1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Paskal Milo: Shqipëria duhet ta konsiderojë zyrtarisht Gjermaninë partnerin e saj kyҫ strategjik në Europë

Gjermania nuk duhet të lejojë që varka e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE të marrë ujë, thotë në bisedë për DW Paskal Milon, ish-ministër i Jashtëm, politikan dhe historian.

DW: A do të ketë ndikim konfiguracioni i ri i Bundestagut dhe përbërja e qeverisë Merkel në politikën e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë në veҫanti?

Paskal Milo: Mendoj që përfaqësimi i ri politik në Bundestagun gjerman nuk do të ndikojë në politikën e Gjermanisë si ndaj Ballkanit Perëndimor ashtu edhe Shqipërisë. Argumentet në favor të mosndryshimit të politikës gjermane: Fituesit e zgjedhjeve janë CDU/CSU dhe kancelarja Merkel. Nuk ka arsye që ata të rishikojnë një kurs politik në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, që e kanë përcaktuar vetë, që ka gjetur mbështetje dhe ngjallur shpresa në rajon. E vetmja rezervë që mund të shfaqet mund të vijë nga partnerët e rinj të koalicionit të mundshem qeverisës me liberalët dhe të gjelberit. Kjo është thjesht një hipotezë,  sepse në programet e këtyre dy partive nuk janë shfaqur qëndrime që të kundërshtojnë perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, vete SPD nuk ka arësye të kundërshtojë një politikë për të cilën ka qenë dakort në bashkëqeverisjen me CDU/CSU dhe për më tepër ka patur drejtimin e Ministrisë së Punëve te Jashtme,  gjate dy mandateve të fundit. Përsa i përket AfD për shkak të qëndrimeve të saj ksenofobe mund të priten rezerva në Bundestag për politikën gjermane në Ballkanin Perëndimor, për masa restriktive dhe kushtëzime për vendet e rajonit, veҫanërisht ndaj ҫështjes së emigrantëve.

DW: A ka gjasa që Gjermania të marrë rol më të fuqishëm pro politikave të zgjerimit të BE me vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria? 

Paskal Milo: Gjermania është lokomotiva e Bashkimit Evropian. Procesi i Berlinit, që kancelarja Merkel inicioi në 2014 në adresë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka si synim kryesor përgatitjen e këtyre vendeve për anëtarësimin e plotë në BE. Kjo është sa përgjegjësi aq edhe sfidë për Gjermaninë dhe kancelaren Merkel, që nuk mund ta lënë një proces të iniciuar vetë në mes të rrugës, pasi ka të bëjë me një objektiv të rëndësishëm të politikes së tyre europiane. Se cilat do të jenë ritmet e angazhimit të Gjermanisë në procesin e zgjerimit, mbetet për t'u parë dhe kushtëzohet nga dy arësye: e para, nga solidariteti i mbështetjes edhe të vendeve të tjera anëtare të BE, e dyta nga vetë angazhimi i vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor për të plotësuar standartet dhe kushtet e kërkuara. Pa lënë mënjanë zhvillimet e pritshme brenda vetë BE, kur njihen vështirësitë aktuale dhe vendimi për të mos pranuar ende edhe për disa vite anëtarësime të reja.

DW: Procesit të Berlinit i ka munguar deri tani karburanti i duhur financiar për të mundësuar zbatimin e projekteve të mëdha rajonale në infrastrukture, që Ballkani Perëndimor të integrohet mes vetes dhe të ketë shanse më të mira për integrimin e tij në BE. A shihni ju gjasa, që në kontekstin aktual të situatës në BE, Gjermania e Merkelit 4, të rrisë rolin e saj për të siguruar këto fonde, për projekte që, në parim, vendet e rajonit kanë rënë dakord?

