1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Plani i Putinit për Sirinë

Janë shtuar informacionet për zgjerimin e ndërhyrjes ushtarake ruse në Siri. Dëshmi konkrete deri tani nuk ka, por mendohet se presidenti rus Putin do të paraqesë një plan në Nju Jork.

Një përgënjeshtrim i vërtetë duket ndryshe: "Nuk kam informacione", iu përgjigj zëdhënësi i presidentit të Rusisë, Vlladimir Putin, të hënën (07.09) në Moskë, pyetjes nëse Rusia e ka zgjeruar ndihmën e saj ushtarake për regjimin në Siri. Shefi i Kremlinit deklaroi para tri ditësh se Moska po mendon mundësi të ndryshme. Pjesëmarrja e Rusisë në luftimet kundër milicëve terrroristë të "Sthetit Islamik" (IS), siç tha Putin, "ende nuk është në rend dite."

Nga fillimi i shtatorit janë shtuar informacionet e mediave se Rusia ka zhvendosur trupa në Siri për të mbështetur trupat siriane në luftën kundër IS-it. Disa burime i referohen mediave sociale dhe disa selfie-ve qe kanë bërë ushatarët rusë në Siri. Në disa raportime të tjera thuhet se Rusia ka dërguar në Siri me anije luftarake teknikën e fundit ushtarake dhe do të ndërtojë atje një bazë aviacioni ushtarak.

Shtohet dërgimi i armëve

Russland Alexej Malaschenko

Eksperti Alexej Malaschenko

Një dëshmi e saktë deri tani nuk ekziston. Rusia - që nuk është ndonjë sekret - prej dhjetëra vitesh ka trupat e saj në Siri. "Është krejt normale që Rusia ka trupat e saj në Siri", deklaroi eksperti Alexej Malaschenko, nga Qendra Carnegie në Moskë. "Këto trupa janë prezente në Lindjen e Mesme, prej vitit 1955. Ndërsa ushtria siriane është e pajisur në tërësi me armë ruse."

Qeveria në Moskë dhe ajo në Damask janë aleate të vjetra. Në limanin sirian Tartus është baza ruse për rregullimin e pajisjeve. Pas fillimit të konfliktit në vitin 2011, Rusia e ka dëshmuar shumë herë mbështetjen e regjimit në Damask, me dërgimin e armëve. Qeveria ruse e justifikon këtë mbështetje me luftën kundër IS-it. Por mediat turke kanë raportuar në gusht se Rusia i ka dërguar Sirisë gjashtë avionë modernë të tipit MiG-31. Prodhuesi rus i ka përgënjeshtruar këto të dhëna.

SHBA e ka paralajmëruar Rusinë për përzierje ushtarake në Siri. Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry ka telefonuar me homologun rus Sergej Lavrov. SHBA është e shqetësuar, tha Kerry. Shtimi i ndihmave ushtarake ruse për presidentin sirian Baschar al-Assad do ta ashpërsonte situatën.

Ekspertët paralajmërojnë Kremlinin

Ekspertët rus si Alexander Golz dyshojnë se Rusia tani po ndërhyn ushtarakisht në Siri. Por nuk e përjashton këtë mundësi. "Kur mendon se në Rusi vendimet i merr vetëm një njeri, të gjitha janë të mundura", tha Golz në intervistë me DW. Ndërhyrja ruse në Siri do të kishte kuptim vetëm në qoftë se do të ndryshonte radikalisht ecurinë e konfliktit, mendon ai. Por Golz nuk e beson se Rusia është në gjendje që aktualisht të dërgojë kaq shumë trupa në Siri dhe Irak sa për të mundur "Shtetin Islamik".

Edhe Alexej Malaschenko mendon se ndërhyrja ushtarake ruse në Siri do të ishte një "gabim i madh". Gjasat për sukses janë shumë të vogla. As shoqëria ruse nuk do ta mbështeste një ndërhyrje të tillë, medon eksperti.

Putin do të prezantojë planin e tij në Nju Jork

Raportet për prezencën ushtarake ruse në Siri vijnë pak javë para fjalimit të paralajmëruar të Putinit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Shefi i Kremlinit do të udhëtojë për në Nju Jork në pjesën e dytë të shtatorit. Por që nga gushti spekulohet me "Planin e Putinit", të cilin ai mbase mund ta bëjë publik në Nju Jork. Deri tani dihet se Rusia synon krijimin e një aleance ndrkombëtare kundër IS-it. Një aleancë e tillë ekziston dhe udhëhiqet nga SHBA-ja. Por Rusia nuk do t'i bashkangjitet asaj. Me javë të tëra qeveria në Moskë po zhvillon një ofensivë diplomatike. Me SHBA-në ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje, tha Lavrov në gusht.

Syrien Sergej Lawrow und Bashar Assad in Damaskus

Sergej Lavrov dhe Bashar al Assad në Damask

Rusia po negocion me vendet e Lindjes së Mesme, në radhë të parë me Arabinë Saudite. Deri tani negociatatat nuk kanë dhënë rezultate. Rusia do ta mbështesë presidentin al-Assad ndërkohë që Perëndimi dhe në radhë të parë SHBA mendojnë se ai duhet të japë dorëheqjen për shkak të luftës civile.

Fundi i sanksioneve si kundërshpërblim?

Mediat ruse spekulojnë edhe me një motiv tjetër të Kremlinit. Putini shpreson se do të lëshohet pe në "çështjen e Ukrainës", si kundërshpërblim për luftimin e IS-it, shkruan gazeta ruse "Novaja Gazeta". Moska shpreson "fundin e sanksioneve dhe kthimin e Rusisë në klubin e fuqive perëndimore", shkruan gazeta. Mendohet se Putin do t'i paraqesë këto propozime në Nju Jork. Por këto ndihma bartin edhe rreziqe, mendon Alexej Malaschenko. "Si do të veprojë Moska nëse al-Assad megjithatë bie nga pushteti?" Në Moskë besohet se presidenti i Sirisë nuk mund të mbetet në pushtet pa ndihmën ruse. Grigorij Mirskij nga Akademia ruse e Shkencave e quan Sirinë "një rast të pashpresë". Por ai beson se Putini do të bëjë çmos që al-Assad të mbetet në pushtet.