Mungesë hapësire veprimi
24 Shtator 2012Gjatë përgatitjeve për fushatën e tij elektorale, Mitt Romney, ish-guvernatori i shtetit federal amerikan të Massachusettsit, u përpoq të prezantojë një alternativë ndaj politikës së jashtme të presidentit Barak Obama. Ai shpalli se dëshiron t'i drejtojë SHBA në "shekullin e ardhshëm amerikan", duke vepruar me "qartësi dhe vendosmëri" në skenën botërore.
Retorika e Romney-t i drejtohej një publiku elektoral, i cili i vështron SHBA ende si vendin më të rëndësishëm të botës - por edhe si një vend, ndikimi i të cilit pas 10 vjet luftërash e krize financiare po bie. Sipas një studimi të "Chicago Council on Global Affairs" të shtatorit 2012, vetëm 24 për qind e amerikanëve besojnë se vendi i tyre luan një "rol më të rëndësishëm" si fuqi botërore, në krahasim me një dekadë më parë.
"Kur u zgjodh Obama, mbizotëronte vlerësimi i përgjithshëm se Amerika është angazhuar shumë në disa rajone. Me sa duket më fort ky pozicionim u pasqyrua në vendimin për t'u larguar nga Iraku", i tha DW Stephen Walt, ekspert i politikës së jashtme të SHBA në Kennedy School of Government, pjesë e Universitetit të Harvardit. "Madje edhe kur Obama vendosi të angazhohet më fort në Afganistan, ai përcaktoi për këtë një afat kohor."
Dallime në tone
SHBA të angazhuara fort kanë nisur të ndjekin taktika më të kujdesshme. Gjatë luftës civile në Libi në maj 2011, një bashkëpunëtor i qeverisë Obama i tha "New Yorker Magazine" se presidenti drejton "nga prapa", pra vetëm indirekt. E thënë më qartë: presidenti Obama krijoi vetëm kushtet politike dhe logjistike për një sulm të aleatëve të NATO-s kundër avancimit ushtarak të Muammar Ghaddafit kundër kryengritësve- pa e drejtuar zyrtarisht Uashingtoni këtë mision.
Kjo shprehje ishte benzinë në zjarrin e konservatorëve, të cilët e kundërshtojnë parimisht që SHBA ta lejojnë të drejtojë një organizatë ose komb tjetër në çështjet e politikës së jashtme.
"Romney ka tendencë të përdori një ton më triumfues", tha Walt. "Ai pa dyshim që e përforcoi deklaratën për rolin e jashtëzakonshëm të SHBA në botë, se ato janë një vend shumë i jashtëzakonshëm me një përgjegjësi krejt të veçantë dhe se përfaqësojnë vlera të tjera nga pjesa tjetër e botës."
"Kërcënimi nga brenda"
Por aftësia e një Amerike të paralizuar nga problemet për të drejtuar një botë të paparashikueshme, të tronditur nga revolucionet dhe luftërat është e kufizuar, mendon Josef Braml, një ekspert për politikën e jashtme i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme.
Po të zgjidhet Romney, atij do t'i duhet të përballet njësoj me realitetet, i tha Braml DW. "Të flasësh është shumë herë e lehtë, por po ta zgjedhin me të vërtetë, ai duhet t'i vërë në jetë fjalët e tij."
Këto realitete rezultojnë më pak nga kaosi i një rendi botëror, se sa nga ndryshimet e brendshme sociale dhe ekonomike, të cilat e përçajnë Amerikën, mendon Braml.
Siç ka thënë më 1947, kur u acarua lufta e ftohtë, senatori republikan Arthur Vandenberg, në politikën e jashtme, politika merr fund aty "kur vjen momenti i së vërtetës". Një thënie, e cila është aktuale në situatën e brendshme të polarizuar fort midis demokratëve dhe republikanëve.