Pas bisedimeve Berluskoni- Merkel
13 Janar 2011Politika e migracionit, temat ekonomike dhe financiare dhe natyrisht kriza e euros ishin sipas të dhënave të kancelares gjermane Angela Merkel temat kryesore që u diskutuan në takimin e lartë gjermano- italian që u mbajt në Berlin. Duke patur parasysh problemet e mëdha që ka Italia, me gati 2 bilionë euro borxhe, 30 përqind papunësi tek të rinjtë dhe zhvillim të ulët ekonomike, fjalët e thëna nga kancelarja në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin italian Berluskoni, tingëlluan gati si provokim: „Ekonomitë tona, kjo mund të thuhet si për Gjermaninë ashtu edhe për Italinë, dolën mirë nga kriza. Gjermania do të arrijë këtë vit një rritje ekonomike prej 3,6 përqind, papunësia është e ulët."
Silvio Berlusconi e ndoqi kancelaren duke thënë në lidhje me krizën e euros: „Duke patur parasysh krizën, faktori psikologjik është shumë i rëndësishëm, pra mes qytetarëve nuk duhet përhapur pesimizmi. Qeveritë kanë për detyrë, të tregojnë perspektivë pozitive."
Në prani të kancelares, kryministri italian foli për herë të parë hapur për të bërë drejtorin e rezervave federale italiane Mario Draghi pasardhës të drejtorit të Bankës Qendrore Evropiane, Claude Trichet.
„Është e qartë se ndihemi të nderuar nëse zgjedhja evropiane bëhet për drejtorin e Bankës tonë Qendrore."
Mario Draghi dhe Drejtori i rezervave federale gjermane Axel Weber, janë kandidatët kryesorë për tu vendosur në krye të Bankës Qëndrore Evropiane.
Kancelarja Merkel foli për bonot shtetërore portugeze, të cilat u shitën me sukses ditën e mërkurë. Procesi u zhvillua në rregull. Gjermania mbron euron dhe do të bëjë gjithshka për të mbrojtur monedhën e përbashkët, tha kancelarja, pa përmendur sërish temën e bonove evropiane. Qeveria federale gjermane është kundër bonove të tilla evropiane, kurse qeveria italiane është për krijimin e tyre. Në çështjet e politikës së jashtme, kancelarja Angela Merkel shprehu shqetësim për gjendjen në Lindjen e Afërme dhe për situatën në Bjellorusi. „Ne jemi të të njëjtit mendim se duke patur parasysh situatën në Bjellorusi, më duhet për fat të keq të them se ne mendojmë për vendosjen e sanksioneve, prej të cilave kishim hequr dorë. Është për të ardhur keq, ne të dy i shohim zhvillimet në Bjellorusi me shqetësim të madh, veçanërisht në lidhje me opozitën."
Silvio Berlusconi shoqërohej nga pesë ministra dhe një delegacion ekonomik. Ministrat e jashtëm të të dy vendeve Franco Frattini dhe Guido Westerwelle, nxorrën si reaksion ndaj sulmeve të fundit kundër të krishterëve në vendet myslimane një deklaratë të përbashkët për temën e lirisë së shtypit. Në të theksohet e drejta e lirisë fetare dhe kërkohet nga të gjitha qeveritë e botës që ajo të respektohet dhe të mbrohet.
Silvio Berlusconi ktheu përgjigje i pyetur lidhur me vendimin që pritet ditën e enjte më 13 janar për hedhjen e ligjit të kontestueshëm të imunitetit duke kritikuar gjykatësit: “Për mua nuk ka rëndësi nëse do të ketë ndalim të procesit. Unë mendoj se kjo është qesharake. Në të mund të dallosh patologjinë e demokracisë sonë. Unë fola edhe me kancelaren Angela Merkel. Gjykata është kthyer në instrument pushteti dhe e tepron me rolin e saj kushtetues."
Shtrëngim i shkurtër duarsh, në fund një fotografi dhe një drekë, pas katër orësh Silvio Berluskoni morri sërish avionin për Romë. Një takim pragmatik, jo armiqësor por as shumë miqësor, që kishte rëndësi për Berluskonin e dobësuar politikisht për të treguar në Itali, se është sup më sup me Angela Merkelin.
Autor: Stefan Troendle/ Aida Cama
Redaktoi: Esat Ahmeti