1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesë e historisë së vendit ku jetojnë - Imigrantët shqiptarë dhe protestat në Greqi

13 Korrik 2011

Si pjesë aktive e realitetit grek imigrantët shqiptarë nuk mungojnë edhe nga sheshet e lëvizjes së të revoltuarve kundër qeverisë edhe troikës. Por cilat janë motivet e angazhimit të tyre?

https://p.dw.com/p/11uDC
Shqiptarët Sokol Korbi, Argita Petani dhe greku greek Thanasis Mandis.
Imigrantët shqiptarë protestojnë përkrah grekëve para parlamentit në Athinë.Fotografi: DW

Është pasdite vonë e së dielës, barrierat metalike dhe kontigjentet policore janë tërhequr dhe vetëm një grup militantësh të të “revoltuarve të sheshit” konsumojnë gjithë arsenalin e parullave dhe brohoritjeve disaprovuese, që janë dëgjuar për rreth 50 ditë më radhë kundër parlamentit, qeverisë edhe troikës. Të revoltuarit sa vjen e rrallohen, lodhja dhe vapa po bëjnë punën e tyre- por nuk janë të paktë edhe ata që mbeten për të treguar se kjo lëvizje ka bazë dhe rrënjë dhe nuk do të kalojë shpejt si “një ëndërr e keqe për qeveritarët”.

“Ne do të jemi këtu deri sa të largohen. (...) Ne duam të ardhme për atdheun tonë me zhvillim, perspektivë dhe shpresë” - thotë Stelos, që prezantohet vetëm me emrin e tij.

Protesta në të gjithë vendit

Ai sqaron se ndodhet në shesh “që ditën e parë” të lëvizjes së të revoltuarve, të cilët tani duhet të tregojnë se mund të rezistojnë. Stelos është nga ata që në bilancin dyditor të fundjavës me përfaqësues nga 34 mbedhje popullore nga gjithë Greqia, theksuan se nuk duhet ikur nga sheshi për t'u kthyer në shtator siç kërkoi një pjesë tjetër. Apelit të kryetarit të Bashkisë Jorgos Kaminis për të zbrazur sheshin, pasi me çadrat e tyre “dëmtojnë turizmin dhe krijojnë për vendin imazhin e një vendi të pazhvilluar të Botës së Tretë”, Stelos i përgjigjet: “Ai duhet të pastrojë mendjen e vet. Jo sheshin.”

Kuvendi i Sheshit në faqen e tij elektronike i tërheq vëmendjen kryebashkiakut, pse nuk përmend si fajtorë të vërtetë policinë dhe forcat e errëta të dhunës së verbër, që ditën e votimit të masave shtrenguese (29 qershor) e kthyen “sheshin në gërmadhë vandalizmash” dhe “dhomë gazrash” nga kimikate të skaduara kundër protestuesve paqësorë.

Revoltë kundër politikanëve, jo kundër demokracisë

Qytetarët fajësojnë forcat e rendit për dhunën në 29 qershor në sheshin Syntagma.
Qytetarët fajësojnë forcat e rendit për dhunën në 29 qershor në sheshin Syntagma.Fotografi: picture alliance/dpa

Çadrat mund të largohen, siç ka shumë mundësi të ndodhë nga dita në ditë, por sipas të gjitha gjasave ato do të ngrihen sërish. Në shtresat e vogla dhe të varfëra, që po vihen në rolin e “kalit” për të mbajtur barrën e masave shtrenguese të masave të aprovuara në parlament, është akumuluar “lëndë shpërthyese” e madhe.

“Jemi shumë të kënaqur nga qeveria. Na ushqen, na jep ujë, kimikate të skaduara. Çfarë duam tjetër. Jetëlule!”, - thotë me qesëndi Jorgos Picikaris, për të cilin nuk ka revoltë ekstreme kundër demokracisë dhe parlamentarizmit, por “revoltë të papërmbajtur kundër pjesëtarëve të parlamentit që u intereson vetëm karrigia e tyre dhe asgjë tjetër”.

“Qoftë emigrant, qoftë grek je në të njëjtën radhë

Vetëm “diçka e re dhe e madhe” mund të sjellë ndryshimin e dëshirueshëm, thotë Thanasis Mandis që i mbetet besnik “sheshit” deri në fund me “s(h)okë për kokë” siç thotë me akcentin grek për Sokolin dhe Argitën nga Shqipëria.

“Tashmë qoftë emigrant të jesh, qoftë grek je në të njejtën radhë” shton dhe shikon nga shokët e tij si për të marrë “aprovimin”e tyre. “Jemi pothuajse në të njejtën moshë pak a shumë dhe përballemi me të njejtat probleme dhe nuk mund të bëjmë ëndërra për të ardhmen” - thotë Thanasis, që e konsideron më se të natyrshme një shoqëri të tillë të forcuar sigurisht më shumë ditët e protestave.

Emigrantët shqiptarë të pranishëm në sheshin e protestës

Të vetmuar apo në grupe, emigrantët, të cilët vuajnë shumë rëndë pasojat e krizës, janë bërë një me vendasit gjithë këto ditë duke folur gjuhën e përbashkët të protestës.

“Kjo revoltë nuk u përket vetëm grekëve, u përket të gjithëve që jetojnë këtu, ne të gjithëve që mundohemi të ndërtojmë një të ardhme këtu” - thotë Argita Petani nga Fieri, që i duhet të bëjë një orë e gjysëm rrugë sa herë vendosin të zbresin nga periferia e Athinës në sheshin Sintagma me një grup 15-20 të rinjsh shqiptarë.

“Kemi dëgjuar të flitet shqip edhe nga grupe të tjera dhe mendoj se janë goxha shqiptarë që marrin pjesë” - thotë Argita për bashkatdhetarët e saj, të cilët së bashku me nacionalitetet tjera i japin lëvizjes karakterin e një “internacionaleje informale”.

“Kënaqësia është kur mblidhen të gjithë, grekë, shqiptarë, bullgarë, rumunë, polakë, nga të gjitha vendet. Flasim normalisht gjuhën greke sepse këtu jetojmë. Është kënaqësi e madhe të mblidhen njerëzit nga të gjitha vendet dhe të manifestojnë së bashku për një qëllim”.

Për Sokolin nga Skrapari shpërblimi më i mirë për të revoltuarit është shndërrimi i përditshëm i sheshit në një manifestim të demokracisë direkte:

“Kjo që bëhet pothuajse çdo mbrëmje: të gjithë janë të ulur në shesh dhe diskutojnë hapur. Vijnë njerëz nga të gjitha fushat dhe thonë hapur mendimin e tyre përsa i përket krizës. Kjo është gjëja më e mirë. Kjo është demokracia”.

Sokoli është kundër dhunës dhe ekseseve: “Nuk jam dakord me dhunën, nuk është diçka që ne e përkrahim, protesta duhet të jetë gjithnjë paqësore”.

Emigrantët janë pjesë e shoqërisë dhe historisë

Me këtë pjesëmarrje, qoftë edhe spontane dhe simbolike, shqiptarët dëshmuan se janë pjesë e realitetit modern grek.

“Përderisa ne jemi këtu, jemi të integruar, jemi bërë pjesë e shoqërisë greke. Pasojat për mirë apo për keq duhet t'i vuajmë. Në këtë kuptim duhet të jenë edhe shqiptarët prezentë” - thotë dhe Astrit Korbi nga Skrapari. Si pjesë e sheshit, ata u bënë pjesë e historisë së vendit ku jetojnë.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: E. Xhani