1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Po, ai lejohet!"- Merkel nderon karikaturistin danez

Karikaturistit danez Kurt Westergaard iu dha çmimi gjerman për lirinë e shtypit. Në vitin 2005 ai pat shkaktuar shumë trazira në botën islamike me një vizatim, në të cilin Muhameti kishte një bombë në vend të çallmës.

default

Angela Merkel dhe karikaturisti danez Kurt Westergaard

"Ti do të digjesh në ferr”, i thoshin myslimanët e indinjuar karikaturistit Kurt Westergaard kur e shihnin në rrugë. "Unë i pyesja me mirësjellje se a mund të bisedonim”, rrëfeu danezi 75-vjeçar në fjalën e tij me rastin e dhënies së çmimit të mërkurën (08.09.2010) në Potsdam. “Por ata nuk kishin interes. Atëherë unë u thosha: Do të flasim edhe njëherë në ferr për këtë çështje." Të qeshura në sallën e Rafaelit në Kështjellën Sanssouci.

Që prej tashmë pesë vjetësh ish-karikaturisti i gazetës daneze “Jyllands-Posten” jeton i mbrojtur nga shteti danez. Ende vazhdon t'i vijnë kërcënime për vrasje – në fillim të vitit për një fije i shpëtoi një sulmi të një fanatiku. Por ateisti i bindur nuk thyhet dhe vazhdon të angazhohet për lirinë e shtypit.

Me këtë çmim Westergaard nuk mori vetëm mirënjohjen e përfaqësuesve të medies nga Gjermania dhe Evropa por edhe atë të kancelares Angela Merkel. “Tek ky burrë, të cilin e nderoni ju sot është në fjalë liria e mendimit dhe e shtypit,” tha ajo ndër të tjera në Potsdam. "Tek ai është në pyetje se a lejohet ai të botojë në një gazetë të shoqërisë perëndimore karikaturën e Muhametit, po apo jo?” Kancelarja foli pastaj hapur: "Po, ai lejohet!”

Interesa të lidhura me vlerat

Merkel bëri të qartë edhe dallimin ndërmjet debatit për Westergaardin dhe atë që ka shpërthyer kohët e fundit në Gjermani për shkak të deklaratave të anëtarit të kryesisë së Bankës Federale, Thilo Sarrazin. Këtu nuk është në pyetje liria e mendimit, tha kancelarja, por është pyetja "se cilat janë konsekuencat që shkakton një libër kur autori i tij vjen nga një institucion publik." Në këtë mënyrë ajo e justifikoi kritikën e saj ndaj politikanit socialdemokrat, i cili kohët e fundit ka ngjallur një debat të madh me deklaratat e tij kundër imigrantëve myslimanë.

NO FLASH Potsdam M100 Medien Preis Kurt Westergaard Angela Merkel

Westergaard, Gauck, Merkel

Vendimi i Angela Merkelit për të mbajtur fjalën kryesore me rastin e dhënies së çmimit ndaj Kurt Westergaardit ishte komentuar më parë në shtypin gjerman si një nga vendimet e saj më të guximshme. Merkel nuk e fshehu se edhe ajo ia kishte shtruar vetes një pyetje të tillë: "A i shkon kancelares gjermane të mbajë fjalimin kryesor në një aktivitet të tillë? A lejohet ajo të takohet zyrtarisht me Dalai Lamën? Edhe këto pyetje demokristiania u ishte përgjigjur me një po të qartë. "Politika gjermane përfaqëson interesa të lidhura me vlerat, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë”.

Mbajtësi i fjalës së nderit Joachim Gauck e quajti dhënien e çmimit një orë të veçantë, edhe sepse ai u dha pikërisht nga përfaqësues të rëndësishëm të medies nga Gjermania dhe Evropa. “Këtu nuk janë mbledhur vetëm një dorë specialistësh të fjalëve dhe mendimeve të bukura, por këta janë pragmatikë të pushtetit dhe të biznesit të medies”, tha ish-kandiduesi për postin e presidentit të Gjermanisë, duke pasur parasysh pjesëmarrësit në takimin ndërkombëtar të medias që njihet me emrin “M100 Sanssouci Colloquium".

Një konferencë ekskluzive

Aktiviteti zhvillohet që nga viti 2005 dhe mbledh çdo vit 80 deri 100 kryeredaktorët dhe fejtonistët kryesorë të gazetave më të rëndësishme në Evropë për të biseduar për tema aktuale në politikën e medies. Medien shqipfolëse e përfaqësonte kryeredaktori i të përditshmes kosovare "Koha Ditore", Agron Bajrami.

Këtë radhë tema ishte liria e shtypit. Takimi është një nga më ekkluzivët në Gjermani, jo vetëm për shkak të ambientit historik në kështjellën madhështore prusiane. Por në këtë drejtim ndihmoi edhe ndajra strikte ndërmjet pjesëmarrësve të konferencës dhe afro 50 reporterëve të akredituar, të cilëve iu desh ta përcillnin ndarjen e çmimit nëpërmjet transmetimit me video.

Se çfarë menduan për çmimin kryeredaktorë apo fejtonistë nga vende, ku karikaturat e Muhametit kishin shkaktuar indinjata të thella, kjo nuk u mësua. Ata thjesht nuk ishin të pranishëm.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7Ql
  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7Ql