1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanët serbë gjithnjë e më shpesh në Rusi

Ivica Petroviq / Esat Ahmeti28 Gusht 2012

I gjithë kreu i qeverisë së re serbe, mund të thotë dikush, po qëndron më shumë në Rusi se sa në Serbi. A është arsyeja kryesore kërkimi i të hollave dhe kredive apo forcimi i lidhjeve në kërkim të mbështetjes politike?

https://p.dw.com/p/15y1l
Putin dhe Nikolic gjatë një takimi në Moskë
Fotografi: REUTERS

Gjatë gjithë verës në Moskë për vizitë kanë shkuar me radhë presidenti i vendit Tomislav Nikoliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri i parë Aleksandar Vuçiq ndërkohë që tashmë është paralajmëruar edhe një takim i Tomislav Nikoliqit me presidenti rus Vladimir Putin me 11 shtator në Soçi.

A janë interesat ekonomike motivi kryesor?

Gazetari për politikë të jashtme i gazetës "Politika" Sllobodan Samarxhija vlerëson se është shumë e dukshme se ka ndryshuar politika e Serbisë sidomos kur është fjala për partnerët e saj të huaj. Kjo është thjesht logjike, për arsyen e thjeshtë se ajo që kemi dashur të arrijmë me Perëndimin dhe Bashkimit Evropian nuk shkon aq shpejt sa ne dëshirojmë. Sigurisht, askush nuk e mohon linjën e nisur drejt BE-së, por fakt është se ka edhe një tjetër linjë në të cilën para së gjithash Rusia është si një partner tradicional serb. "Ajo çfarë aktualisht kërkohet nga Rusia ka të bëjë më shumë me aspektin ekonomik sepse dihet që këtë situatë të vështirë të gjithë kanë nevojë për të holla. Kështu që unë besoj se politikanët serbë nuk kanë shkuar aq tepër në Moskë për të fituar mbështetje politike pasi që ajo ka kohë që ekziston, por thjesht të shohin se çfarë punësh mund të bëjnë në të ardhmen me Rusinë", thotë Samarxhija.

Zëvendëskryeministri i parë serb Aleksandar Vuçiq
Zëvendëskryeministri i parë serb Aleksandar VuçiqFotografi: AP

Të vetëdijshëm për situatën gjeopolitike

Igor Novakoviq, hulumtues në Fondin ISAC, thotë për Deutsche Wellen se ai mendon që qeveria e re serbe prioritetet e saj të politikës së jashtme do t'i definojë në muajt e ardhshëm dhe me gjithë raportet e përzemërta me Rusinë, Bashkimi Evropian do të mbetet prioritet i qeverisë së re: "Unë mendoj se qeveria e re është në dijeni për situatën gjeopolitike në të cilën ndodhet Serbia dhe se aty nuk ka shumë hapësirë. Sigurisht, se për disa çështje mund të arrihet mirëkuptimi me Rusinë. Kryesisht mendoj për marrëdhëniet e Serbisë me NATO-n dhe ruajtjen e neutralitetit ushtarak. Në këtë mes me siguri që do të favorizohej Rusia dhe vizioni i saj i politikës së jashtme të sigurisë. Përderisa kjo marrëveshje ka të ngjarë të arrihet, për të tjerat besoj që integrimet evropiane janë me prioritet absolut që do të mbështeten nga kjo qeveri."

EU dikton nivelin e marrëdhënieve me Rusinë

Serbia, si një vend që dëshiron anëtarësimin e plotë në BE duhet të ndjekë në këtë kontekst një politikë të përbashkët evropiane, e cila është shpesh ndryshe nga politika ruse. Kjo ngre pyetjen se sa larg mund të shkojë Serbia në bashkëpunim me Moskën, por pa rrezikuar integrimet evropiane. Samarxhija vlerëson për DW-në se kjo është më shumë një pyetje për Brukselin dhe Moskën se sa për Beogradin: "Kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë vetë BE-ja, më saktë nëse ajo do të pranojë që një vend si Serbia të bashkëpunojë në mënyrë të barabartë me të dyja palët...Thjesht kjo çështje duhet të zgjidhet në relacionin Moskë-Bruksel, dhe në qoftë se kjo nuk zgjidhet dhe stërgjatet shumë atëherë nuk do të jetë e mirë për askend. Kjo për faktin se Rusia nuk është e rëndësishme vetëm për ne por është shumë e rëndësishme edhe për BE-së."