst Köhler deklaron rikandimin në një konferencë shtypi në selinë presidenciale në Berlin, 22 maj 2008Fotografi: AP

Në një konferencë shtypi në selinë presidenciale në kështjellën Bellevue në Berlin Köhler deklaroi: "Unë kam vendosur të rikandidoj për postin e presidentit vititn e ardhshëm. Një vit përpara Asamblesë Federale duhet të vendoset qartësi për këtë çështje. Sot unë po i përmbahem premtimit tim."


Por nëse Köhler do të bëhet sërish president, kjo është krejtësisht e hapur. Në vitin 2004 Unioni kristiandemokrat/kristiansocial dhe partia liberale FDP në Asamblenë Federale kishin shumicën, ndërsa për vitin 2009 raportet nuk janë të qarta. Asambleja Federale që mblidhet një herë në pesë vjet, detyra e vetme e së cilës është zgjedhja e presidentit përbëhet nga deputetët e Bundestagut, pra parlamentit dhe nga përfaqësuesit e 16 landeve. Nëse unioni kristiandemokrat/kristiansocial në zgjedhjet parlamentare në landin e Bavarisë në vjeshtë humbet shumicën absolute, mund të mungojnë votat për Köhler-in në asamblenë federale. Ai ka të sigurta në Asamblenë Federale ashtu si edhe në vitin 2004 votat e unionit kristiandemokrat/kristiansocial si dhe ato të liberalëve.


Kryetari i partisë socialdemokrate, SPD, Kurt Beck dhe vet partia e majtë die Linke ndonëse lënë të nënkuptohet, se mund ta pranojnë edhe katër vjet Köhler-in si president, në sfondin e humbjeve në elektorat që shënojnë socialdemokratët në sondazhet e fundit duan që për forcimin e vetëdijes të paraqesin kandidaten e tyre përpresidente. Fjala është për Rektoren e Universitetit të Frankfurtit mbi Oder, Gesine Schwan. Ajo mbështetet në radhë të parë prej degëve të partisë në lande. Kryesia e partisë socialdemokrate do të vendosë lidhur me këtë ditën e hënë më 26 maj.


Köhler në fjalimin e tijtë shkurtër la të nënkuptohet, se pas katër vjetësh në post ai ka dëshirë të jetë sërish president. "Unë kam kuptuar, se sa shumë potencial pozitiv kemi ne dhe se me shumë angazhim dhe besim ne mund të kujdesemi për përmirësime. Unë dua që ta shoqëroj dhe ta nxis procesin e ruajtjes së vlerave dhe të ndryshimit në Gjermani."


Köhler me një deklarim të tillë iu kundërvu indirekt komenteve, sipas të cilave ai është lodhur nga detyra. Revista "Der Spiegel" në numrin e sajtë fundit kritikonte presidentin, se ai është i pari që është velur prej politikës së vendit. Fakt është që Köhler është involvuar më shumë se paraardhësit e tij në politikën e ditës dhe shpesh herë ka kritikuar ritmin e ngadaltë të reformave që ndjek qeveria e koalicionit të madh mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve.


Kancelarja Angela Merkel, që prezantoi Köhler-in në vitin 2004 si kandidat surprize të unionit për postin më të lartë shtetëror, e mbështet ate në rikandidimin e tij, pasi ndërkohë unioni s´ka kandidat më të mirë: "Unë gëzohem pa masë, që presidenti Horst Köhler është i gatshëm për një mandat të dytë. Ai siç besoj unë i ka bërë njerëzit për vete gjatë viteve të fundit. Kësaj ia ka arritur edhe nga mënyra e hapur se si ai afrohet me ta duke pasur aftësinë që t´i thotë pa doreza edhe të vërtetat e pakëndshme."


Merkel vlerësoi angazhimin e veçantë të Köhler-it për Afrikën. Ish-shefi i FMN-së e konsideron Afrikën veçanërisht të kërcënuar prej globalizimit të pafrenuar dhe kohët e fundit e ka vizituar disa herë kontinentin.


Sa i përket shansit në një duel të mundshëm me kandidatën e socialdemokratëve Gesine Schwan, Köhler u shpreh i shpenguar, se ai ndjen të ketë mbështetjen e madhe në popull dhe se sa u përket partive, duhet secili të vendosë se çfarë konsideron të drejtë.