051110 Türkei Balkan Reljic
6 Nëntor 2010Dušan Reljić nga Fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin ka studiuar motivet e angazhimit turk në rajon. Ditën e enjte (4.11.) ai prezantoi rezultatet e studimit të tij në një takim të Evropës Juglindore dhe Shoqatës gjermano- turke që u mbajt në Deutsche Welle.
"Soydaş ve dindaş" i quajnë turqit "kushërinjtë" kulturorë jashtë Turqisë: për shembull boshnjakët myslimanë dhe shqiptarët. Në Ankara dëgjohet zëri zyrtar, që thotë se angazhimi turk në Ballkanin perëndimor është shprehje e respektit ndaj interesimit të qytetarëve për mirëqenien e këtyre kushërinjve. Përveç kësaj në Ballkanin perëndimor arrihen tregje të rëndësishme. Në lojë janë edhe interesat strategjike dhe politike: "E rëndësishme për Turqinë është që të ketë sërish ndikim në rajon, në mënyrë që të marrë pjesë si partner i barabartë me BE-në dhe aktorët e tjerë të jashtëm, në përpilimin e arkitekturës së re të sigurisë në Evropë dhe në këtë pjesë të kontinentit", shpjegon studiuesi dhe gazetari Dušan Reljić, studimet e të cilit përqëndrohen tek Ballkani perëndimor.
Turqia është shfaqur në disa konflikte të Ballkanit si aktor i rëndësishëm politik nënvizon Reljić. Për shembull, Ankaraja është përpjekur që gjatë luftës në Jugosllavi të ndërmjetësojë midis boshnjakëve dhe sebëve. Turqit përkrahin qeverinë maqedonase në konfliktin për emrin me Greqinë.
Në Ballkanin perëndimor janë ngritur disa qendra kulturore turke, shkolla dhe universitete. Edhe ofertat mediale të Radios për jashtë me telenovela plot dhimbje, po bëhen gjithnjë e më të prefeuara.
Simpatia për Turqinë është veçanërisht e madhe tek myslimanët e Bosnjës. Grupe të rinjsh boshnjakë festuan para pak kohësh fitoren turke kundër serbëve gjatë zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit botëror të basketbollit. Flamujtë turq tundeshin me entuziazëm, për shembull në Novi Pazar. Kështu që kjo pjesë e popullsisë dëshiron marrëdhënie të ngushta me Turqinë. "Kurse të tjerët, kanë mësuar në klasë fillore, se zgjedha osmane duhet luftuar, në mënyrë që të bëhet kthimi në Evropë, ide këto, që kanë lindur në shekullin e 19-të dhe 20-të por që u forcuan prej luftës pasuese jugosllave."
Kjo marrëdhënie e dyzuar me Ankaranë pasqyrohet në sondazhet e fundit, që thonë se për 40 për qind të qytetarëve të Ballkanit perëndimor, Turqia është një "shtet mik". Disa intelektualë serbë, si për shembull ish-ambasadori i Serbisë në Turqi, Darko Tanasković - mendojnë se pas diplomacisë së Ankarasë fshihet gjithnjë neo-osmanizmi, dëshira për një rilindje të Perëndorisë Osmane, për ri-islamizimin e rajonit.
Por simpatia për Turqinë mund të bëhet edhe më e madhe, nëse e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit perëndimor mbetet e paqartë. mendon Reljić: "Ka mundësi që tek disa njerëz të mund të zhvillohet mendimi se "Nëse nuk hyjmë ne BE dhe Turqia, një fuqi ekonomike në rajon, me popullsi të madhe, që dëshiron të marrë një rol në politikën botërore, bëhet partneri ynë, atëherë mund të shohim nëse me një partner si Ankaraja nuk mund të arrijmë më shumë në afat të shkurtër ose të mesëm sesa të presim BE-në për vazhdimin e politikës së zgjerimit në rajon:"
Pra nëse BE i lë vendet e Ballkanit perëndimor në radhën e pafund të pritjes, atëherë Turqia mund të gjendet në krye të një "Aleance të kushërinjve të refuzuar".
Autor: Alexandra Scherle/ Aida Cama
Redaktoi: Elert Ajazaj