Paskal Milo: Procesi i Berlinit eshte karrota e madhe, shpresëdhënëse për t‘i mbajtur vendet e Ballkanit Perëndimor në proces. Projektet e mëdha rajonale nuk kanë munguar të shpallen edhe në të kaluarën dhe po ashtu edhe premtimet për financimin e tyre. Mjafton të përmendet këtu historia e Paktit të Stabilitetit, para 18 vitesh, me premtimet e bujshme për të mbështetur financiarisht tre nivele projektesh rajonale por që për fat të keq nuk u zbatuan. Projektet aktuale të premtuara për t'u financuar në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe të konfirmuara së fundi edhe në Samitin e Triestes, në korrikun e kaluar, që synojnë integrimin rajonal si parakusht për anëtarësim të plote në BE, nuk duhen të kompromentohen. Gjermania ka një përgjegjësi të madhe si vendi më i fuqishëm dhe inisiatore e Procesit që të mos lejojë që varka e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor të marrë ujë.

DW: Në librin juaj "Udhëkryqe Shqiptaro-Gjermane", keni parqitur marrdhëniet mes dy vendeve në kronologjine e tyre historike dhe sillni fakte dhetë dhëna nga arkivat gjermane, europiane, shqiptare dhe me gjere. Si e shikoni vendin që zë aktualisht Shqipëria në politikën e Gjermanisë në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perendimor?

Paskal Milo: Shqipëria është një ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor. Gjithsejcili prej tyre ka vendin dhe rolin e vet. Pozicioni që një vend merr në marrëdhëniet me Gjermaninë apo edhe me BE nuk varet aq shumë nga simpatitë apo antipatitë  që mund të ushqejnë qeveritë dhe institucionet europiane. Politika, në përgjithesi dhe sidomos sot, nuk funksionon me këtë koncept. Sigurisht që faktorët gjeopolitikë kanë vlerën e tyre, por pozicioni i ҫdo vendi të Ballkanit Perëndimor si edhe niveli i marrëdhënieve me Gjermanine e BE kushtëzohen nga një numur faktorësh të brendshem të këtyre vendeve: politikë, ekonomikë, nga aftësia dhe performanca e tyre për të plotësuar standartet e kërkuara. Sigurisht që marrëdheniet e Shqipërisë me Gjermanine janë shumë të mira dhe për mendimin tim ka arsye, mundësi dhe nevojë, që të jenë edhe më të mira. Gjermania nga ana e Shqipërisë duhet konsideruar edhe zyrtarisht partner kyҫ strategjik në Europë. Shqipëria është në vëmendjen e Gjermanise për shumë arësye por partneriteti duhet të ndërtohet me realizëm. Partneriteti i Gjermanise duhet merituar dhee nuk duhet pritur trajtim preferencial në formën e dhuratës së Baba Noel-it të Krishtlindjeve.

DW: Më 1 tetor, zhvillohet referendumi në Katalonjë për të qënë e pavarur nga Spanja, vend anëtar i BE. Nëse rezultati do të jetë pro pavarësisë, kjo përbën largimin e dytë nga BE, pas Brexit. A mund të krijojë kjo rrethanë, një vëmendje më të madhe të Gjermanisë ndaj ritmit të politikave te zgjerimit? 

Paskal Milo: Referendumi në Katalonjë është një histori e përsëritur spanjolle, që në Spanjë është shfaqur vetëm atje por edhe në province të tjera, madje jo vetëm në Spanjë. Tendenca të tilla shkëputjeje në thelbin e tyre veҫ manifestimit të së drejtës universale për vetëvendosje përfaqesojne edhe zhgenjim e dështim të politikave integruese të brendshme dhe komunitare europiane. Ato dobësojne frymën europiane dhe japin mesazhe jo positive për integrimin e plotë europian. Lëvizje të tilla inkurajojnë qarqe të tjera të caktuara separatiste në Spanjë dhe jashtë saj për të minuar BE në sfiden e tij të madhe, në epokën e globalizmit. Në këto rrethana Gjermania dhe BE jane të detyruara të tregohen shumë të kujdesshme me politikën e zgjerimit, sepse nuk duan të importojne problematika analoge që nuk mungojne në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjeter janë të angazhuar të mos percjellin mesazhe pesimiste në rajon, të dërgojne mesazhe optimiste dhe të bëjnë kujdes që këto vende të qendrojnë të lidhura pas perspektives dhe shpreses për integrimin të plotë në BE.