1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasaportat e Republikës së Kosovës - të papranueshme për serbët

Bekim Shehu/Prishtinë15 Korrik 2008

Disa përfaqësues të serbëve thonë se dokumentet e vetme të vlefshme për ta do të jenë dokumentet e lëshuara nga Republika e Serbisë, sepse Kosovën ata akoma e cilësojnë si pjesë të Serbisë.

https://p.dw.com/p/Eco1
Fotografi: picture-alliance/dpa

Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, thonë se pasaportat e Republikës së Kosovës, nuk do të pranohen në serbët dhe ata nuk do të pajisen me to. Kjo për faktin që sipas tyre, serbët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe dokumentet e vetme të vlefshme për serbët do të jenë dokumentet e lëshuara nga Serbia. Pasarortat e reja të Republikës së Kosovës do të lëshohen për qarkullim nga fillimi i javës së ardhshme. Udhëheqësi i "Listës Serbe për Kosovën", Oliver Ivanoviç, thotë se serbët akoma respektojnë rezolutën 1244 të KS-it dhe kjo rezolutë sipas tij, Kosovën e përcakton si pjesë të Serbisë.

"Ky dokument është në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS-it, e cila Kosovën e përcakton si territor të Republikës së Serbisë. Edhe dokumenti i mëparshëm i udhëtimit i lëshuar nga UNMIK-u ka qenë në kundërshtim me këtë rezolutë, si edhe targat e automjeteve. Sidoqoftë pasaportat e reja të Kosovës, të cilat do të vihen në qarkullim, nuk do të jenë të pranueshme për serbët, sikurse nuk është e pranueshme as pavarësia e Kosovës", thotë Oliver Ivanoviç.

Që nga përfundimi i luftës, qytetarët e Kosovës janë pajisur me dokumente të udhëtimit të lëshuara nga administrata e Kombeve të Bashkuara. Mirëpo serbët e Kosovës asnjëherë nuk janë pajisur me këto dokumente. Shumica e serbëve të Kosovës, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës akoma vazhdojnë ta identifikojnë veten si qytetarë të Republikës së Serbisë, pavarësisht faktit që pavarësia e Kosovës është njohur dhe pranuar nga 43 shtete të botës.