260509 Netanjahu Nordkorea
27 Maj 2009Për shkak të veprimeve arbitrare të Koresë së Veriut kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ndjehet i konfirmuar në politikën e tij kundrejt Iranit. Kërcënimi bërthamor nga të ashtuquajturat 'shtete burim pasigurie' si Koreja e Veriut apo Irani janë për Netanjahun sfida më e madhe. Nëse Izraeli nuk e neutralizion kërcënimin iranian atëherë këtë nuk do ta bëj askush, tha Netanjahu gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të partisë Likud. Asnjë vendi nuk i është rrezikuar siguria sa Izraelit. Andaj është urgjentisht e nevojshme të përgatitet një përgjigje për sfidat që vijnë nga Irani, tha Netanjahu.
Izraeli nuk jeton në kohë normale, sqaroi kryeministri izraelit. Rreziku i vërtetë qëndron në nënvlerësimin e kërcënimit që vjen nga programi bërthamor iranian. Sipas kryeministrit, tani detyrë e tij kryesore është sigurimi i të ardhmes së Izraelit. Dhe evitimi i këtij rreziku është detyrë e udhëheqjes politike. Ministri i Jashtëm, Avigdor Liebermann, e mbështet kryeministrin Netanjahu.
Për radion e ushtrisë izraelite ai tha: "Duhet vepruar me grusht të hekurt kundër të gjitha përpjekjeve të regjimeve si Korea e Veriut apo Irani që ato të mos jenë në gjendje të përdorin armë jokonvencionale."
Me retorikën e tyre luftarake Libermani dhe Netanjahu distancohen indirekt nga vija politike e presidentit amerikan Barack Obama, i cili në politikën ndaj Iranit parapëlqen një zgjidhje diplomatike. Nga ana tjetër Netanjahu ka deklaruar edhe publikisht se është i një mendjeje me presidentin Obama se qëllimi më i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin është të pengojë armatosjen bërthamore të Iranit.
Autor: Sebastian Engelbrecht/Esat Ahmeti
Redaktoi: Pandeli Pani