Policia britanike: Sulm vetëvrasës në Mançester
23 Maj 2017Shpërthimi që ndodhi në koncertin e popit të këngëtares, Ariana Grande në Mançester të hënën në orët e vona, sipas të dhënave të fundit të policisë britanike është kryer nga një atentator vetëvrasës. Atentatori hodhi veten në erë në kohën, kur spektatorët po dilnin nga arena e Mançesterit.
Ky person e ka pasur në trup lëndën shpërthyese, bëri të ditur drejtori i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins, të martën (23.05) në mëngjesin e së martës. Bashkë me atentatorin, numri i viktimave të tjerra rritet në 22 vetë, ndër ta edhe disa fëmijë. Policia u shpreh, se duhet zbuluar, nëse ky person ka vepruar i vetëm, apo nëse pas tij fshihet një rrjet i caktuar. Mediat bëjnë të ditur, se përkrahësit e të ashtuquajturit "Shteti Islamik" kanë festuar në rrjetet sociale, megjithëse deri në orët e para të së martës askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Reagime pas sulmit në Mançester
Reagime të tronditura vijnë pas sulmit në Mançester. Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu ngushëllimet më të thella për britanikët. Qeveria e Parisit do të vazhdojë të bashkëpunojë me britanikët në luftë kundër terrorizmit, thuhet në një deklaratë të presidencës franceze. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert shkroi në Twitter: "Lajme të tmerrshme nga Mançesteri. Jemi me mendje e zemër tek viktimat dhe të plagosurit, tek ata që humbën e kërkojnë të afërmit". Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e cilësoi sulmin "si të tmerrshëm. Gabriel shkroi se "mendimet tona janë tek mikeshat e miqtë tanë britanikë. Qëndrojmë të bashkuar."
Fushata zgjedhore ndërpritet
Në Britaninë e Madhe u ndërpre fushata zgjedhore, si nga kryeministrja Theresa May, ashtu edhe nga kreu i laburistëve, Jeremy Corbin. Koncerti i këngëtares, Ariana Grande u ndërpre dje vonë (22.05) nga atentati. Grande është veçanërisht e preferuar tek rinia dhe adoleshentët. Arena e Mançesterit ka kapacitet për 21.000 vetë.
Ky atentat është sulmi më i rëndë terrorist nga viti 2005 në Britaninë e Madhe, kur katër atentatorë vetëvrasës në autobusët dhe metrotë e Londrës vranë 52 vetë. Vetë këngëtarja, ariana Grande shkruan e tronditur në Twitter: "Nuk kam fjalë, më vjen tmerrësisht keq".
la/(afp, dpa)