1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Axhenda e Parlamentit të BE-së

Andreas Noll / exh26 Maj 2014

Europarlamentarët e rinj mund të fillojnë nga puna me zgjedhjen e një presidenti të ri për Komisionin Evropian. Shumë kohë për t'u mësuar me punën e re nuk kanë pasi do u duhet të marrin shpejt vendime. Një vështrim.

https://p.dw.com/p/1C6ZY
Salla plenare e Parlamentit Evropian në Strasburg.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deputetët e rinj të Parlamentit Evropian duhet të tregojnë fillimish pak durim. Në fillim të korrikut ata mblidhen në seancën konstituuese në Strasburg dhe mund të votojnë për një president të ri të Komisionit Evropian. Nëse Parlamenti dhe kryetarët e shteteve dhe qeverive do të kenë rënë në ujdi deri atëherë për një kandidat, kjo është e paqartë.

Por deputetët e rinj nuk do të hyjnë në matje forcash me Këshillin Evropian dhe më vonë Komisionin e ri të BE-së vetëm për çështje emërimesh në postet e larta. Edhe në shumë çështje përmbatjesh ata duhet të marrin shpejt pozicion.

Marrëveshja tregtare me SHBA

Zënka për marrëveshjen e planifikuar të tregtisë së lirë me SHBA (TTIP) ishte temë e nxehtë e fushatës elektorale për zgjedhjet evropiane. Ndërkohë që përkrahësit e një zone të lirë tregtie për 800 milionë qytetarë, shpresojnë një gjallërim të tregtisë mes dy fuqive ekonomike, kundërshtarët druajnë një zbutje të standardeve strikte evropiane: zënka për pulat e dizinfektuara me klor apo produktet ushqimore të manipuluara gjenetikisht, janë vetëm disa shembuj.

Papritur temë e nxehtë në fushatën për zgjedhjet evropiane: TTIP
Papritur temë e nxehtë në fushatën për zgjedhjet evropiane: TTIPFotografi: DW/E. Usi

Ashtu si është e zakonshme në çështje të tregtisë, negociatat me qeverinë e SHBA kryen vetëm Komisioni Evropian. Mandatin për këtë e ka marrë në qershor 2013 nga atëherë 27 anëtarët e BE-së. Palët fillimisht planifikonin negociimin përfundimtar deri në fund të këtij viti. Por duket se afati do të zgjatet me të paktën 1 vit. Deputetët e rinj pra kanë dukshëm më shumë kohë për të ushtruar ndikim në negociata. Nëse një marrëveshje e negociuar do të hyjë në fund në fuqi, është gjithashtu në dorën e tyre: vetëm me miratimin e Parlamentit Evropian mund të nënshkruhet marrëveshja. Kjo është më shumë se procedurë formale dhe këtë Parlamenti e ka treguar të paktën një herë: në korrik 2012 ai ndaloi pas protestash të opinionit publik marrëveshjen kundër piraterisë së produkteve, ACTA.

Deri në përfundimin e mundshëm të negociatave, deputetët mund të ndikojnë tek bisedimet mes Brukselit dhe Uashingtonit qoftë në skenën e Parlamentit, qoftë në prapaskenë. P.sh. përmes "TTIP Monitoring Group" në të cilin çdo grup parlamentar dërgon një deputet përfaqësues. Ata kanë qasje në të gjithë dokumentet e negociatave dhe informohen nga Komisioni i BE-së për ecurinë e bisedimeve po aq shpesh sa Komisioni për Tregtinë i Parlamentit.

Direktiva për ruajtjen e të dhënave

Ishte një vendim me gjëmimin e një bubullime ai që shpallën pak ditë para zgjedhjeve evropiane gjykatësit e Gjykatës Evropiane në Luksemburg. Në Evropë ka një "të drejtë për harresë" në internet. Qytetarët e BE-së në rrethana të caktuara mund të kërkojnë nga operatorët e makinave të kërkimit në internet, që këta të shuajnë të dhëna personale nga listat e rezultateve.

Google
Shpallje lufte ndaj Google, Facebook & Co.: direktiva e re për mbrojtjen e të dhënave personale në Internet.Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjykatësit e morën vendimin mbi bazën e një direktive evropiane për mbrojtjen e të dhënave të vitit 1995, por direktiva e re për mbrojtjen e të dhënave, e përshtatur me rrethanat e reja në epokën e internetit, është mbi tryezë gati për vendim. Pas negociatash për vite me radhë, ajo u miratua me shumicë të madhe nga Parlamenti Evropian. Por deri tani qeveritë kombëtare nuk e kanë miratuar këtë direktivë, e cila synon një mbrojtje më të mirë në rrjet të sferës private. Raportuesi përgjegjës në Parlament, eurodeputeti i gjelbër Jan Philipp Albrecht, në intervistë me DW, bën trysni ndaj qeverisë ngurruese në Berlin: "Ne duhet t'i rikujtojmë qeverisë gjermane përgjegjësinë e saj. Nëse qeveritë nuk bëjnë asgjë, atëherë asgjë nuk ndodh në këtë çështje." Nëse qeveritë do të kërkojnë ndryshme në përmbajtjen e direktivës, janë të varura nga bashkëpunimi i Parlamentit.

Sferat e influencës në Bashkimin Evropian

Greqia, Irlanda, Portugalia: gjatë pesë viteve të kaluara Bashkimi Evropian ka punuar në modus krize. Kjo "situata e jashtëzakonshme politike" i dha shumë hapësirë veprimi kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Të gjithë sytë drejtoheshin nga samitet e netëve të gjata për zgjidhjen e krizës. "Tek BE vihet re një lodhje nga 'këshillat'", thotë Jan Techau nga instituti i studimeve "Carnegie Europe". Një zhvillim ky që është shqetësues edhe për kandidatin kryesor të socialdemokratëve Martin Schulz. "Samitizimi, inflacioni dhe fiksimi tek takimet e kryetarëve të qeverive, përjashton nga proceset vendimmarrëse organin e vetëm të dalë nga zgjedhje direkte të Unionit: Parlamentin Evropian", u ankua Schulz gjatë fjalimit të tij të marrjes së detyrës si President i Parlamentit Evropian në janar 2012. A mund ta zmbrapsë Parlamenti këtë proces? Futja për herë të parë e kandidaturave të eksponentëve krysorë për mbarë Evropën, mund t'i japë Parlamentit një legjitimitet më të madh. Një matje force me kryetarët e shteteve dhe qeverive për zgjedhjen e presidentit të ri të Komisionit Evropian, do të ishte edhe një mundësi për profilizim, por me përfundim të hapur.

Politika për klimën

Këshilli Evropian e ka zgjeruar influencën e tij vitet e fundit jo vetëm në politikën financiare. Edhe në çështje të klimës dhe energjisë, kryetarët e shteteve dhe qeverive e kanë frenuar Parlamentin Evropian. Një shembull për këtë është i ashtuquajturi "Proces 2013" për objektivat evropianë për klimën për vitin 2030. Ndërkohë që Parlamenti u shpreh për tre objektiva ambiciozë - reduktimin e CO2, shtimin e energjive të ripërtëritshme dhe përmirësimin e eficiencës energjitike - kryetarët e shteteve dhe qeverive duken më pak ambiciozë.

Izolimi i një ndërtese për rritjen e eficiencës energjitike
Parlamenti i BE-së ka objektiva ambiciozë për mbrojtjen e klimësFotografi: Jürgen Fälchle/Fotolia

Nëse parlamentarët duan të ushtrojnë ndikimin e tyre, u mbetet vetëm pak kohë: vendimi përfundimtar për një kuadër ligjor për politikën energjitike dhe të klimës në BE deri në vitin 2030, duhet të merret në tetor 2014. Pas kësaj në axhendën e eurodeputetëve është konferenca e ardhshme ndërkombëtare për klimën. Ajo mbahet vitin e ardhshëm në Paris.

Unioni bankar

Në vendet në jug të Evropës situata vërtet është stabilizuar, por Evropa është larg imunitetit nga krizat, analizon Guntram B. Wolff nga instituti "Bruegel" në Bruksel: "Stabiliteti është pak më i lartë, por vetëm pak." Për ta ruajtur në të ardhmen Evropën nga kriza të ngjashme të rënda financiare, BE ka themeluar një union bankar. "Shpresa e madhe është që Banka Qendrore Evropiane si autoriteti i ri mbikqyrës të ndërhyjë më ashpër kundër problemeve të bankave nga sa kanë bërë autoritetet kombëtare të mbikqyrjes bankare", përmbledh studiuesi i shkencave ekonomike, linjën e veprimit të këtij hapi të rëndësishëm integrimi të BE-së. Korniza ligjore për unionin bankar është miratuar tashmë nga Parlamenti dhe Këshilli, por shumë detaje mbetet të sqarohen muajt e ardhshëm.

Demonstrues në lagjen e bankave në Madrid
Taksapaguesit në BE nuk duhet të paguajnë më për bankat e keqmenaxhuara