1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasaporta gjermane: e kërkuar, po si mund te merret?

Jeanette Seiffert / Esat Ahmeti1 Shtator 2013

Emigrantët duhet të kapërcejnë shumë pengesa për të marrë pasaportën gjermane. Përveç njohjes së gjuhës ka pesë vjet që emigrantët duhet të kalojnë edhe një test të shtetësisë në qoftë se ata duan të bëhen gjerman.

https://p.dw.com/p/19ZIw
Fotografi: Getty Images

Cila kafshë është e paraqitur në stemën e Gjermanisë? Çfarë do të thotë "sovraniteti i popullit"? Këto ishin dy nga 33 pyetjet në të cilat Ketevan Jandieri u desh të përgjigjej në testin e mbajtur në shkollën profesionale në Bon për të fituar shtetësinë gjermane. 51-vjeçarja nga Gjeorgjia jeton që nga viti 2005 në Gjermani, burri i saj është gjerman, po ashtu edhe dy fëmijët e saj. Për testin ajo ishte përgatitur mirë: "Ka kurse të ndryshme trajnimi në internet dhe online mund t'i gjesh të gjitha pyetjet."

Testi është i diskutueshëm

Pesë vjet më parë, testi për shtetësinë gjermane u aplikua në mbarë vendin. Atëherë u zhvillua një debat i ashpër lidhur me kuptimin dhe moskuptimin e këtij testi. I formuluar vështirë, shumë pyetje të detajuara, ishin disa prej kritikave. Ndërkohë, ai është thjeshtuar në disa vende. Por për studiuesin e migracionit Dieter Thränhardt, ai është ende shumë i komplikuar: "Emigrantët e paarsimuar kanë probleme, madje edhe njerëzit që nuk e zotërojnë mirë gjuhën gjermane nuk e kanë të lehtë". Thränhardt shpreh drojën e tij se grupe të caktuara të emigrantëve tremben për të aplikuar për shtetësinë gjermane.

Pamje ilustruese, testi i shtetësisë gjermane
Pamje ilustruese, testi i shtetësisë gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Dhe me të vërtetë, numri i natyralizimeve ka rënë pas futjes së testit të shtetësisë. Por megjithatë vetëm për një kohë të shkurtër: Ka katër vite që numri i tyre po ngrihet përsëri. 112.000 ishin në vitin e kaluar, pesë për qind më shumë se në vitin 2011. Kenan Araz nga "Zyra e Veprimit për Natyralizim" në Bochum ka shumë vite që këshillon emigrantët që duan të bëhen gjerman. Në fillim ishte ngritur pak pluhur rreth kësaj çështje por testi nuk është më temë shumë e rëndësishme në bisedime: "Ndërkohë testi shihet sikur të ishte një test për patent shofer. Pas gjithë këtyre viteve njerëzit e konsiderojnë atë si diçka shumë normale..."

Edhe Ketevan Jandieri marrjen në mënyrë intensive me vendbanimin e ri e ka përjetuar si diçka pozitive: "Njeriu duhet të dijë disa gjëra të rëndësishme për vendin ku do ta kalojë pjesën tjetër të jetës." Ajo i është përgjigjur saktë të gjitha 33 pyetjeve. 17 do të kishte qenë e mjaftueshme për të kaluar testin. Më shumë se 98 për qind e pjesëmarrësve arrijnë ta kalojnë atë.

Gjermania nxit imigracionin

Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë Ketevan Jandieri shumë shpejt do të jetë një nga shumë emigrantët që për çdo vit fitojnë shtetësinë gjermane. Shumica e qytetarëve të rinj janë me origjinë turke, ky është dhe grupi më i madh i emigrantëve që jetojnë në Gjermani.

In einem Raum der Volkshochschule Frankfurt (Oder) wartet am Mittwoch (24.09.2008) der Inder Kulminder Singh mit zehn weiteren Ausländern auf den Inder Kulminder Singh pret fillimin e testit të shtetësisë (foto nga arkivi)
Inder Kulminder Singh pret fillimin e testit të shtetësisë (foto nga arkivi)Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë gjithnjë e më shumë emigrantë nga Evropa Jugore duan të bëhen gjermanë. Veçanërisht interesim i madh vërehet në radhët e emigrantëve nga vendet e eurozonës të përfshira në krizë: numri i grekëve të cilët kanë kërkuar pasaportën gjermane është ngritur vitin e kaluar përmbi 80 për qind, italianët ishin gati 30 për qind më shumë. Midis tyre janë shumë të rinj të mirë-arsimuar të cilët nuk arrijnë të gjejnë një vend punë në vendlindjen e tyre dhe shohin shanse më të mira në Gjermaninë më të fortë ekonomikisht.

Qeveria ka shtuar përpjekjet e saj për emigrantë të tillë me kualifikim të mirë. Kjo për faktin se Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar në shumë fusha. Disa lande gjermane angazhohen në mënyrë specifike që emigrantët të aplikojnë për pasaportën gjermane: Për shembull slogani "Po, unë dua" shihet në postera dhe fletushka në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë."Ky është një mashtrim", kritikon Kenan Araz. "Në mënyrë të pakuptimtë shpenzohen dhjetëra mijëra euro. Këto fushata mund t'i ndihmojnë ndonjë politikani, por jo njerëzve."Shumë më e rëndësishme do të ishte që këtyre emigrantëve të ju drejtohemi në gjuhën e tyre amtare. Kjo për faktin se deri tani vetëm çdo i dyti emnigrant i rritur ka pasaportë gjermane.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Natyralizimi nuk është i thjeshtë

Edhe pse landet gjermane duan që numri i atyre që natyralizohen të jetë më i madh prapëseprapë nuk është e lehtë marrja e një pasaporte gjermane. Testi i shtetësisë nuk është pengesa e vetme. Një emigrant duhet të ketë jetuar të paktën tetë vjet në Gjermani, duhet të mos jetë i dënuar për vepra penale dhe duhet të dëshmojë se fiton të ardhura të mjaftueshme për të mos qenë i varur nga ndihmat sociale. Përveç kësaj, është e nevojshme edhe njohja e mirë e gjuhës gjermane.