1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PDK e hapur për koalicione me të gjitha partitë përveç Vetvendosjes

20 Dhjetor 2010

Në Kosovë, po vazhdojnë bisedat ndërmjet partive politike për krijimin e qeverisë së re. PDK-së e cila në bazë të rezultateve pararake të zgjedhjeve të 12 dhjetorit doli partia e parë nuk mund e vetme ta krijojë qeverinë

https://p.dw.com/p/QgYC
Logo - Kosova voton
Logo - Kosova votonFotografi: DW

Partia Demokratike e Kosovës, e cila në bazë të rezultateve preliminare fitoi zgjedhjet, thotë se është e hapur për koalicione me të gjitha partitë, që kaluan pragun zgjedhor por, përjashton mundësinë që të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetvendosja, e cila doli forca e tretë politike në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës e cila në bazë të rezultateve paraprake, doli partia e dytë, tashmë i ka vënë vijën e kuqe koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit. Gjatë fundjavës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe lideri i AKR-së (Aleanca Kosova e Re), biznesmeni Behxhet Pacolli, sipas PDK-së u dakorduan që të punojnë së bashku për krijimin e qeverisë së ardhshme, mirëpo, nuk bënë të njohura detaje të marrëveshjes.

Në foto, kryeministri në largim Hashim Thaçi
Në foto, kryeministri në largim Hashim ThaçiFotografi: AP

“Të dy liderët e partive politike respektive, PDK-AKR, kanë shprehur vullnet politik që të punojnë së bashku për formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, menjëherë pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja”, thuhet në një komunikatë për media nga të dyja kampet.


AKR: Nuk do të jemi pjesë e qeverisë me njerëz që e kanë keqpërdorur paranë publike

Qëndrim zyrtar i AKR-së, është se kjo parti është e hapur për koalicione për krijimin e qeverisë, mirëpo, përjashton mundësinë që të jetë pjesë e qeverisë me njerëzit të cilët e kanë keqpërdorur paranë publike. Kështu thotë zëvëndëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila.


Në foto, lideri i AKR-së Behxhet Pacolli
Në foto, lideri i AKR-së Behxhet PacolliFotografi: DW

“Së pari për funksionet qeverisëse dhe së dyti për bartësit e funksioneve ekzekutive, jo vetëm me PDK-së po me secilën parti. Njerëzit të cilën janë nën hetime apo njerëzit për të cilët ekziston përceptim publik se kanë keqpërdorur paranë publike për ne nuk janë të pranueshëm për të hyrë në një formacion qeveritar të ardhshëm”, thotë Mimoza Kusari Lila.

Përfaqësues të AAK-së (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, akoma janë në pritje të rezutateve përfundimtare të zgjedheve, pas rivotimit që do të ndodhë në tri komuna të Kosovës më 9 janar, në Skënderaj, Drenas dhe Deçan. Kjo parti akoma nuk ka një qëndrim të prerë se do të shkojë apo jo në koalicion me PDK-së, të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Mushkolaj: Pa AAK-në do të ketë një qeveri jo stabile që nuk mund të ketë jetgjatësi

Nga ana tjetër analistët e pavarur bazuar në rezultatet paraprake të zgjedhjeve shohin vetëm një zgjidhje për koalicionin e ardhshëm që do ta formojë qeverinë. Imer Mushkolaj, analist politik, thotë se deri tash ka vetëm një opcion.


Në foto, analisti Ymer Mushkolaj
Në foto, analisti Ymer MushkolajFotografi: DW/Shehu

“Besojë se një qeveri ndërmjet, PDK-së, AKR dhe AAK-së, përfshirë këtu edhe pakicat do të mund të konsiderohet një qeveri sadopak stabile. Mungesa e AAK-së në këtë qeveri pavarësisht se ndoshta PDK-së mund të arrijë numrin prej 61 deputetësh së bashku me AKR dhe pakicat, do të jetë një qeveri jo stabile që nuk mund të ketë jetgjatësi”, thotë Imer Mushkolaj.

Autoritetet ndërkombëtare nga ana e tyre kanë kërkuar nga klasa politike në Kosovë të përfundojnë me sukses procesin zgjedhor dhe sa më shpejtë të krijojë qeverinë e vendit. Vendi ka përpara shumë procese të rëdësishme sidomos fillimin e bisedimeve për çështje teknike me Serbinë. Në këtë linjë, analisti Imer Mushkolaj, mendon se për bashkësinë ndërkombëtare është shumë e rëndësishme që të kenë një partner që do të hyjë në biseda me Serbinë.


Bashkësia ndërkombëtare kërkon partner në Prishtinë për fillimin e bisedimeve me Serbinë


Logo e BE-së me hartë dhe flamur
Logo e BE-së me hartë dhe flamur

“Për bashkësinë ndërkombëtare është e rendësishme që ata ta kenë partnerin në Prishtinë, këtë partner në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve e kanë tash për tash dhe ai është lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ata mund të llogarisin se bisedimet me Serbinë mund të fillojnë, ndërsa, varet se sa do të zgjasin këto biseda të cilat për mendimn tim nuk do të përfundojnë shpejtë”, thotë Imer Mushkolaj.

Sidoqoftë, rezultate përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit nuk do të ketë deri nga mesi i janarit, thonë përfaqësues të KQZ-së. Kjo për faktin që ky organ ka vendosur që të rinumërojë votat për deputet, jo për parti, në të paktën 40% të vendvotimeve për shkak të ankesa të shumta brenda partiake të kandidatëve që garuan për deputet. Shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve e vonon edhe fakti i rivotimit në tri komuna të Kosovës që do të bëhet me 9 janar të vitit të ardhshëm.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti