Pozita dhe opozita në Shqipëri me fronte të ngurtësuara edhe pas ndërmjetësimit të KE
23 Shkurt 2010Delegacioni i nivelit të lartë të Këshillit të Europës nuk arriti dot të ndikojë që kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës Rama të arrijnë një marrëveshje që do t'i jepte fund bojkotit gjashtëmujor të Parlamentit nga opozita. Palët kanë mbetur në pozitat e tyre edhe pas perfundimit të bisedimeve me këtë delegacion. Në këto kushte Këshillit të Europës duket se i mbeti vetëm të nxisë përsëri klasën politike të Tiranës t'i japë fund krizës politike.
“Nxisim partitë politike t'i japin fund krizës politike për të vazhduar kryerjen e reformave vitale per vendin. Mungesa e dialogur mes palëve në Parlament dëmton funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore,” tha Presidenti i APKE, Mevlüt Çavusuglu, duke dhënë konkluzionet e misionit në një konferencë shtypi në Tiranë.
Shpresa e Këshillit të Europës për kompromis vazhdon
Megjithë përfundimin e misionit te APKE, pa arritur një marrëveshje Berisha – Rama, kjo Asamble nuk e ka humbur shpresën për një kompromis të minutës së fundit, pikërisht për çështjen e hapjes së kutive të votimit. Në rast të kundërt, Këshilli i Europës sugjeron Komisionin e Venecias.
“Ne presim dhe shpresojmë për progres në këtë çështje. Shpresoj që të dyja palët do të arrijnë në një zgjidhje të saj. Në rast se ka interpretime të ndryshme të ligjit kushtetues, atëhere palët mund t'i drejtohen Komisionit të Venecias. Vendi ka një Kushtetutë, një Gjykatë Kushtetuese dhe nëse nuk zgjidhet kriza, atëhere sugjerojmë mekanizmin e Komisionit të Venecias,” tha Mevlüt Çavusuglu.
Ndonëse palët nuk arritën komprimisin, ato kanë rënë dakort për parimet mbi të cilat duhet të mbështetet zgjidhja e krizës politike. Më kryesori prej tyre është ngritja menjëherë e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të kaluar dhe kryesimit të tij nga opozita.
Interpretime të ndryshme të konkluzioneve të KE nga pozita dhe opozita
Por përtej këtij opinioni të përbashkët palët kanë mbetur pa lëvizur në pozicionet e tyre: Berisha për moshapjen e kutive të votimit dhe bërjen e transparencës përmes komisionit hetimor, Rama për vazhdimin e bojkotit.
Të dyja palët mirëpritën konkluzionet e misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, por i interpretuan ato në mënyra të kundërta.
Kryeministri Berisha deklaroi sot se “është gati që këtë javë të bashkëpunojë me opozitën për ngritjen e komisionit hetimor dhe dhënien e kryesimit të tij opozitës.” Kurse lideri i opozitës Edi Rama u shpreh se “në konkluzionet e misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk përjashtohet hapja e kutive dhe se pa plotësimin e kësaj kërkese, opozita do të vazhdojë bojkotin e Parlamentit” .
Autor: Ani Ruci/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi