1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika të dyzuara

A. Shuka 1 Mars 2008

Kosova ka qenë edhe gjatë javës së shkuar temë e komenteve të shtypit ndërkombëtar

https://p.dw.com/p/DGPl
Duke festuar pavarësinë në PrishtinëFotografi: AP

E përditshmja spanjolle "EL MUNDO" shkruan në edicionin e së hënës, 25 shkurt 2008:


"Koloneli spanjoll, Juan Montenegro, prej disa ditësh drejton operacionet e 16 000 ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Mbi kokë ai ka vetëm komandantin e përgjithshëm të KFOR-it, gjeneralin Xavier Bout de Marnhac. Është paradoks, që një spanjoll është numri dy i misionit që ka mundësuar pavarësinë e Kosovës. Qendrimi spanjoll është kontradiktor. Madridi ndihmon në ndërtimin e një shteti, që nuk e njeh, pavarësia e të cilit konsiderohet si thyerje e të drejtës ndërkombëtare. Spanja duhet t'i kishte tërhequr prej shumë kohësh trupat e saj nga Kosova. Përsa kohë që ushtarët janë aty, edhe qendrimi rrefuzues i Spanjës ndaj krijimit të shtetit të Kosovës është i pabesueshëm."


Me situatën në Kosovë mbas shpalljes së  pavarësisë merren edhe gazetat polake


"NEWSWEEK POLSKA" shkruan:


"Ne nuk duhet të presim që 63 vjet mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të vijnë amerikanët e të na zgjidhin problemet e Evropës dhe kjo vetëm, sepse qeveritë evropiane janë tepër të ngathta për të vepruar së bashku me vendosmëri... Tani që ua njohëm pavarësinë kosovarëve, duhet të jemi në gjendje që ta rregullojmë këtë shtet. Në se klubi i vendeve më të pasur dhe më të mirëorganizuar të botës dëshmojnë që nuk janë në gjendje të  vendosin rregull as edhe në një njollë të vogël të kontinentit, atëherë me se do të legjitimojmë në të ardhmen të drejtën për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve më të vështira? "

E përditshmja polake "GAZETA WYBORCZA" analizon situatën e brendshme në Serbi: 


"Serbia nuk ka një vijë të përbashkët politike. Ministrat janë në kundërshti me njëri tjetrin dhe nuk janë dakord as për çështjet ndërkombëtare, e as për ato të brendshme. ... Ndërsa grupimet e moderuara grinden me njëra tjetrën, nacionalistët e Partisë Radikale Serbe fërkojnë duart. Në se në Serbi do të ketë zgjedhje të parakohshme ata mund të dalin më të fituarit. Zgjedhjet presidenciale e kanë treguar se çfarë force kanë radikalët, kandidati i të cilëve arriti të merrte gati 50 për qind të votave, duke humbur ndaj properëndimorit Tadiç me një epërsi shumë të ngushtë votash."