1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Patriark Bartolomeu: "Ne duam unitetin e ortodoksisë në Ukrainë"

Stephanos Georgakopoulos17 Maj 2014

Në Ukrainë ne duam unitetin e ortodoksisë, thotë patriarkut ekumenik për DW-në. Ai thekson dhe që do të jetë më mirë nëse Haghia Sofia do të mbetet muze.

https://p.dw.com/p/1C1V7
Fotografi: DW/S. Georgakopoulos

Deutsche Welle: Cili është qëndrimi i patriarkut ekumenik për konfliktin në Ukrainë?

Kjo është një pyetje e pastër politike. Në Ukrainë përjetojmë një konflikt mes Lindjes dhe Perëndimit, për ta thënë thjeshtë. BE-ja dhe SHBA-ja në njërën anë dhe Federata Ruse nga ana tjetër. Fjala është për ndikim politik. Ne nuk mund të bëjmë shumë atje, për fat të keq. Unë uroj që të menduarit logjik dhe maturia të mbizotërojnë për të shmangur një zgjerim të konfliktit, që përbën një rrezik të madh për Ukrainën, për Evropën dhe për të gjithë njerëzimin.

Kur është fjala për kishën, ne kemi në Ukrainë problemin e ndarjes së Kishës Ortodokse të Ukrainës në tri kisha ortodokse, nga të cilat vetëm njëra është kanonike. Megjithatë ukrainasit janë motrat dhe vëllezërit tanë ortodoksë. Gjashtë vjet më parë isha i ftuar nga presidenti Viktor Jushçenko. Ne jemi përpjekur që të nxisim një ribashkim të ortodoksëve, por për fat të keq pa sukses. Por ne nuk do të heqim dorë. Është detyrë e Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës dhe e gjithë ortodoksisë që të rivendoset uniteti i popullit ortodoks të Ukrainës.

Si e vlerësoni situatën e Kishës Ortodokse në Turqi?

Kthimi i pronës greke si dhe nënshtetësia turke, që kryeministri Tajip Erdogan u dha peshkopëve nga jashtë, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme patriarkale, qoftë si kandidatë për fronin, ose si ata që zgjedhin patriarkun e ri - janë përparime të rëndësishme. Këtu bën pjesë edhe shkolla greke, e cila është rihapur pas një gjysmë shekulli në ishullin tim të lindjes në Imvros. E gjithë kjo është për t'u lavdëruar. Ne i vlerësojmë këto përparime dhe e falenderojmë kryeministrin Tajip Erdogan.

Por për fat të keq të gjitha këto nuk janë të mjaftueshme. Ka shumë çështje pronësore që janë ende të hapura. Patriarkana nuk është ende e njohur si person juridik dhe seminari ynë në Halki është ende i mbyllur, kështu që ne nuk mund të shkollojmë pasardhës. Mitropoliti i Gjermanisë, Italisë, Zvicrës dhe unë i përkasim brezit të fundit, që kanë studiuar teologji në Halki. Ne jemi të gjithë mes 70 dhe 80 vjeç. Të gjithë metropolitë në Evropë kanë nevojë për udhëheqës të rinj. Me mbylljen e seminarit Turqia ka gati 50 vjet që na i ka prerë mundësitë për shkollimin e pasardhësve.

Si i vlerësoni planet për shndërrimin e Haghia Sofias në xhami?

Unë nuk mendoj se në fund Haghia Sofia në Konstandinopojë (në Stamboll ) do të shndërrohet në një xhami. Në interesin e Turqisë është që kisha të jetë muze. Haghia Sofia është tani një muze i hapur për të gjithë botën. Dhe me të vërtetë aty ka çdo ditë qindra në mos mijëra vizitorë. Turqia mbledh të ardhura nga biletat. Një xhami do të jetë vetëm për myslimanët. Nuk është në interesin e Turqisë që të grindet me të gjithë të krishterët apo të gjithë botën e qytetëruar. Siç e kam thënë kohët e fundit publikisht - nëse Haghia Sofja do të shndërrohet sërish në një institucion fetar, atëherë të paktën në një kishë, sepse për këtë qëllim ishte ndërtuar në fillim. Konvertimi në xhami do të jetë kundër vullnetit të themeluesit të Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturku, që e shndërroi kishën në një muze. Sido që ta kthesh e ta përkthesh - është më mirë nëse Haghia Sofia mbetet muze.

Bartolomeu I, lindur si Dimitrios Arqondonis, është që nga viti 1991 patriarku greko-ortodoks ekumenik i Konstandinopojës, me seli në Stamboll. Ai është kleriku më i lartë ortodoks në mbarë botën.