Pjesëmarrje masive në votime në Serbi
11 Maj 2008Në bazë të sondazheve të fundit me opinionin partia radikale serbe, ultranacionaliste, nën Tomislav Nikoliçin ka kryesuar me një avantazh minimal prej 34% kundrejt partisë demokratike pro-evropiane të presidentit Boris Tadiç, që regjistroi vetëm 33%. Në vend të tretë në anketimet me elektoratin është renditur partia konservatore e kryeministrit Vojislav Koshtunica me 12%, që pritet të jetë dhe faktori kryesor për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar në Beograd.
Radikali, Tomislav Nikoliç, duke dhënë vot deklaroi, se parashikon krijimin e shpejtë të qeverisë me Koshtunicën. Ky i fundit ende nuk është shprehur publikisht për partnerin e mundshëm të koalicionit. Megjithatë nisur nga tonet nacionaliste që ka përdorur ai në fushatën elektorale, sipas bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, tendeca drejt radikalëve është e qartë. Duke dhënë votën Koshtunica deklaroi, se është e rëndësishme të krijohet sa më shpjet qeveria për "integritetin territorial dhe stabilitetin e Serbisë".
Presidenti Tadiç zgjedhjet parlamentare i konsideron "me rëndësi jetike" dhe u shpreh plot besim, se "njerëzit do të votojnë për të ardhmen evropiane. Tadiç paralajmëroi se në rast të fitores së radikalëve vendi mund të kthehet në rrethanat e viteve 90-të.