Policia moldave konfiskon dy kilogramë uranium - Gjermania heton origjinën e tij
26 Gusht 2010Operacion i paparë i policisë moldave
Ishte ky një operacion special i paparë deri tani në Republikën e Moldavisë, shkruajti të mërkurën (25.8.) një gazetë moldave në internet. Si dëshmi ajo ofroi pamje nga arrestimi.
"Tre pjestarë të këtij grupi kriminal janë kapur gjatë kryerjes së veprës, katër të tjerë jemi duke i ndjekur. Janë marrë masat përkatëse për t'iu rënë në gjurmë dhe për t'i arrestuar ata."
...sqaroi zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Brendshme, Kirill Motspan të mërkurën në një intervistë telefonike. Gjashtë prej burrave janë nga kryeqyteti Chisinau, ndërsa burri i shtatë nga rajoni separatist i Transnistrisë.
Tre prej persona të dyshuar sipas të dhënave të autoriteteve kanë qenë në bankën e të akuzuarve nën akuzat për vjedhje dhe kontrabandë me material radioaktiv edhe në të kaluarën. Emrat e tyre janë të njohur për gjykatat në Moldavi, Rumani dhe Rusi. Dy prej pjestarëve të bandës thuhet se janë policë të pensionuar moldavë.
Nëntë milionë euro për dy kilogramë uran
Policia ka vëzhguar katër javë rresht grupin shtatëanëtarësh ndërkohë që ata po kërkonin klientë për blerjen e uraniumit dykilogramësh. Materali radioaktiv ishte planifikuar të ndërronte pronarin për nëntë milionë euro.
Hetuesit, të cilët shtireshin se janë blerës potencial arritën të fusin në dorë një gram të materialit radioaktiv. Ai u dërgua për verifikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas ekspertizës bëhej fjalë për Uranium-238. Kirill Motspan:
"Ky material mund të përdoret si për qëllime civile ashtu dhe për ato ushtarake. Edhe pse sasia e konfiskuar është e madhe prapëseprapë ne konsiderojmë se ajo nuk do të mjaftonte për prodhimin e një arme të shkatërrimit në masë."
Megjithatë sipas mendimit të ekspertëve do të ishte i mundur prodhimi i një të ashtuquajture bombe të vogël të ndytë. Një masë shpërthyese, pra në përbërjen e të cilës do të futej edhe material radioaktiv.
Moldavia vetëm shtet tranzit i uranit!
Se ku është marrë sasia e uraniumt, i cili pa ndonjë mbrojtje të madhe nga rezatimet ishte fshehur në një garazhë në kryeqytet, mbetet ende e paqartë. Personat e arrestuar heshtin. Policia është e sigurtë se Moldavia ka shërbyer vetëm si vend tranzit.
"Materiali radioaktiv tani do të dërgohet në një qendër speciale të hulumtimeve në Gjermani. Atje do të matet shkalla e pasurimit të uranit dhe vendi se ku është prodhuar ai."
Sipas të dhënave të autoriteteve si vende të mundshme shihen Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kandaja dhe Kazakistani.
Të arrestuari të tek të cilët janë gjetur edhe armë, pasaporta, targa të makinave, formularë dhe vula mund të dënohen deri në dhjetë vjet heqje lirie.
Autor: Christina Nagel / Esat Ahmeti
Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi