1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pekini po i afrohet Brukselit nga krahu lindor e juglindor

Takimi i fundit i raundit të njohur si 16+1 i shteteve të Europës Lindore e Juglindore u zhvillua për herë të parë në Kinë. Duhet të shqetësohet Europa për rritjen e ndikimit ekonomik të Kinës në këtë rajon?

China, CEE Gipfel in Suzhou

Takimi në Suzhou

Kina dhe 16 vende europiane kanë filluar nga viti 2012 rrugën e bashkëpunimit të përforcuar përmes një platforme ekonomike. Sigurisht kjo nuk i pëlqen Bashkimit Europian, sepse Pekini nuk rakodohet më parë me Brukselin për këtë. Qeveria kineze nga ana e saj mendon se me shtete sovrane ajo mund të futet në bashkëpunim, nëse edhe ato e duan këtë, e kjo nuk ka të bëjë me Brukselin.

Nuk ka dyshim, shtetet sovrane duan të bashkëpunojnë me Kinën. Mekanizmi 16+1 e quajnë vendet partnere këtë lidhje të Pekinit me një pjesë të shteteve të Europës Lindore e Juglindore. Prej më shumë se tre vitesh këto vende zhvillojnë projekte të përbashkëta me Kinën, nënshkruajnë kontrata dhe përfitojnë nga njëri-tjetri.

Investime me prapamendim

Kina investon në Europën lindore e juglindore të prekur nga kriza, dhe këtë jo pa prapamendim. Më 24-25 nëntor pjesëmarrësit e takimit u takuan për herë të katërt, dhe për herë të parë në Kinë. Kryeministri kinez Li Keqiang i ftoi presidentët e vendeve në Suzhou, pranë Shangait, në fund edhe një takim me presidentin kinez, Xi Jinping. Për herë të parë Kina u përqëndrua vetëm tek Europa Lindore.

Neue Donaubrücke in Belgrad

Ura e re e Danubit në Beograd - investim kinez

Takimi i 16+1 nuk është një klub debati. Që nga takimi i parë në Varshavë janë iniciuar me sukses disa projekte, në pjesën më të madhe në infrastrukturë dhe sektorin energjitik, dy sektorë me nevojë të madhe në Europën Lindore. Rumunët po ndihmohen me një 1 miliardë dollarë në sektorin energjitik, para dy javësh agjencia kineze e lajmeve, Xinhua bëri të ditur se një firmë kineze, General Nuclear ka qëllim të ndërtojë dy blloqe të reja në centralin atomik të Cernadovës në Rumani. Në Serbi kinezët kanë filluar modernizimin e një termocentrali.

Nga ana tjetër në fillim të këtij viti, Pekini ka nënshkruar një marrëveshje për modernizimin e sistemit hekurudhor në një gjatësi 370 kilometra nga Beogradi në Budapest. Në Maqedoni po ndërtohen dy autostrada të reja me financimin e një banke kineze në shumën prej 580 milionë eurosh.

Nxitja e krijimit të rrjeteve, zgjerimi i rrugëve tregtare

Këto investime nuk kanë si synim vetëm ndërlidhjen më të mirë brenda Europës Lindore e Juglindore, por edhe të Kinës me Europën Lindore. Ka dy muaj që nga Praga ofrohet një linjë direkte ajrore me Pekinin. Linja e parë hekurudhore mes Polonisë dhe Kinës ka filluar që nga viti 2013. 15 ditë duan kontenierët nga qyteti kinez Chengdu në qytetin polak, Lodxh.

Të gjitha projekte, për të cilat Brukseli ose nuk ka para, ose nuk ka kohë, një vend bosh në treg, të cilin po e mbush Pekini, madje me përfitim ekonomik. Vëllimi tregtar mes Kinës dhe vendeve të Europës Lindore, Qendrore e Juglindore përbënte vetëm 43,9 miliardë dollarë në vitin 2010. Vetëm vitin e kaluar ky vëllim u rrit me gati 17 miliardë dollarë më shumë. Vendet e Europës Lindore e Juglindore i janë mirënjohës Pekinit.

Polen Warschau Lodz Baustelle Autobahn

Lodxh lidh Kinën me Poloninë

Rruga e Mëndafshit - Projekti prestigjioz i rigjallërimit të rrugëve të vjetra tregtare

Këto investime përputhen me njërin nga projektet më të rëndësishme të Kinës në politikën e jashtme, Rrugën e Mëndafshit - rigjallërimin e rrjetit të dikurshëm të rrugëve tregtare që lidhte Mesdheun, Europën me Azinë e Mesme dhe atë Lindore. 40 miliardë dollarë investime planifikon Pekini për këtë projekt dhe ka krijuar enkas një bankë të re, Bankën Aziatike të Investimit dhe Infrastrukturës me 100 miliardë dollarë. Edhe Gjermania është anëtare themeluese e kësaj banke.

Formula është e thjeshtë: Sa më e mirë infrastruktura e vendeve të Europës Lindore, aq më i suksesshëm projekti i rigjallërimit të rrugëve të vjetra tregtare, të njohur si Rruga e Mëndafshit. Premtimet financiare të Pekinit kanë ndezur konkurrencën mes vendeve lindore për të fituar mbështetjen e Kinës. Presidenti polak, Andrzej Duda për shembull ka idenë që Polonia të luajë një rol të rëndësishëm si qendër logjistike në këtë projekt.

Ura lidhëse me Europën Perëndimore

Natyrisht Kina kërkon me këtë angazhim edhe një akses të ri drejt Europës Perëndimore, pra përmes një hyrjeje anësore. Brukseli e ka fajin vetë. Europa Lindore është lënë mënjanë për një kohë të gjatë. Vetëm kur Lindja e injoruar kuptoi se nuk përbënte ndonjë prioritet në Bruksel, i hodhi sytë nga Azia. Në vizitën e ministrit të Jashtëm kinez, Vang Yi muajin e kaluar, krahas Polonisë edhe Çekia e Bullgaria treguan interes të madh për të luajtur rol në projektin e Rrugës së Mëndafshit. Vang tha se Kina ka interes për partneritet jo vetëm me qendrat e vjetra të Europës, Anglinë, Gjermaninë dhe Francën, por me të gjitha qeveritë në Europë. Saktësisht sipas motos së takimit të këtij viti 16+1 të zhvilluar në Kinë: “Fillime të reja, sektorë të rinj, vizione të reja.”

 

Korrespondenti i Deutsche Welles Frank Sieren jeton prej më shumë se 20 vitesh në Pekin.