Presidenti dekretoi emrat e qeverisë "Berisha 2"
14 Shtator 20095 ditë më parë kryeministri Sali Berisha i ka dorëzuar Presidentit përbërjen e kabinetit të krijuar me përfaqësues të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane. Sipas Kushtetutës lista e ministrave dhe programi i qeverisë do të votohen në seancën më të afërt të Parlamentit.
15 ministrat dhe kryeministri Sali Berisha, që i propozoi tashmë pritet që të kalojnë dhe një provë thuajse rutinë në parlament. Mungesa e paralajmëruar e partisë më të madhe të opozitës, PS, por dhe votat e nevojshme që ka koalicioni PD-LSI-PR nuk pritet të sjellin ndonjë surprizë në votimin e deputetëve. Përveç emrave parlamenti do të dëgjojë dhe miratojë dhe programin e qeverisë së re.
Pak para se të firmoste aktin e dekretimit, Presidenti ka kometuar interesimin e gazetarëve për propozimin nga kryeministri Berisha të Fatmir Mediut si ministër të Mjedisit, ndërkohë që ky u fundit është në një proces gjyqësor. "Në të gjithë procesin tim të dekretimit unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues, ndërsa përsa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral, natyrisht që ky është një ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është Kryeministri".
Në bazë të konfigurimit të qeverisë "Berisha 2", në postin e zëvendëskryeministrit, njëkohësisht dhe ministër i jashtëm do të jetë Ilir Meta. Nga Partia Demokratike në kabinet janë Arben Imami në ministrinë e Mbrojtjes, Lulzim Basha si ministër e Brendshëm, Myqerem Tafaj në ministrinë e Arsimit, Spiro Ksera në ministrinë e Punës, Ferdinand Xhaferri i Kulturës, Majlinda Bregu, si ministre e Integrimit, Sokol Olldashi, ministër i Transporteve, Ridvan Bode ministër i Financave, Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë, Genc Ruli, ministër i Bujqësisë dhe Genc Pollo si ministër i shtetit për reformat.
Nga aleatët e demokratëve poste kanë marrë republikani Fatmir Mediu, si ministër i Mjedisit dhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në Shëndetësi dhe Dritan Prifti, si ministër i Ekonomisë.
Gjatë prezantimit publik të emrave të anëtarëve të kabinetit, kryeministri Sali Berisha është shprehur se ndër prioritetet e qeverisë në 4 vitet e ardshshme "do të jenë lëvizja e lirë e qytetarëve, lufta kundër korrupsionit dhe reforma në shëndetësi".
Autor : Arben Muka
Redaktoi : Aida Cama