1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

251011 Tunesien Wahl Bilanz

26 Tetor 2011

Pas zgjedhjeve të para të lira në Tunizi thuajse nuk ka dyshime për një fitore të qartë të partisë së moderuar islamike Ennadha. Organizatorët e zgjedhjeve e shohin partinë e ndaluar më parë thuajse kudo forcën kryesore

https://p.dw.com/p/12z8Z
Idhtare të partiseë islamiste
Idhtare të partiseë islamisteFotografi: picture-alliance/dpa

Pavarësisht nga rezultati- zgjedhjet janë zhvilluar duke respektuar ligjin. Kështu mendon të paktën Michael Gahler, kryetar i Komisionit të vëzhguesve të BE. Të martën (25.10.) ai i përshëndeti tunizianët. Kjo në një kohë kur vendit edhe i mungonte përvoja me zgjedhje të lira:

"Në një proces kaq të gjerë, kompleks, ku edhe përgjegjësit mësuan vetëm gjatë procesit se cilat gjëra duhen mbajtur parasysh, kanë ndodhur natyrisht gabime dhe vonesa. Por po të nxjerrësh një emërues të përbashkët të së gjithës, mund të thuash se vendi ka pasur zgjedhje, në të cilat njerëzit kanë pasur ndjesinë se vendimi i tyre për të zgjedhur u pasqyrua drejtpërdrejt dhe pa minuse në rezultatin përfundimtar."

Këtë nuk e shohin të gjithë kështu. Rachidi për shembull. Ai beson se zgjedhjet u manipuluan, dhe kjo para së gjithash nga partia islamiste Ennahda. Të hënën ai vendosi të marrë pjesë një demonstratë spontane:

"Në Ariana, të gjithë drejtuesit e zyrave ishin nga Ennaddha, edhe vëzhguesit: të gjithë Ennahda. Partia ushtron mbi zgjedhësit ndikim në mënyrë ilegale. Kjo e gjitha është një farsë. Ne nuk kemi bërë revolucion që të vendosim sërish një sistem si më parë."

Në Tunizi numërohen votat
Në Tunizi numërohen votatFotografi: AP/dapd

Janë pikërisht tunizianët e majtë që janë të zhgënjyer nga rezultati i mirë në zgjedhje i islamistëve. Por për përleshje e trazira janë të përgatitur shumë pak vetë. Shumë besojnë se me Ennahdan mund të bashkëpunohet pa problem. Dhe se rezultati është i besueshëm. Youssra Ghannouchi sidoqoftë është e qetë. Ajo është bija e kryetarit të partisë Ennahda Rachid Ghannouchi.

"Ne nuk mendojmë se kemi shkelur ndonjë ligj gjatë fushatës elektorale ose në ditën e zgjedhjeve. Ne nuk kemi asnjë ankesë nga Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve. Deri tani ka vetëm thashetheme, të cilat ne i konsiderojmë pa përmbajtje. Por askush nuk qëndron mbi ligjin dhe ne shpresojmë se drejtësia do të na trajtojë si duhet."

Yousra Ghannouchi ka shumë për të bërë. Para qendrës së partisë Ennadha ka radhë të gjata gazetarësh. Për ata, bashkëpunëtorët e partisë kujdesen duke u folur në anglisht, frëngjisht dhe arabisht. Partia është e organizuar mirë. Nëntë muaj më parë Ennadha ishte ende e ndaluar. Kurse tani ajo ka arritur me sa duket rezultatet më të larta. Islamistët besojnë se kanë fituar rreth 30 përqind të votave. Por kjo shifër nuk mjafton për të qeverisur vetëm. Ennadhas do t'i duhet tani të formojë një koalicion. Një zëdhënës tha se në diskutim për partner vijnë të gjithë.

Autor: Marc Dugge/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama