Tibet Autonomie
10 Mars 2009Barazpeshë nuk ka, 5 milionë tibetianë në njërën anë, 1,3 miliardë kinezë në anën tjetër. Këtu një pakicë e margjinalizuar në një territor gjoja autonom, edhe pse i mbështetur nga një bashkësi dinamike në mërgim. Atje një fuqi botërore me ambicie të mëdha, me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Kombi i tretë në botë për nga fuqia ekonomike, me rezervat më të mëdha të devizave në botë, është pikërisht në kohët e krizës ekonomike një partner i kërkuar. Pavarësisht se çfarë pamjeje ka bilanci i të drejtave të njeriut.
Dialogu i Pekinit me tibetianët në mërgim duket se është vetëm alibi. Megjithëse Dalai Lama në çdo rast përsërit se synon të arrijë vetëm një autonomi të vërtetë brenda federatës shtetërore kineze, ai konsiderohet nga mediat dhe autoritetet kineze si përçarës, separatist dhe tradhëtar. Pekini punon siç duket për një zgjidhje biologjike të problemit.Gjithsesi Dalai Lama është më shumë se 70 vjeç dhe ai nuk ka për të jetuar përjetësisht. Por nëse Pekini nuk flet me të, i heq vetes një shans të rëndësishëm. Sepse ky Dalai Lama është një figurë e pazëvendësueshme e integrimit. Vjeshtën e kaluar ai dëshmoi aftësinë e tij, që edhe forcat radikale të tibetianëve në mërgim t´i angazhojë në linjën e tij të mohimit të dhunës, në rrugën e tij të "mesme" Por atij i nevojiten partnerë në Pekin. Tani në krye të shtetit kinez ndodhet një kryetar Hu Jin Tao, që është i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Tibetit. Kur në vitin 1989 u bënë demonstrata me rastin e 30 vjetorit të kryengritjes së Tibetit në Lhasa, Hu ishte kryetar i partisë në Tibet. Ai shpalli ligjin e luftës dhe lejoi të shtypen me brutalitet protestat.
Por ka shenja shprese. Atëherë para 20 vjetësh në Kinë nuk dëgjoje asnjë zë kritik për shtypjen e tibetianëve. Kur vitin e fundit ushtria i shtypi protestat e tibetianëve për më shumë autonomi, ishte ndryshe. Intelektualët kinezë u angazhuan në letra të hapura për të drejtat e tibetianëve. Avokatët kinezë iu ofruan demonstruesve të arrestuar mbrojtje para gjyqit.
Opinioni i shumë kinezëve për Tibetin nis të ndryshojë. Pikërisht në shtresën e mesme, që po zhvillohet, një grup prej ndërkohë rreth 200 milionë vetësh. Më parë kinezët lidhnin me tibetianët vetëm varfëri dhe papastërti. Sot Tibeti për shumë njerëz është simbol i natyrës dramatike, të paprekur dhe të pasurisë spirituale. Për shkak të boshllëkut shpirtëror në Kinë disa madje zbuluan si orientim budizmin tibetian.
Mund të të vijë keq, por tibetianët janë bërë pengje të përparimeve demokratike në Kinë dhe të përparimeve të shtetit juridik. Prej kohësh ekzistojnë të drejtat e kërkuara prej Dalai Lamës dhe tibetianëve në dokumentin me përmbajtje siç dihet tolerante. Të drejtat e minoriteteve në kushtetutë janë shembullore. Vetëm se nuk zbatohen. Dhe nuk ka gjykatë kushtetuese, ku mund të ngresh padi. Shpresa e Tibetit qëndron në demokratizimin e Kinës.