1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160409 Bilanz Manmohan Singh

16 Prill 2009

Manmohan Singh rikandidon sot, në zgjedhjet e 16 prillit, për postin e kryeministrit të Indisë, por kritikët thonë se ai nuk është në gjendje t'i realizojë synimet e parashtruara.

https://p.dw.com/p/HY8L
Kryeministri indian Manmohan Singh, dhe Presidentja Sonia Gandhi duke prezantuar programin zgjedhor.
Manmohan Singh rikandidon për postin e kryeministrit të Indisë. Zgjedhjet zhvillohen më 16 prill. Singh dhe Gandhi duke prezantuar programin zgjedhor.Fotografi: AP

Në zgjedhjet e vitit 2004, shumë pak njerëz prisnin fitoren e tij. Në fillim të viteteve 90-të, Singh ka qenë ministër i Financave në kabinetin e kryeminsitrit Narasimha Rao, kur India përjetoi një hov të madh ekonomik. Kritikët thonë, se ai nuk i ka aftësitë e duhura për të qenë kryeministër, me shpjegimin se është vetëm dorë e zgjatur e Sonia Gandhit. Por 76-vjeçari i diplomuar në Oksford, qëndroi pesë vitet e fundit në pushtet.

Fushatë zgjedhore në Allahabad e politikanëve të Bharatiya Jata Partei.
Fushatë zgjedhore në Allahabad e politikanëve të Bharatiya Jata Partei.Fotografi: UNI


Sinqeriteti, modestia dhe profesionalieti nuk janë gjithmonë vlerat më të rëndësishme me të cilat mund të mbijetosh në politikën e ashpër të Indisë. Manmohan Singh, thuhet se me zërin e tij të hollë nuk është ndonjë orator i mirë, por është një njeri i përgjegjshëm. Prandaj edhe i mbijetoi shumë krizave gjatë mandatit të tij. Gjysëm viti pas marrjes së pushtetit, në dhjetor të vitit 2004, ndodhi cunami, që shkaktoi vdekjen e 15 000 vetëve në Indi. Bota u befasua kur kryeministri tha se Indisë nuk i duhen ndihma për të përballuar katastrofën. Ky qëndim u vlerësua lart brenda vendit. Me këtë qëndrim u bë e qartë se India ka kapërcyer mentalitetin, sipas së cilit vendi varet prej ndihmave që vijnë nga jashtë. Singh, u detyrua në vitin 2008 të futet në marrëveshjen kontroverse nukleare indo - amerikane. Ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, gjatë tri ditëve të dramës së përgjakshme të pengjeve, në Mumbai u vranë më shumë se 160 njerëz.

Fushatë zgjedhore
Njerëzit nuk votojnë vetëm për kryeministrin, por edhe për partinë e tij.Fotografi: AP

Eksperti për Indinë Christian Wagner, nga Fondacioni për shkencë dhe politikë në Berlin, thotë se Manmohan Singh është një menaxher i mirë krizash. “Lidhur me marrëveshjen nukleare ai ka rrezikuar tërë autoritietin e tij politik, por kjo i ka siguruar një vend në librat e historisë. Edhe reagimi pas sulmeve në Mumbai nuk ishte i keq. Më pas nuk ka pasur ndonjë marrshim trupash. India e ka shfrytëzuar shumë mirë këtë moment të vëmendjes ndërkombëtare për të ushtruar presion diplomatik ndaj Pakistanit, për të sqaruar sfondin e sulmeve. Prandaj sulmi nuk i ka keqësuar edhe më shumë raportet edhe pse mes këtyre dy vendeve aktualisht nuk ka ndonjë dialog të mirëfilltë politik.“

Vitet e kaluara India ka përjetuar një rritje mesatare ekonomike prej 9 përqindësh. Kriza globale e ka prekur edhe këtë vend, por ekspertët thonë se rritja vitin e ardhshëm do të jetë 5 përqind. Ndërkohë që një pjesë e popullsisë në vendin 1,1 miliardë banorëash, ka vetura, paisje elektrike dhe shtëpi të mira, pjesa më e madhe e popullit ende jeton në varfëri. Rreth 70 përqind e banorëve jetojnë nga bujqësia. Në statistikat e Bankës botërore thuhet se 27 përqind jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme, pra me më pak se një dollar në ditë.

Duke përgatitur qendrat e votimi.
Votat e njerëzve në brendësi të vendit kanë vendosur në të kaluarën se kush do të marrë pushtetin në kryeqytet.Fotografi: UNI

Kryeministri Singh, është përpjekur që këtë gjendje ta kapërcejë me reforma agrare, siç e tha edhe në gusht të vitit 2007, me rastin e 60-jetorit të pavarësisë së Indisë. „Vitet e ardhshme prioriteti ynë do të jetë zhvillimi i sektorit agrar. Unë do të angazhohem që të ardhurat në bujqësi të rriten. Për këtë proram do të ndajë më shumë se pesë miliardë dollarë.“

Votat e njerëzve në brendësi të vendit kanë vendosur në të kaluarën se kush do të marrë pushtetin në kryeqytet. Ekspertja Salma Bava e Universitetit Jawaharlal-Nehru në Delhi thotë, se është vështirë të flasësh për popullaritetin e Singhit. “Është e vërtetë, që më shumë se dy të tretat e banorëve të Indisë jetojnë në thellësi të vendit. Manmohan Singh ka bërë shumë përpjekje të ndryshojë gjendjen e tyre. Mirëpo ata nuk votojnë vetëm për kryeministrin, por edhe për partinë e tij. Askush nuk mund të premtojë se qëndrimi i tij në post do të thotë edhe zgjidhje e shpejtë e problemeve!“

Fitorja në këto zgjedhje do të ishte fitorja e tij e parë e vërtetë dhe jo e dhuruar, si pesë vjet më parë, kur Sonia Gandhi hoqi dorë nga pushteti. Christian Wagner mendon se shansat e Singhit janë të mira. „Manmohan Singh me siguri që nuk do të pavarësohet nga Sonia Gandhi, sepse ajo vazhdon të jetë kryetare e partisë. Por në pesë vitet e fundit ai ka krijuar imazhin e një politikani të besueshëm, që ka mundësuar kandidimin e tij për postin e kryeministrit."

Autor: Priya Esselborn / Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama