1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Parlamenti Evropian votoi Komisionin e ri Evropian

Komisioni i ri Evropian nën drejtimin e José Manuel Barrosos mund të nisë nga puna. Parlamenti Evropian në Strasburg konfirmoi me shumicë të madhe votash Komisionin e ri Evropian.

default

Kryetari i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso me një pjesë të komisionerëve: Joaquín Almunia, Neelie Kroes, Günther Oettinger dhe Olli Rehn.

"Dua t'i shpreh një urim të ngrohtë Komisionit të sapozgjedhur. Ai do të jetë i emëruar deri më 31. tetor 2014."

Kryetari i Parlamentit Jerzy Buzek uroi Komisionin e ri pas votimit. Miratimi dihej që më parë, pasi kandidatja për komisionere nga Bullgaria u ndërrua pas kritikës së Parlamentit. Por miratimi pati çmimin e vet. Parlamenti siguroi me këtë të drejta të tjera. Ndikimi i tij është tani më i madh sesa e parashikon Marrëveshja e Lisbonës. Në paraqitjen e ekipit të tij kryetari i Komisionit José Manuel Barroso trajtoi para së gjithash probleme bazë të politikës evropiane:

"A e llogarisin Bashkimin Evropian në botë? Përgjigjja është: po. Por a llogaritet Bashkimi Evropian në botë aq sa do të duhej? Përgjigjja është: ende jo."

Kritikat ndaj Komisionit...

Përse BE-ja mbetet prapa mundësive të veta, këtë deputetët evropianë e interpretojnë në mënyra të ndryshme. Guy Verhofstadt, kryetari i fraksionit liberal, e sheh fajin edhe tek Komisioni:

"Para së gjithash Komisioni duhet të jetë motori i Bashkimit Evropian, që për mendimin tonë nuk ka qenë pesë vitet e fundit. Nuk ka pasur unitet në BE, qoftë kur flasim për Kopenhagën, qoftë kur flasim për mungesën e bashkërendimit në Haiti: çdo herë i njëjti gabim."

Shumë më i ashpër se zakonisht ishte kryetari i fraksionit të të gjelbërve, Daniel Cohn-Bendit. Ai u tall me faktin që shumica e folësve në Parlament e kritikojnë punën e Komisionit, por në votim pastaj e mbështesin. Sipas tij, shumica e kandidatëve për komisionerë lanë përshtypje të dobët gjatë seancave dëgjimore:

"Nuk pati as vendosmëri, as vizion, as ambicie. Por i gjithë Komisioni, kjo mbledhje zerosh jep më shumë. Kjo është matematika e re e Komisionit Barroso."

Socialdemokrati Hannes Swoboda kritkoi nga ana tjetër një prirje për vetëmohim. Ai shfrytëzoi kritikën që i atribuohet ish-ministrit të jashtëm amerikan Henry Kissinger. Ky ka thënë, se nuk e di se kë duhet të thërrasë kur do të flasë me "Evropën":

"Kur flitet vazhdimisht për numrin e telefonit që gjoja ka kërkuar Kissingeri: Ne ndoshta nuk kemi numër telefoni, por kur e krahasoni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e klimës: Kë të thërrasim ne, Obamën apo senatin, që deri tani ka refuzuar të gjejë një zgjidhje? Të mos paraqitemi më të dobët se ç'jemi. Kemi mundësitë që të paraqitemi mirë tani."

...dhe debatet personale

Ndonjëherë pati edhe debate personale midis folësve të kampeve të ndryshme politike. Nga fare majtas deri fare djathtas, të gjithë janë të përfaqësuar. Por për Parlamentin në tërësi gjatë votimit kishte rëndësi që të tregohej dhe të përdorej vetëbesimi i tij i ri. Dhe këtë ai e arriti.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 10.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LxUq
  • Data 10.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LxUq