Pezullohen ekipet e Shqipërisë në volejboll
17 Korrik 2008Dy ndeshje miqësore mes dy anëve të kufirit janë bërë shkak për ndëshkim për ekipet kombëtare të Shqipërisë në volejboll për femra dhe për meshkuj. Në datën 2 korrik në Prishtinë janë zhvilluar takimet miqësore të kombëtareve të Shqipërisë dhe Kosovës në volejboll. Por kjo mënyrë sportive e urimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka sjellë reagimin e ashpër të Federatës Serbe të Volejbollit, çka është marrë në konsideratë nga Federata Ndërkombëtare e këtij sporti. Në Tiranë ka mbërritur një vendim i këtij organizmi, që e pezullon kombëtaren shqiptare të femrave dhe meshkujve deri në fund të vitit nga të gjitha veprimtaritë ballkanike. Sipas drejtuesve të Federatës Ndërkombëtare ekipet e Shqipërisë kanë shkelur rregulloren në pikën që thotë se nuk duhen zhvilluar ndeshje me ekipe të vendeve që nuk janë anëtare të Federatës. Dhe ekipet e Kosovës ende nuk janë anëtare në Federatën Ndërkombëtare të Volejbollit.
Sekretari i Federatës Shqiptare Leonard Tase pranon që është shkelur rregullorja, por ai shpreh pakënaqësi për vendimin e ashpër, pasi bëhej fjalë për një ekip të një shteti të ri të sapo shpallur.
Pezullimi i ekipeve të Shqipërisë deri në fund të vitit ka hequr nga kalendari automatikisht dhe dy veprimtaritë ballkanike që priteshin të mbaheshin në qytetet e Vlorës dhe të Korcës gjatë kësaj periudhe. Nga mënyra se si kanë reaguar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit duket se vendimi i Federatës Ndërkombëtare për pezullim është pranuar, dhe nuk pritet të ketë apelim ndaj tij.