Platformë për mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
13 Tetor 2008Autoritetet më të larta të institucioneve të Kosovës, do të angazhojnë ekpertë të vendit dhe ndërkombëtarë për ta mbrojtur ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kombet e Bashkuara tashmë kanë kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare që ta trajtojë çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës thotë se për këtë çështje ajo është duke e përgatitur një platformë mirëpo, detajet akoma nuk bëhën publike.
Vlora Çitaku, zëvëndësministre e jashtme, siguron qytetarët e Kosovës se qeveria është duke u përgatitur intensivisht për këtë çështje dhe ajo beson se të gjitha argumentat si ato politike, historike dhe ligjore janë në anën e Kosovës. Ajo thotë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të frikësohen dhe beson se Kosova do të dalë faqebardhë në Gjykatën e Drejtësisë.
Megjithatë qeveria e Kosovës akoma nuk është e sigurt nëse Gjykata Ndërkombëtare do ta lejojë Kosovën që ta prezantojë vet rastin e saj, për faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Qeveria megjithatë është e bindur se Kosova do të lejohet të prezantojë argumentet e saj në Gjykatë, sepse sipas tyre këtu do të kishte një ballafaqim të drejtpërdrejtë me Serbinë.
Përfaqësues të serbëve të Kosovës ndërkaq, besojnë se Gjykata Ndërkombëare e Drejtësië do të konstatojë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe ata besojnë se kjo do ta stopojë procesin e njohjes së pavarësisë në vende tjera të botës.
Milan Ivanovic një anëtar i Këshilli kombëtar të serbëve të Kosovës, thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës e ka cenuar sovranitetin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara. Prandaj ai beson se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësië do të konstatojë se me shpalljen e pavarësisë është shkelur e drejta ndërkombëtare.
Analistët në Kosovë ishin shprehut më herët se kishin frikë që trajtimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do ta ngadalësojë procesin e njohjes së pavarësië së Kosovës. Mirëpo, me njohjen e shetit të Kosovës nga dy vendet fqinjë të saj, Mali i Zi dhe Maqedonia, ata thonë se ky është një sinjal shumë i mirë për vendet që kanë hezituar ta njohin pavarësinë. Nëse pavarësia e Kosovës sipas tyre njihet nga shumica e vendeve fqinjë të saj, atëherë vendet tjera të botës nuk kanë ndonjë arsye të fortë që mos ta njohin pavarësinë e Kosovës.