1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130809 Rasmussen Ausblick

14 Gusht 2009

Anders Fog Rasmusen ka vetëm pak ditë në këtë post, por disa vatra të nxehta e kanë impenjuar menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Fjala është për misionin e NATO-s në Afganistan, atë në Kosovë e Rusinë

https://p.dw.com/p/J9Xu
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen flet me një ushtar të KFOR-it në Kosovë
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen flet me një ushtar të KFOR-it në KosovëFotografi: AP

Misioni në Afganistan nuk duhet të zgjasë përjetësisht.

Para një jave Rasmuseni ishte në Afganistan për t'u njohur me gjendjen e sigurisë në vend dhe për ta siguruar qeverinë e Karzait për mbështetjen e mëtejshme të NATO-s, sidomos tani pak para zgjedhjeve. Gjithsesi misioni në Afganistan nuk duhet të zgjasë përjetësisht. Pyetjes se si do ta përcaktonte suksesin e misionit në Afganistan, në mënyrë që të mund të thuhej se tani NATO-ja mund të tërhiqet nga ky vend, Rasmusseni iu përgjigj:

„Suksesi do të ishte dorëzimi i përgjegjësisë për sigurinë në duart e afganëve. Sukses do të ishte zhvillimi i një shoqërie paqësore dhe të qëndrueshme në Afghanistan, qeverisje e mirë, respektim i parimeve të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.“

Rasmuseni shtoi se në këtë pikë kërkohet jo vetëm puna dhe angazhimi i NATO-s, por edhe i organizatave civile ndërkombëtare si OKB-ja. Megjithatë kritikët mendojnë se këto qëllime janë shumë të larta dhe duke u nisur nga gjendja gjithnjë e më e keqe e sigurisë në vend, për momentin përfundimi i misionit të NATO-s mbetet i hapur.

Raportet me Rusinë janë të komplikuara, por jo pengesë afrimi

Projekti tjetër i rëndësishëm për Rasmusenin është sipas tij raporti dhe marrëdhëniet me Rusinë. Ai e ka të qartë se për momentin këto raporte janë të komplikuara, sepse para një viti Rusia dhe Gjeorgjia, që synon anëtarësimin në NATO, zhvilluan një luftë të shkurtër mes njëra-tjetrës. Sipas mendimit të Rasmusenit kjo s'ka pse të jetë pengesë për afrimin:

"Unë nuk jam ëndërrimtar. Eshtë e qartë që do të ketë ndryshime themelore në mendime. Ne p.sh. duhet të ngulim këmbë që Rusia të respektojë plotësisht detyrimet ndërkombëtare. Në to bën pjesë edhe integriteti territorial dhe liria politike e fqinjëve. Por ne nuk mund të lejojmë që këto ndryshime në qëndrime të helmojnë raportet tona në tërësi.“

Rasmuseni e ka fjalën për territoret e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, të cilat Rusia i njohu pas luftës si shtete të pavarura. Me vizitën e tij të së mërkurës (12.08.09) në Abkazi, kryeministri rus Vladimir Putin e përforcoi edhe një herë këtë qëndrim. Nisur nga kjo diplomatët, sidomos ata nga vendet lindore të NATO-s, thonë se Aleanca ndërkohë i lëshon shumë pe Rusisë.

'Në Kosovë reduktimi i trupave nuk duhet të bëhet me ngut'

Edhe në lidhje me misionin e Kosovës, Rasmuseni në konferencën e tij të parë pas marrjes së postit u tregua shumë optimist:

„Deri në fund të periudhës time në post dua të shoh që numri i ushtarëve të KFOR-it të pakësohet ose sa i një trupe të vogël ndërhyrjeje ose të jetë larguar krejtësisht nga vendi. Kjo nuk duhet të bëhet me ngut, ne nuk duhet të na merren këmbët pak para se të kemi arritur finishin, por besoj se në një të ardhme të parashikueshme do të jenë pjekur kushtet, për ta tërhequr KFOR-in pas misionit të tij të sukseshëm.“

Pas vizitës në Kosovë, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s pritet ta ketë më të qartë nëse supozimet e tij optimiste i përgjigjen vërtet realitetit.

Autor: Kristof Haselbah/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi